Fatmir Limaj takim me të rinjtë e partisë: Angazhohuni që vendit të mos i bëhet dëm i pariparueshëm
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka vazhduar tubimet me strukturat e partisë në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Limaj pasditen e sotme ka zhvilluar një takim me strukturat drejtuese të rinisë së partisë të cilën ai e drejton. Në këtë takim, kreu i Nismës ka kërkuar angazhim dhe mobilizim për zgjedhjet që po vijnë në mënyrë që të ndalin një të keqe të madhe që, sipas tij, po i kanoset Kosovës.
Kosova, sipas tij, më së shumti ka nevojë për një rini aktive, e cila sakrifikon kohë e energji për të bërë diçka për vendin.
“Zgjedhjet që po vijnë nuk janë zgjedhje për mua dhe Nismën, por janë zgjedhje në mbrojtje të Kosovës. Vendi ynë po rrezikohet. Asnjëherë nuk flas diçka për të cilën nuk besoj. Unë mendoj se këto zgjedhje janë të jashtëzakonshme jo vetëm në aspektin ligjor, por edhe në përmbajtje. Ne qysh para tri vjetësh kemi paralajmëruar se Kosova do të vijë në këtë udhëkryq. Në politike është shumë më rëndësi vendimet politike. Ka disa dëme që nuk riparohen, prandaj ftesa ime është që të angazhoheni në mënyre që mos bëhet dëm i pariparueshëm. Mobilizimi jonë të jetë në funksion që të mos lejojmë të bëhet dëm që nuk kthehet, nga i cili kanë pasoja qytetarët e vendit”, ka thënë ndër të tjera Limaj.
Më tutje, ai ka thënë se partia të cilën ai e drejton ka dëshmuar që nuk merr vendime të dëmshme për vendin.
“Ju e dini që bacin Jakup e kemi në Hagë, fytyrën e lirisë së Kosovës, por jo për shkak të votës sonë. Paramendojeni nëse do ta kishim votuar Gjykatën speciale, çka do të thosha unë para juve. Ky është rreshtimi i drejtë, ne kemi paralajmëruar për rreziqet dhe në aspektin moral jemi faqebardhe para qytetarëve të Kosovës. Dëmi është bërë, por s’kemi mund ta ndalim. Fuqia jonë ka qenë të deklarohemi kundër”, ka shtuar Limaj.
Ai ka thënë se prioritet e ka mbrojtjen e vlerave kombëtare, sepse ai thotë se këto vlera po rrezikohen.
“UÇK dhe dëshmorët e këtij kombi janë themeli i vendit dhe ne jemi në mbrojtje të këtyre vlerave”, ka theksuar Limaj.