Sindikalistët nesër e fillojnë grevën, presin reflektim nga Qeveria 
Edhe pas takimeve që përfaqësuesit e sindikatave të Kosovës kanë zhvilluar me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, greva e përgjithshme në sektorin publik, duke përfshirë edhe mësimdhënësit do të fillojë nesër. Këtë e bëri të ditur për Radio Kosovën kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, i cili tha se nuk është arritur ende asnjë marrëveshje me institucionet qeverisëse. Ndërkohë, ekspertët thonë se duhet të gjenden forma të tjera sindikale.
Greva e paralajmëruar nga Bashkimi i Sindikatave të Kosovës, do të fillojë nesër, ndërsa është deklaruar se ajo do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, tha se edhe pse përfaqësuesit e BSPK-së kanë pasur një takim këto ditë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, nuk është arritur asnjë marrëveshje për zhbllokimin e situatës.
Ai bëri të ditur se edhe mësimdhënësit do të hyjnë në grevë, duke i bërë thirrje ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që të mbështesë kërkesat e mësimdhënësve.
“Vetë fakti se për herë të parë po fillojmë grevën më 25 gusht, në momentin kur nuk ka proces mësimor, e kemi bërë që ndoshta kjo vërejtja e fundit të tingëllojë ndryshe te qeveria. Ndërkohë, derisa të fillojë 1 shtatori, kur do të duhej të ktheheshin nxënësit në shkollë, ka hapësirë dhe mund të kemi lajme më të gëzuara”, ka theksuar Rrahman Jasharaj.
Për paralajmërimet e grevës në sistemin arsimor, njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, nga Instituti EdGuard, tha për Radio Kosovën se cikli i vazhdueshëm i këtyre paralajmërimeve është shpërqendrues për komunitetin arsimor. Ai tha se duhet të gjenden forma të tjera për realizimin e kërkesave sindikale.
“Me Ligjin e ri të Pagave, vërehet një përkushtim institucional karshi profesionit të mësimdhënies dhe rritjes në pagë. Besoj se kjo do të ishte e mjaftueshme që ndërprerja e procesit mësimor të mos konsiderohej, por kërkesat e tjera sindikale të arriheshin të negocioheshin me forma të tjera të reagimit sindikal”, ka theksuar Qehaja.
Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në postimin e saj në facebook ka thënë se ky cikël i përsëritshëm i kërcënimeve nuk mund të vazhdoj më. “Sindikata nuk mund të cenojë të drejtën kushtetuese të nxënësve për shkollim. Nuk ndërpritet procesi mësimor sa herë që dikush dëshiron!”, ka shkruar ajo.