Kurti: Nuk i zihet besë Serbisë që qëndron mbi varret masive dhe i mohon ato

0

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ripërsëritur qëndrimin e partisë së tij, se nëse vjen në krye të pushtetit, do inciojë padi ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet e kryera në Kosovë.


Kurti, mes tjerash, në llogarinë e tij në ‘Facebook’, ka komentuar edhe lidhur me varrezat masive të shqiptarëve gjetura kohëve të fundit nëpër zonat serbe.

Ai, gjithashtu, iu ka bërë thirrje akterëve ndërkombëtar që të ndërmarrin veprimet e duhura kundrejt, siç thotë ai, politikës agresore Serbe ndaj Serbisë.

Postimi i plotë:

Fjala “gjenocid” u përdor për herë të parë nga avokati polak Rafał Lemkin në vitin 1944. Termi përbëhet nga parashtesa greke genos, që do të thotë racë ose fis, dhe prapashtesa latine cide, që do të thotë vrasje. Lemkin e zhvilloi termin pjesërisht si kundër-përgjigje ndaj politikave naziste të vrasjes sistematike të hebrenjve gjatë Holokaustit, por edhe si kundër-përgjigje të rasteve të mëparshme në histori të veprimeve që synonin shkatërrimin e grupeve të veçanta të njerëzve.

Pas vetëm 4 viteve, më 1948, u miratua nga Asambleja e Përgjithshme traktati i parë për të drejtat e njeriut, i emërtuar si Konventa mbi Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit. Pikërisht me datën 9 dhjetor shënohet 72 vjetori i kësaj konvente, si dhe dita ndërkombëtare e përkujtimit dhe dinjitetit të viktimave të krimit të gjenocidit dhe parandalimit të tij.

Kjo konventë ofroi përkufizimin e parë ligjor të termit “gjenocid”, si dhe detyrën sublime për shtetet nënshkruese për të parandaluar dhe ndëshkuar krimin e gjenocidit.

Edhe pse bashkësia ndërkombëtare u bashkua për të thënë KURRË MË përmes kësaj konvente, më pak se 50 vite pas, bota u bë dëshmitare e gjenocidit të kryer në Bosnje, e më pas atij të kryer në Kosovë.

Përkujtimi dhe dinjiteti i viktimave të krimit të gjenocidit shkon përtej përvjetoreve. Ai fillon me njohjen dhe pranimin e asaj që ka ndodhur. Me marrjen e masave për të adresuar të shkuarën.

Gjatë qeverisjes tonë në pranverën 2020, ne patëm nisur diskutimin e brendshëm për procesin e padisë së Serbisë në GjND për gjenocid, por puna na u ndërpre. Me rikthimin tonë do ta vazhdojmë dhe do ta dërgojmë deri në fund atë që kemi nisur.

Sepse gjenocidi është më tepër se një term. Më tepër se krim që duhet kujtuar me 9 dhjetor.

Gjenocidi përtej definicionit ligjor, është përpjekje për të zhdukur pjesë të historisë. Pjesë të së njerëzishmes e botë të tëra të ndërtuara ndër breza. Kur flasim sot për dialog, nuk duhet të harrojmë se qëndrojmë mbi një tokë të ujitur me gjakun e të pafajshmëve.

Kur flasim për pajtim, nuk duhet të harrojmë se sot e kësaj dite vazhdojnë të zbulohen pirgje me eshtra, trupat e shqiptarëve të vrarë e të mbuluar në varre masive, pa emër e pa shenjë. Nuk duhet të harrojmë familjarët e viktimave, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve ende nuk e kanë një varr ku të vendosin një lule në kujtim të të dashurve të tyre. Sot është dita e dhimbjes së mbarë njerëzimit, prandaj sot ne i kujtojmë me respekt viktimat anembanë botës, dhe i dënojmë me gjithë vendosmërinë e zemrës politikat gjenocidale. Aq më shumë që ne, si shqiptarë e përjetuam mbi shpinë gjenocidin përmes vrasjeve masive, përdhunimit sistematik, largimit të dhunshëm prej vendit dhe shkatërrimit të shtëpive e pronave. Ata që thoshin e thonë “Kosova është Serbi” kishin problem me faktin se Kosova tash e kaherë, ka patur shumicë shqiptare. Mes ëndrrës së tyre për serbianizimin e Kosovës dhe realitetit material e demografik, shqiptarët qëndronin si pengesë – andaj e bënë gjenocidin, si zgjidhje finale.

Ne luftuam kundër gjenocidit, bota na ndihmoi në emër të humanitetit, dhe sot jemi këtu. Nuk di për ndonjë popull tjetër në histori, që ka qenë kaq i gatshëm për falje e pajtim, siç jemi treguar ne shqiptarët. Sepse e duam paqen, jo konfliktet. Por, askush ende nuk po kërkon falje. Askush nuk po e merr përsipër fajin. E nuk mund ta falësh atë që, edhe tash pas 21 vitesh ende vazhdon të këmbëngulë se “Kosova është Serbi”, pra që shqiptarët nuk e kanë vendin në Kosovë. Në respekt të viktimave të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë, duhet të pohojmë gjithnjë e vendosmërisht se Kosova është e pavarur, me shumicën e saj shqiptare e me minoritetet e tjera, pa hasmëri e hakmarrje mes njëri-tjetrit, por vetëm me synimin e përbashkët për bashkëpunim, për demokraci, për zhvillim.

Sot e gjithnjë i bëj thirrje ndërkombëtarëve që ta rrisin presionin në qeverinë serbe për të hequr dorë nga politikat agresore ndaj Kosovës, e për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit politikë e ushtarakë për këtë gjenocid. Ky do të ishte themeli i vërtetë për një Ballkan Evropian, të qëndrueshëm, të sigurt e paqësor. Nuk mund t’u zihet besë atyre që qëndrojnë mbi varret masive teksa i mohojnë ato.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *