Prokuroria heq dorë nga marrja në pyetje e Tarës

(E plotësuar) Prokurorja, Vega Iodice ka hequr dorë nga insistimi për të marrë dëshminë e Ismet Tarës pasi ai tërë kohën është duke refuzuar të përgjigjet me arsyetimin se këtë gjë do ta bëjë pasi t’i shfaqet një dokument të cilin ka që nga mëngjesi i seancës që po e kërkon.
“Nuk besoj që dëshmitari do iu përgjigjet pyetjeve të mia”, ka theksuar ajo, duke njoftuar se ka mbaruar procesin e saj të marrjes në pyetje.
Iodice ka kërkuar pranimin e deklaratave të mëparshme të dëshmitarit por që këtë kërkesë do ta parashtrojë me shkrim.
“Kërkoj pranimin e deklaratave të mëparshme të dëshmitarit në përputhje me rregullën 143 të Rregullores, paragrafi 2(c) në qoftë se dëshmitari vazhdon të mos përgjigjet. Kjo mund të bëhet me shkrim në fakt sepse do të përzgjedhim pjesët përkatëse dhe kështu do ta bëjë kërkesën me shkrim”, ka theksuar ajo.
Kurse, avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka thënë se nuk janë shterur të gjitha mjetet juridike për ta marrë në pyetje dëshmitarin. Ai ka thënë se nuk i është shpjeguar dëshmitarit çështja e mosbindjes ndaj gjykatës dhe se një gjë e tillë ende nuk është konstatuar nga trupi gjykues.
“Fillimisht, sipas nesh nuk janë shteruar të gjitha mjetet për të marrë përgjigjen e dëshmitarit. Dëshmitarit nuk iu është shpjeguar çështja e mosbindjes së gjykatës dhe as nuk është konstatuar se s’po i bindet gjykatës. Pra, duhet ndërmarrë disa hapa të tjera përpara se të bëjmë parashtrime të mëtutjeshme. Gjithashtu, nuk duhet pranuar këto deklarata sipas nesh që ne si mbrojtje me sa duket nuk do e kemi mundësinë që të bëjmë kundërpyetje”, ka thënë ai.
Dixon ka thënë se fillimisht sipas tyre duhet shteruar të gjitha mjetet e mundshme ligjore që dëshmitari të jep dëshmi para trupit gjykues dhe më pas ata si mbrojtje ta kenë mundësinë që t’i bëjnë pyetje dëshmitarit.
Kryegjyqtari Charles Smith III, ka thënë se dëshmitari është paralajmëruar për gjerat që mund të pësojnë nga mosdhënia e dëshmisë, por që ai ka theksuar se nuk i bëhet vonë dhe të vazhdojë të mos përgjigjet.
“Nuk e shohim nevojën që të vazhdojmë më tej me procedurat e mosbindjes ndaj gjykatës. Ne do ua japim mundësinë të i bëni pyetje nëse dëshironi. Nëse nuk dëshironi, ne do ta ndërpresim seancën dhe do të shohim nga prokuroria se çfarë hapash do të ndërmarrë në lidhje me këtë”, ka thënë ai.
Ndërsa, avokatja e Thaçit, Nina Tavakoli, ka mbështetur Dixonin, duke thënë se trupi gjykues duhet të del me konstatim për mosbindje të dëshmitarit ndaj gjykatës. Në rast që nuk bëhet kjo, Tavakoli ka thënë se duan ta dinë në tërësi se çfarë dëshmie po jep ky dëshmitar.
Gjithashtu edhe mbrojtja e Krasniqit e përfaqësuar nga avokati Aiden Ellis, ka thënë se nuk janë shteruar të gjitha mjetet duke shtuar se dëshmitarit mund t’i prezantohet dosja fizike e deklaratës së tij.
Prokurorja Vega Iodice ka thënë se do ua tregojnë materialet përpara se të fillojnë kundërpyetje e mbrojtjes. Prokurorja ka kërkuar pushim për të përzgjedhur disa nga materialet për të ia jep mbrojtjes për t’i referuar kundërpyetje. Kryegjyqtari ka urdhëruar pushim prej 30 minutash në mënyrë që ZPS-së të iu mundësohet kjo.