Thaçi të hënën para gjykatës, Rama: Vetë Biden e cilësoi si Washingtoni i Kosovës, a duhet të konsiderohen kriminelë ata që e çojnë vendin drejt lirisë

                               Ish-presidenti Thaçi dhe të tjerët të hënën do të dalin përpara gjyqit në Hagë me akuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.Para kësaj seance, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shkruar për këtë ngjarje, duke pyetur se a mund të jenë kriminelë ata që e udhëheqin popullin e tyre drejt lirisë. Këtu, Rama përmend edhe presidentin amerikan dhe një cilësim që ai ia kishte bërë Thaçit.“A duhet të konsiderohen kriminelë ata që e çojnë popullin e tyre drejt lirisë kundër regjimeve brutale? Është një mendim shqetësues, sidomos duke pasë parasysh se njeriu në këtë foto dikur u përshëndet si George Washington i Kosovës nga vetë Joe Biden!”, ka shkruar Rama në Twitter, duke shpërndarë edhe lajmin nga Reuters për gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.Kryeministri shqiptar e kishte ngritur gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve edhe në shumë fjalime të tij ku audienca ishte e huaj.Më 3 prill do të nisë gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara në Hagë.Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, pasi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katërtit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.Lidhur me rastin e Thaçit dhe të tjerëve, ZPS-ja konfirmoi se janë mbi 300 dëshmitarë, ndërsa dëshmitarët e parë do të jenë gjithsej 12, por jo të gjithë parashihet që të shkojnë në sallën e gjyqit për të dëshmuar pasi ZPS-ja vetëm në disa raste do të mbështetet në dëshmitë e dëshmitarëve.