Haxhiu: Festa e Bajramit na kujton vlerat përreth së cilave duhet të bashkohemi si vend

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka uruar festën e Kurban Bajramit, me ç’rast ka vizituar edhe Myftiun Naim Tërnava në Bashkësinë Islame të Kosovës.
Haxhiu, para mediave tha se dita e Bajramit kujton vlerat, përreth së cilave, sipas saj, vendi duhet të bashkohet, transmeton Klankosova.tv.
“Festa e Kurban Bajramit është festë e shenjtë e besimit islam, dhe kjo na kujton vlerat e sakrificës, solidaritetit, mirësisë, respektit e përkushtimit për vendin, vlera këto që duhet t’i mbajmë lartë e më lartë, dhe rreth së cilave duhet të jemi të bashkuar edhe si institucione edhe si qytetarë, por edhe si shoqëri”, tha Haxhiu.
U.D., e presidentes ndër të tjera foli edhe për ligjëratë që Myftiu Tërnava dha sot në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku kërkoi që gjuha e urrejtjes, përçarjes, linçuese, të ndalet.
“Prandaj e falënderova edhe për këtë aspekt”, u shpreh Haxhiu për Tërnavën.