Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se KOSTT, KEDS dhe KESCO kanë dorëzuar kërkesat për përshtatjen e të Hyrave të Lejuara për vitin 2025.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se KOSTT, KEDS dhe KESCO kanë dorëzuar kërkesat për përshtatjen e të Hyrave të Lejuara për vitin 2025.

Siç njoftohet, këto kërkesa janë paraqitur në përputhje me kërkesat ligjore dhe tashmë janë publikuar në faqen zyrtare të ZRRE-së, ku janë të aksesueshme për publikun.

ZRRE ka bërë të ditur se do të shqyrtojë në mënyrë të detajuar dokumentet e dorëzuara dhe, pas përfundimit të vlerësimit, do të hartojë një raport për konsultim publik.

Ky raport do të përmbajë analiza dhe rekomandime dhe do të jetë i hapur për komente nga qytetarët dhe palët e interesuara për një periudhë dyjavore.

Pas shqyrtimit të sugjerimeve të marra gjatë konsultimit publik, ZRRE do të përgatisë vlerësimin përfundimtar, i cili do t’i dorëzohet Bordit të ZRRE-së për miratim.

“Ky proces synon të garantojë transparencë dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrje”, thuhet në njoftim.

Deri në publikimin e raportit për konsultim, ZRRE nuk mund të japë asnjë qëndrim mbi mundësinë e ndryshimit të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2025.

“Çdo spekulim lidhur me rritjen e tarifave, përpara publikimit të raportit të ZRRE-së, është i pavërtetë dhe i pabazuar,” theksohet në njoftimin e ZRRE-së./Telegrafi/