Shqipëria nis regjistrimin e popullsisë javën e ardhshme

              Më 18 shtator në Shqipëri do të nisë regjistrimi i popullsisë dhe shtëpive. Ky proces është përgatitur që katër vjet. Ai fillimisht ishte shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19, e më pas për, siç është thënë, “mossigurimit me kohë të mjeteve të nevojshme për grumbullimin e informacionit në terren”.Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një konference për media më 13 shtator tha se regjistrimi është operacioni më i rëndësishëm statistikor për të “lexuar të sotme dhe zhvilluar të ardhmen”.“Është e rëndësishme për vendin tonë që numri i shqiptarëve që jetojnë në këtë vend të jetë real që askush të mos thotë as që janë shumë dhe i keni shtuar rrugëve dhe as që janë pak, e duke qenë pak jeni një vend që nuk meritonin vëmendjen që pretendoni”, tha Rama.Ndërkaq ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, theksoi se është e rëndësishme që ky regjistrim të ketë informacion të besueshëm statistikore.Ai tha se BE-ja ka dhënë 4.8 milionë euro grante për agjencinë e statistikave (INSTAT) për të mbështetur këtë proces.“Ky aktivitet ka rëndësi jo vetëm për të ofruar informacione për vendimmarrësit dhe hartuesit e politikave, bazuar në shifra, por edhe për vetë lehtësimin që do krijojë në rezultatet e prodhuara nga ky aktivitet për një planifikim më të mirë, për kopshtet, shkollat, spitalet, parqet, rrugët e të tjera. Do lehtësojë komunitetin e biznesit për vendimmarrje mbi planet e tyre zhvillimore. Gjithashtu do të jetë një bazë për krijimin e regjistrave statistikorë të rezidentëve në vend, të ndërtesave dhe banesave”, tha drejtoresha e INSTAT-it, Elsa Dhuli.Regjistrimi do të ofrojë të dhëna për popullsinë rezidente, mbi karakteristikat demografike, sociale, të dhëna për strehimin, shëndetësinë, punësimin e të tjera. Grumbullimi i tyre do kryhet me pajisje elektronike. Pyetësorët janë me tetë module dhe 100 pyetje.Në modulin për individ do të përfshihet një informacion të gjerë për statusin civil, arsimin, punësimin e të tjera. Po ashtu, do të ketë modul për shtëpitë, sektorin e bujqësisë dhe sektorë të tjerë.Procesi i marrjes së të dhënave në terren do të zgjasë gjashtë javë dhe mbyllet me 28 tetor. Më pas do të publikohen të dhënat e para në qershor 2024, ndërsa më të detajuara në dhjetor 2024.Për regjistrimin e popullsisë do të angazhohen 7.500 persona. Ky do të jetë regjistrimi i dymbëdhjetë i popullsisë në Shqipëri.Ndryshe, regjistrimi i fundit i popullsisë në Shqipëri është realizuar më 2011 dhe rezultoi se popullsia ishte mbi 2.8 milionë banorë. INSTAT në janar të vitit 2022 tha se në Shqipëri jetonin 2.7 milionë banorë, duke raportuar për një rënie prej 1.3 për qind krahasuar me janarin e vitit paraprak./REL