Dr. Besim MUHADRI- PËRMASA E NDRIÇIMIT TË SË VËRTETËS SË DOKUMENTUAR HISTORIKE- Nexhat Çoçaj: Adresa e mbijetesës (Kontributi i Xhamisë së Krumës në luftën e UÇK-së),

0

Xhamia e Krumës, ky institucion i kultit, luajti një rol të rëndësishëm pothuajse gjatë gjithë historisë së themelimit dhe funksionim të tij, këtë e dëshmon edhe libri voluminoz i studiuesit dhe publicistit të palodhur Dr. Nexhat Çoçaj, Adresa e mbijetesës (Kontributi i Xhamisë së Krumës në luftën e UÇK-së), në të cilin, në mënyrë shumëdimensionale autori paraqet rolin dhe kontributin e saj. Ndonëse trajton aspekte të ndryshme të funksionimit, rolit dhe kontributit të kësaj xhamije, si dhe të të gjithë atyre klerikëve që shërbyen në këtë xhami, ai trajton edhe aspekte të tjera që kanë të bëjnë me rolin dhe kontributin e krahinës së Hasit në periudhe të ndryshme të historisë. Duke filluar nga etimologjia e emrit të kësaj krahine, që në të gjitha aspektet, qoftë duke iu drejtuar fakteve historike, qoftë edhe të atyre gojore, kësaj krahine dhe banorëve të saj i japin karakteristikat e njerëzve bujarë, mikpritës dhe atdhetarë.

Ajo që është më thelbësore, autori fokusin e tij e drejton sidomos në dekadën e fundit të shekullit të kaluar (XX), ku ky institucion fetar, u shndërrua edhe në një institucion kombëtar, kulturor, shëndetësor, por edhe, mbi të gjitha humanitar.

Hyrje

Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet e forcave serbe të krimit, më 24 mars të vitit 1999, jeta për shqiptarët e pambrojtur të Kosovës u vështirësua edhe më shumë. Regjimi vrastar kriminal serb, në shenjë hakmarrjeje ndaj NATO-s, filloi masakrat mbi popullsinë civile të Kosovës. Ndërkaq, që nga 28 marsi i atij viti, por edhe më herët, janë qindra e mijëra kosovarë që do t’ia mësyjnë Shqipërisë. Përveç Kukësit, një ndër qytetet e para që do të ketë fatin të bashkëpërjetonte tragjedinë me vëllezërit nga Kosova, ishte edhe Kruma dhe Hasi në përgjithësi. Gjatë asaj kohe në Krumë vazhdonin të vinin të dëbuarit nga Kosova që hynin nga pika kufitare Qafës së Prushit. Ata ishin nga Gjakova dhe nga vise të tjera të Kosovës. Njerëz të trishtuar, të lodhur e të vrarë në shpirt e trup. Pleq e plaka, gra e fëmijë. Banorët e Krumës, por jo vetëm të Krumës, kishin marrë të gjitha masat që të pritnin vëllezërit e tyre të dëbuar. Secili hasjan shprehte dëshirën që të strehonte njerëz, megjithëse edhe ata vetë jetonin në kushte tejet të vështira. mirëpo ata kishin hapur dyert dhe zemrat. Gjatë atyre ditëve ishte edhe një institucion që hapi dyert për të strehuar me qindra refugjatë. Dhe ky institucion, pra  Xhamia e Krumës, që vazhdonte traditën e hershme të saj të rrugës së humanizmit dhe atdhetarisë, gjatë atyre ditëve u bë konak shprese i të gjithë atyre njerëzve të vrarë në shpirt e të lënduar në zemër e trup.

Në këtë kohë të dhembjes dhe të trishtimit të madh, të gjithë u munduan të gjenin kohë e mënyra për mobilizim të gjithanshëm, falë angazhimit dhe përkrahjes së strukturave udhëheqëse të Rrethit të Hasit e të Bashkisë së Krumës, në krye me kryetarin e Rrethit të Hasit, zotin Hysni Alija, një burrë fisnik dhe shumë atdhetar, si dhe të kryetarit të Bashkisë së Krumës, z. Zenel Kastrati me bashkëpunëtorë, më ç’rast u bë edhe organizimi i jetën në kushte lufte. Kjo rezultoi me hapjen e një Zyrë informacioni, ku tjetër, pos në oborrin e Xhamisë së Krumës. Puna e kësaj zyre, në brendi të oborrit të Xhamisë së stërmbushur me refugjatë gjatë tërë kohës, u bë një sinonim shprese për jetë dhe adresë e besueshme e rivënies së ndërlidhjeve të shkëputura familjare. Pak më tutje Zyrës, po në oborr të xhamisë, ishte vendosur edhe një kampshtëpizë e stafit mjekësor, e dhuruar nga Kryqi i Kuq shqiptar, e cila ishte në shërbim të popullatës, si të asaj që ishte dëbuar nga Kosova, po ashtu edhe të asaj vendore. Në të njëjtën kohë, brenda objektit të xhamisë u vendos spitali fushor, në të cilin u operuan dhjetëra ushtarë të UÇK-së, të plagosur rëndë e qindra të tjerë të plagosur më lehtë në betejën e Pashtrikut, të filluar më 25 maj të vitit 1999, e cila vazhdoi deri më 14 qershor të atij viti, gjithnjë në kuadër të operacionit “Shigjeta”. Ndihmë mjekësore në këtë spital kërkuan dhe morën edhe qindra banorë të dëbuar nga Kosova, por edhe nga Kruma dhe Hasi në përgjithësi. Po në objektin e Xhamisë së Krumës u vendos edhe një pjesë e udhëheqjes së Brigadës 126 “Hasi”, e cila kreu shumë detyra, si në mobilizim, ashtu edhe në organizim të luftës dhe të logjistikës së kësaj lufte.

