Tradhtia që ushqeu shovinizmin:-Shkruan;Gjen,Hisen BERISHA, analistë politik

                     (Vepra e Albin Kurtit dhe VLEN në dëm të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut)

Zgjedhjet e fundit lokale në Maqedoninë e Veriut shënuan një kthesë dramatike në historinë politike të shqiptarëve në këtë shtet. Për herë të parë që nga Marrëveshja e Ohrit, komunat me shumicë dërrmuese shqiptare nuk u fituan nga forcat politike shqiptare tradicionale. Në vend të kësaj, pushtetin në shumë prej tyre e morën kandidatët maqedonas – falë përçarjes që ndodhi brenda kampit politik shqiptar, e orkestruar në mënyrë të qëllimshme nga Albin Kurti përmes krijesës së tij politike, të ashtuquajturës “VLEN”.

Në këtë proces të rëndë për interesat kombëtare, shqiptarët e Maqedonisë nuk humbën vetëm disa komuna por humbën unitetin e tyre politik, simbolin e përfaqësimit dhe fuqinë e ndikimit në një shtet ku ku u bënë faktor përcaktues me forcën e armës, dialog e diplomaci. Ndërhyrja e Kurtit, e fshehur pas parullave për “ndryshim” dhe “bashkim vlerash”, solli efektin e kundërt: përçarje, dobësim dhe nënshtrim të plotë ndaj projekteve ultranacionaliste që po ringjallen me agresivitet në Shkup.

Fjalimet e fundit të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe kryeministrit aktual Hristijan Mickovski, mbajtur pas fitores së VMRO-së në këto komuna, ishin të mbushura me gjuhë hapur shoviniste, antishqiptare dhe triumfaliste. Ata folën si fitues të një beteje etnike, jo si udhëheqës të një shteti multietnik. Euforia e tyre politike është produkti më i qartë i tradhtisë që u ushqye nga brenda, nga vetë shqiptarët që pranuan të bëhen instrument i politikave të huaja kundër interesit kombëtar.

Në këtë zinxhir të tradhtisë, VLEN dhe udhëheqësit e saj, u bënë vegla politike të Albin Kurtit në territorin e Maqedonisë së Veriut. Përmes ndërhyrjeve të drejtpërdrejta në strukturat partiake, financimit dhe ndikimit propagandistik, Kurti arriti ta copëtojë trupin politik shqiptar në RMV dhe ta shpërqendrojë energjinë e tyre drejt një qëllimi të pavlerë – fitores në Çair. Një mahall/komunë e mbetur si relikt i një periudhe tjetër historike, që nuk ndryshon fatin e shqiptarëve, por shërben si perde për të fshehur humbjen e madhe në Tetovë, Gostivar, Kërçovë e Strugë – qytetet e vërteta të forcës politike shqiptare. Po ashtu, edhe për të identifikuar shqiptarët etnik të Shkupit si përkatësi etnike turke. Sot, Shkupi që dikur ishte qëndra me më shumë shqiptarë – krahasuar me Prishtinën e Tiranën – është qëndra me më pak shqiptarë, ngase 40% e tyre janë deklaruar si turq.

Fokusi taktik në Çair, i nxitur nga Kurti dhe i zbatuar nga Mexhiti, (ku z. Mexhiti nga pozita e zëvëndës kryeministrit të RMV garoi për të parin e mahallës), ishte një mashtrim i qëllimshëm që i largoi shqiptarët nga betejat reale për pushtet në komunat kyçe.

Në asnjë nga deklarimet publike të përfaqësuesve të VLEN-it nuk u përmendën, qoftë edhe në formë simbolike, shqiptarët që jetojnë në komuna me shumicë absolute maqedonase, por me një komunitet të vogël shqiptar, të papërfaqësuar dhe të heshtur, si në Manastirin e alfabetit shqip, Prilep apo Kriva Pallankë. Këta qytetarë, të lënë në harresë institucionale e politike, nuk përfshihen as në diskursin e VLEN-it për “barazi” dhe “përfaqësim”, sepse nuk sjellin kapital elektoral, por vetëm e vërtetojnë mungesën e një vizioni gjithëkombëtar që do ta tejkalonte logjikën e pazareve partiake.

Kështu, për herë të parë pas më shumë se dy dekadash, në territoret me shumicë shqiptare sundojnë kryetarë maqedonas, një rezultat që as qeveritë më të ashpra të VMRO-së nuk arritën ta imponojnë në kohën e vet.

Në këtë sfond, edhe ndikimi serb mbi Maqedoninë e Veriut është bërë po aq i dukshëm sa edhe shovinizmi i brendshëm maqedonas. Para pak javësh, në Shkup dhe Manastir, u organizuan kremtime për festa serbe pa asnjë lidhje me identitetin maqedonas, duke zbuluar haptazi nënshtrimin kulturor dhe politik të qeverisë veriomaqedonase ndaj Beogradit. Brenda strukturave qeverisëse të sotme janë vendosur ultranacionalistë me identitet serb, të cilët Maqedoninë e shohin si krijesë serbe në emër të pravosllavizmit. Kjo është fytyra e re e kolonializmit serb në Ballkan, që përmes ndikimit fetar e politik, synon të mbajë nën tutelë edhe shtetet formalisht të pavarura si Republika e Maqedonisë së Veriut.

Në këtë sfond, ngritja e gjuhës shoviniste dhe fjalimet për “shtet vetëm për maqedonasit” nuk janë rastësi. Ato janë pasojë direkte e dobësimit të faktorit shqiptar dhe e ndarjes që solli ndërhyrja e Albin Kurtit. Ai që dikur pretendonte të ishte “zëri i shqiptarëve në rajon”, sot është bërë shkaku kryesor pse shqiptarët humbën terren në Maqedoninë e Veriut dhe pse shovinizmi maqedonas po feston mbi humbjen e tyre.

Historia do ta gjykojë këtë veprim politik si një nga tradhtitë më të rënda të pasluftës. Albin Kurti dhe projekti i tij destruktiv VLEN do të mbahen mend si instrumenti që i hapi derën rikthimit të frymës së Gruevskit e Mickovskit, të atyre që ndërtuan karrierën politike mbi mohimin e gjuhës, identitetit dhe dinjitetit shqiptar.

Gjaku i derdhur për liri në tokat shqiptare të Maqedonisë nuk mund të shlyhet me koalicione të rreme, me marrëveshje për poste e privilegje, dhe as me heshtjen e turpshme të atyre që ndihmuan të shuhet zëri politik i shqiptarëve. Çdo fjalim i urrejtjes që dëgjohet sot në Shkup është një shuplakë ndaj atyre që dikur luftuan për barazi e dinjitet.

Prandaj, kjo nuk është vetëm një humbje zgjedhore por është një alarm kombëtar.

Shqiptarët duhet ta kuptojnë se nuk kanë humbur për shkak të maqedonasve, por për shkak të vetë tradhtarëve që, nën dirigjimin e Albin Kurtit, shërbyen për projektet e atyre që duan t’i zhbëjnë arritjet e UÇK-së dhe të Marrëveshjes së Ohrit.

Koha do t’i demaskojë të gjithë.

Dhe asnjë fjalim shovinist, asnjë aleancë artificiale e asnjë propagandë e Prishtinës nuk do ta fshijë të vërtetën:

Në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët humbën jo nga armiku, por nga tradhtia e organizuar që i udhëhoqi drejt humbjes./QendraPress/