Gjakovë, familja e zhytur në skamje bëhet me shtëpi të re falë donatorëve
Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” janë rikthyer në Gjakovë tek familja Shkupi. Një javë më parë u transmetua historia e Hajdar Shkupit, 57-vjeçarit nga Gjakova. Shtëpia ku jetonte iu dogj nga forcat serbe gjatë luftës, fill pas lufte ai u strehua në një gërmadhë, në shtëpinë e braktisur të një serbi, në qendër të Gjakovës. Gjendja e tyre është tepër e rëndë, punë nuk po gjejnë dot. Jetojnë me çfarë t’u falin të tjerët. Shtëpia nga dita në ditë rrezikon të shembet.
Hajdari dhe Valbona kanë tre fëmijë, djali i madh Kreshniku, po përpiqet t’a ndihmojnë sadopak familjen por që pas ngjarjes fatale që i ndodhi me vëllain, asnjë mundësi për punë s’po i krijohet. “Pandemia po na i bën shumë të vështirë të kërkojmë punë”.
Ata ishin tre vëllezër, që dilnin e shisnin shkrepëse në rrugët e Gjakovës, për të siguruar bukën e gojës, por fati i Elvirit ishte i njëjtë me atë të shitesës së vogël të shkrepseve. Elviri ishte me shkrepëse në dorë kur e shtypi makina në tentativë për të kaluar rrugën. Djali po kalonte rrugën duke shkuar në drejtim të një lokali ku donte të shiste kutitë. “Ishte ora 12 e natës në shkurt kur një veturë me shpejtësi përplasi vëllain dhe pasi e gjuajti, ai ra në tokë i vdekur, e qëlloi në kurriz, ende i kam ato skena para fytyrës, ne donin të shkonim në drejtim të një lokali, e kisha vetëm 20 metra larg vëllain”, thotë vëllai i Elvirit.
https://www.youtube.com/embed/aX6oHoyQw9k?feature=oembed Valbona gjithmonë rri e përlotur, për djalin e saj 8-vjeçar, i cili humbi jetën duke u përpjekur që të sigurojë kafshatën e gojës. Kreshniku e përjetoi shumë keq atë ndodhi dhe që prej asaj kohë ai nuk mundi ta bëjë dot më atë punë. Ai nuk mundet më të shesë shkrepëse në rrugicat e ftohta të Gjakovës. Valbona e kujton shpesh dhe shpirti i dhemb, kur mendon se i vogli i saj dha jetën për t’i shpëtuar ata prej mjerimit. “E kujtoj shpesh, uroj mos t’i ndodhi askujt” thotë ajo. Ajo mendon se një ditë diçka do të dalë, do të ketë zgjidhje për të, por shpesh i humbet shpresat, realiteti i frikshëm nuk e lë as të ëndërrojë për ditë më të mira.
Hajdari endet rrugëve për të kërkuar ndonjë punë, por as sot nuk gjeti dot. Varfëria është e madhe. Pandemia i ka shtrënguar gjërat. Edhe kreshniku u kthye në shtëpi pa gjetur asnjë punë që të mund të siguronte qindarkat për të blerë një bukë. Për të është shumë e rëndë kjo situatë. Ai del shpesh këtu në ballkon dhe mendon, se si do ti vejë halli i tij, ku të kapet pas diçkaje që ta kapërcejë këtë mjerim. Djali tjetër Kushtrimi është larguar dhe nuk është kthyer ende, të gjithë po shpresojnë nëse ai ka gjetur diçka. Ndërsa Leona përpiqet të bëjë mësimet, por në mes të këtij ftohti nuk mundet, e ka shumë të zorshme. Valbona nis të gatuajë disa fasule që ia kanë falur.
Mirëpo rryma nuk mjafton, pasi rrezikon të karbonizohen telat. Kreshniku e kupton menjëherë dhe i kërkon mamasë që ta fikë sobën. Kjo ndërtesë nuk ka pasur energji elektrike. Por Kreshniku me aq njohuri sa kishte e ka sajuar vetë rrjetin elektrik. Kjo është situata në këtë familje, ne po largohemi, por mjerimi mbetet. Por pasi historia e tyre u transmetua javën e kaluar, qindra donatorë grumbulluan paratë e nevojshme për blerjen e një apartamenti të ri. Ky është momenti kur familjes i dorëzohen çelësat e banesës së re./Balkanweb