Të dhëna interesante për krahinën e Hasit dhe ndriçimi i rolit historik, kombëtar dhe humanitar i Xhamisë së Krumës

Në fillim të shkrimit tim i bëra të gjitha këto përshkrime, me qëllim të tregimit të rolit të pakontestueshëm historik të këtij institucioni fetar,  që është edhe kryepersonazh i librit të Nexhat Çoçës, institucion i cili tashmë ishte shndërruar në një tempull mirësie, lirie dhe dashurie për jetën e të gjithë atyre njerëzve me shpresa të vrara, të cilët kërkonin të gjenin shpëtim e mirësi. Gjata tyre ditëve ajo (Xhamia) nuk i përngjante më një objekti fetar, por një kampi të mbushur me njerëz, të cilët brenda vetes bartnin tërë peshën e dhembjes e të vuajtjeve, të shkaktuara nga tragjedia e madhe e Kosovës. Imami i saj, Refik Murati, nga një misionar feje ishte shndërruar në një misionar shprese e bamirësie dhe në një mbështetës i flaktë i luftës për liri.

Prandaj, duke pasur parasysh të gjitha këto kontribute të premisave të theksuara kombëtare të këtij institucioni fetar, u bënë shkas që studiuesi i palodhshëm hasjan, Dr. Nexhat Çoçaj t’i hynte realizimit të projektit të tij madhor të ndriçimit të rolit historik, kombëtar dhe humanitar të Xhamisë së Krumës, duke vënë në pah njëkohësisht rëndësinë si dhe kontributin e saj në periudha të ndryshme të historisë së saj, që janë të ndërlidhura edhe me historinë e popullit shqiptar në përgjithësi dhe të të atij hasjan, në veçanti. Për të realizuar një projekt të tillë, mjaft të rëndësishëm dhe shumëdimensional, studiuesi Çoçaj, gjurmimet e tij i shtjellon nëpër disa kapituj, për të ardhur te qëllimi bazë, ai i spikatjes së rolit të xhamisë së Krumës edhe në ditët më të vështira, por edhe më krenare të popullit shqiptar, siç është Lufta e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, ku siç e thamë, kjo xhami luajti një rol kyç, qoftë në atë humanitar, qoftë edhe në atë çlirimtar. 

Në kapitullin e parë autori i librit “ Adresa e mbijetesës….” na sjell të dhëna interesante për krahinën e Hasit, si në aspektin historik e gjeografik, po ashtu edhe në atë etnografik, duke gjurmuar në shekujt e hershëm për të gjetur etnogjenezën e emrit të krahinës së Hasit dhe të  Pashtrikut. Përveç gojëdhënave interesante, gjatë trajtimit të kësaj çështjeje ai ka shfrytëzuar edhe literaturë të mjaftueshme, që ndërlidhet me krahinën e Hasit dhe etnogjenezën e saj, pa anashkaluar edhe informacionet që kanë të bëjnë me përhapjen e besimit islam në Has.

Në kapitullin e dytë ai shpërfaq ngjarjet e ndodhura në Has, të cilat janë të ndërlidhura me luftën e UÇK-së, që nga fillimi i saj e deri në përfundimin  saj, si dhe për rolin që ka luajtur xhamia e Krumës. Aty shohim edhe rolin që ka luajtur zyra e informacionit që ishte e vendosur në oborrin e kësaj xhamie, si në gjetjen dhe në lidhjen e familjeve të të dëbuarve, të strehuar në Has dhe në përgjithësi në Shqipëri. Kjo zyrë, të cilën e ka udhëhequr vetë autori i këtij libri bashkë me autorin e këtij shkrimi, ku lexuesi do të mësoje se ajo ishte edhe qendër informative për luftën e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës që operonte në Pashtrik gjatë operacionit “Shigjeta” dhe se me sukses ka zëvendësuar mungesën e një mediumi informativ në Has dhe më shumë se kaq gjatë asaj kohe.

Studiuesit Çoçaj nuk i ka shpëtuar as dhënia e informacioneve për rolin dhe kontributin e shërbimit shëndetësor të instaluar në kompleksin e Xhamisë së Krumës, të cilin informacion e gjejmë të trajtuar në kapitullin e tretë të librit.

Kontributi i Xhamisë së Krumës në fokusin e Nexhat Çoçosë na vjen i shoqëruar edhe me dëshmi gojore dhe fotografi të personave që janë përfshirë në këtë libër të rëndësisë dokumentare (kapitulli i katërt dhe i fundit i librit).

Fakte dokumentuese me intervista dhe fotografi

Në librin “Adresa e mbijetesës(Kontributi i Xhamisë së Krumës në luftën e UÇK-së,  trajtimi i rolit dhe kontributit të Xhamisë së Krumës na vjen edhe përmes dëshmive të dëshmitarëve të asaj kohe, të cilët e kanë përjetuar katrahurën e luftës, por që kanë prekur edhe ndihmesën e kësaj Xhamije. Autori na sjell intervistat e shumta me ish të dëbuar, ish ushtarë të UÇK-së, të plagosur apo edhe të trajtuar në spitalin ushtarak të të UÇK-së dhe kjo është një rëndësi tjetër që i atribuohet këtij libri dhe autorit të saj të palodhur në përpjekjet e tij për të ndriçuar në mënyrë të dokumentuar kontributin e Xhamisë gjatë asaj periudhe, por edhe më herët. Po ashtu përmes rrëfimeve të protagonsitëve të atyre ngjarjeve, qoftë nga të dëbuarit, por edhe nga banorët vendës të Krumës e në veçanti ish udhëheqës të pushtetit lokal të asaj kohe, janë një begati e rëndësishme e të dëshmuarit korrekt dhe aspak të njëanshëm për kontributin e xhamisë së Krumës. Duke shpërfaqur këtë aspekt, autori vë në spikamë, mbi të gjitha, edhe rolin e popullit hasjan dhënë luftës së Kosovës dhe ndihmesa e madhe e tyre ndaj vëllezërve nga Kosova, të cilët në Krumë e kudo në Has, kishin gjetur shpresën e shpëtimit, duke u ndeshur me një popullatë tejet mikpritëse, vëllazërore dhe, mbi të gjitha, me një gatishmëri të lartë kombëtare e humane.

Jam i bindur thellësisht se Xhamia e Krumës, edhe përmes këtij libri, për shkak të kontributit të saj dhënë luftës së Kosovës, do të mbetet përjetësisht në kujtesën jo vetëm të atyre që u strehuan aty gjatë luftës. Në kujtesën e të gjitha atyre nënave, grave, fëmijëve e pleqve, të cilët i kaluan ditët më të rënda dhe më të vështira të jetës së tyre, të lara me lot e dhembje, duke bashkëjetuar njëkohësisht me ëndrrën e shpresës për të gjetur dhe për t’u takuar me më të dashurit e tyretë mbetur, qoftë në fushëbeteja lufte në Kosovë ose në gijotinën e masakrave të tmerrshme të Mejës, Izbizcës, Godenit, Kralanit e të qindra masakrave të tjera të shkaktuara nga makineria serbe e krimit.

Xhamia e Krumës, po ashtu, do të mbetet edhe në kujtesën e të gjithë atyre ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët shëruan plagët në spitalin e vendosur brenda saj. Ajo, para së gjithash, do të mbetet një shembull se si duhet të kontribuohet për kombin dhe atdheun në ditë të vështira. Pa dyshim, historia më e re e Kosovës do ta shënojë me shkronja të arta kontributin e kësaj xhamie dhe të imamit të saj, Refik Muratit. Libri i Nexhat Çoçës “Adresa e mbijetesës…”, shikuar nga prizmi edhe i dëshmitarit dhe protagonistit okular, siç ishte vet Çoçaj, ndonëse i dedikohet kontributit të Xhamisë së Krumës, ky libër i dedikohet edhe popullit hasjan të pjesës së Shqipërisë. Prandaj, si i tillë, ky do të  mbetet një kontribut i rëndësishëm i autorit në ndriçimin e të vërtetës së dokumentuar historike, por edhe një dëshmi e fuqishme e bashkimit kombëtar në një kohë të vështirë historike, si dhe një dëshmi e rëndësishme e menaxhimit të situatave në kohë krizash e katastrofash kombëtare

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *