PDK ka një kusht për votimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike

0

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se për të votimin e Projektligjit të Rimëkëmbjes Ekonomike, duhet të merren në konsideratë propozimet të cilat janë bërë nga ana PDK-së.


“Nëse marren në konsideratë disa propozime që janë racionale, kanë qëllim dhe fokus ekonominë dhe shëndetin e qytetarëve, ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë. Nëse gjërat lëvizin në këtë drejtim ne qëndrojmë mbrapa kësaj, mbetet të shihet”, ka thënë Hamza për REL.

Në pyetjen se cilat janë propozimet e PDK-së në raport me këtë projektligj, Hamza nuk ka dhënë detaje, pasi që, siç thotë ai, janë çështje të cilat bisedohen në komisione parlamentare.

“Ne kemi qenë shumë konstruktiv, me kohë i kemi bërë propozimet, nuk ka pasur vullnet politik të mbështeten”, deklaroi tutje ai.

I të njëjtit mendim ka qenë edhe deputeti i kësaj partie, Kujtim Gashi. Ai, përmes një prononcimi të dhënë për Express, ka deklaruar se nëse propozimet e tyre nuk pranohen, nuk do votohet ky projektligj.

“Ne i kemi qëndrimet e qarta tash e sa kohë, pa u ndryshu ligji nuk do ta ketë votën e PDK-së sepse nuk e ndihmon ekonominë e vendit, me ndryshimet dhe propozimet qe i kemi ne, ligji mundëson që për këtë fazë të ketë efekte pozitive në ekonomi”, ka thënë deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi.

“Nuk besoj që ka nevojë të negociohen. Nëse ato merren parasysh në mbledhje kur vjen për votim ligji, vota jonë është PËR”, ka thënë Gashi.

Por, nga PDK-ja kanë treguar se në cilat pika kanë kërkuar ndryshim, pasi sipas tyre, këto ndryshime janë në interes të rimëkëmbjes ekonomike të vendit.

“Pagesat për punëtorët që kanë humbur vendet e tyre të punës të paguhen me nga 300 euro për 3 muaj. Heqjen e TVSh-së për importimin e lëndës së parë. Si dhe rimbursimin e mjeteve të trustit për ata që kanë deri në 10.000 euro. Pra këto janë kërkesat tona për ta votuar ligjin për rimëkëmbje, kërkesa këto që kanë dalë edhe nga diskutimet e shumta edhe me komunitetin e biznesit”, ka thënë Gashi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *