Kujtesë historike-Si i njoha Shaban, Hamëz e Adem Jasharin?Shkruan;Prof.Dr.Agim Zogaj
Në Kullën e Jasharve legjendarë
Dalja e parë publike e UÇK-së, më 28 nëntor 1997 për popullin e Kosovës ishte paralajmërimi më i fuqishëm se çlirimi nga sundimi serb-jugosllav ishte afër. Në fakt, paraqitja e parë publike e UÇK-së i bëri me dije popullit të Kosovës, se nga gjiri i saj kishte lindur dalë zotësja e idealeve çlirimtare të popullit tonë, ushtria shqiptare e cila i kishte dalë përballë armikut serb. Zemrat dhe shpirtrat e gjithëshqiptarëve, jo vetëm në Kosovë, pas atij 28 Nëntori të Tretë Shqiptar u përndezën, u lumturuan, sepse stërnipat e Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit, Abdyl Frashërit, Sylejman Vokshit Mit’hat Frashërit, Azem Bejtës, Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Shaban Polluzhës, Adem Demaçit i kishin rrokur armët në duar dhe po luftonin për çlirim, liri dhe për bashkim kombëtar. Ndërkohë, 22 janari i viti 1998, në qendër të vëmendjes së zhvillimeve në Kosovë e solli familjen Jashari nga Prekazi i Drenicës. Në mëngjesin e hershëm të 22 janarit të 1998-ës, forca të mëdha ushtarake, paraushtarake dhe policore të okupatorit serb-jugosllav sulmuan me arsenal të fuqishëm të armatimit familjen trime të Jasharve. Historia e atij sulmi barbar serb dhe njëherazi historia e qëndresës heroike e të pamposhtur të kryefamiljarit të Jasharve, Shaban Murat Jashari me djemtë e tij trima, Hamzën, Ademin dhe familjarët e tjerë, shumë shpejt u bënë lajm qendror politik, kombëtar në Kosovën e asaj kohe. Mbi të gjitha në popull, me shumë dashamirësi u prit dhe u nderua qëndresa heroike dhe guximi i jashtëzakonshëm i Jasharve për tu përballur me armikun serb.
Ajo betejë e madhe e familjes Jashari,e cila i dha frymëzim tërë lëvizjes sonë kombëtare në Kosovë dhe më gjerë anë e mban shqiptarisë, ishte një zgjim i yni kombëtar, dëshmi se, shqiptari është i vendosur që me jetë a vdekje ta mbrojë pragun e shtëpisë dhe lirinë e vet. Ndërkohë, pas 22 janarit 1998 thuajse e tërë Kosova, i madh i vogël u drejtuan kah Drenica jonë heroike për t’i dhënë përkrahje morale trimave të Jasharve. Ishte ai një solidarizim i jashtëzakonshëm i popullit tonë me guximin dhe trimërinë e një prej familjeve e cila, si dikur në kohërat e Skënderbeut, ishte shndërruar në një nga legjendat e popullit tonë heroik.
Më 24 janar 1998 kisha nderin e jashtëzakonshëm që ta vizitoja familjen Jashari në Prekaz, të bashkëbisedoja me trimat e lirisë, duke qëndruar në Kullën e Jasharve për afro tre orë. Në Skënderaj, në orët e hershme të paradites së 24 janarit 1998, mua dhe kolegët nga javorja politike shqiptare “Zëri” na priti Remzi Bunjaku me të cilin u nisëm drejt Kullës së Jasharve. Ishim nisur me mision që ta regjistronim rrëfimin për historinë e familjes Jashari, prandaj, sidomos, duke pasur informacion për luftën e Jasharve kundër forcave serbe, isha shumë kureshtar që t’i takoja drejtpërdrejt.
Me të arritur tek hyrja e Kullës takuam një numër të madh të bashkëkombësve të cilët kishin ardhur nga të gjitha viset e Kosovës dhe prisnin në rend për të hyrë në odën e Jasharve. Meqenëse Remziu, e kishte paralajmëruar vizitën tonë, nuk vonoi shumë dhe dikush nga djelmoshat e rinj, të cilët mbanin rendin na tha se mund të ngjiteshim lartë, shkallëve për të hyrë në odë. Oda ishte e mbushur përplot me vizitorë, luftëtarë, kurse në ballë të odës po qëndronte kryeplaku Shaban Murat Jashari. Të pranishmit shprehnin solidarizim për luftën e Jasharve kundër hordhive serbe. Meqë, mysafirët ndërroheshin nga çasti në çast, në odë mbretëronte një atmosferë sikur në legjendat shqiptare. Ndjehej një atmosferë trimërie, guximi, qëndrese për ta çliruar, Atdheun me çdo kusht. Në ato çaste, jo vetëm nga fjalët e atyre burrave e trimave drenicakë, por edhe nga shikimet, e nganjëherë edhe nga heshtja e tyre, e ndjeja se lufta ishte afër. Gjatë tërë kohës sa ishim në odë, në ballë të së cilës qëndronte flamuri kombëtar, kryeplaku Shaban Murat Jashari rrinte në heshtje dhe rrallë e fliste ndonjë fjalë.
Pas një kohe, dola nga oda sepse dikush më tha se do ta takoja Hamëz Jasharin, të cilin deri në ato çaste nuk e njihja. Zbrita shkallëve, dhe së bashku me disa të rinj po ecja prapa një personi i cili kishte të veshur një pallto ngjyrë hiri. Kaluam në oborr dhe u ngjitëm nëpër disa shkallë të tjera në objektin tjetër të kompleksit të Kullës së Jasharve. Për një çast, dikush më pëshpëriti në vesh se personi i përmendur ishte Hamëz Jashari, nga i cili do ta regjistroja rrëfimin për historinë e familjes Jashari.
Kisha hyrë në dhomën, e cila në fakt ishte dhoma e ndejës për familjarët e Hamzës. Më duhet ta pranoj, edhe sot, se në ato çaste ndjeja një emocion shumë të veçantë. Sidoqoftë po e kuptoja, ndjeja se gjendesha në një familje me histori dhe me traditë të thellë të atdhetarisë, dhe se, për dallim nga Prishtina e atyre kohërave, e zbehur dhe e pashpirt, në odën, në oborrin e Jasharve, po e ndjeja veten shumë më i trimëruar, shumë më afër dhe shumë më i vendosur që të kërkoja t’iu bashkëngjitesha djemve të UÇK-së! Nuk më shkonte mendja, se vetëm disa muaj pas kësaj vizite, unë, në cilësi të korrespondentit të radios gjermane “ Detutsche Welle” do të raportoja për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftën e ushtrisë së popullit tim, kryekomandant legjendar i të cilës ishte, Adem Jashari.
Adem Jashari me shikimin skenderbegian
Posa u ula, Hamëz Jashari e hoqi pallton ngjyrë të gjelbër dhe, para syve të mi u shfaqën emblemat e UÇK-së. Ai e vërejti se po e shikoja disi me habi. Në murin e bardhë, afër dritares, prej nga shihej pikë qëndrimi i forcave serbe, te Fabrika e Municioneve, ishin të vendosur tre automatikë, ndërsa nëpër dhomë, e sidomos prapa derës kishte municion të llojeve të ndryshme, fishekë dhe bomba dore. Në ato çaste, po e kuptoja dhe po e ndjeja se, isha në çerdhen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me ngadalë, me qetësi dhe me një urti shqiptare, Hamëz Jashari, ai trim Drenice, nisi të rrëfente për historinë e familjes Jashari, nga katragjyshi, gjyshëritë dhe deri te kontributi atdhetar i, kryeplakut, Shaban Murat Jashari. Pas rrëfimit gati dy orësh, erdhi koha për tu larguar nga Kulla e Jasharve, pa e parandie se, aty po shkruhej historia e lirisë së vendit tim, deri asaj pranvere, Kosova jonë tokë e robëruar!
Zbritëm shkallëve për në oborr, ndërkohë që i shikoja muret e plasaritura nga granatat dhe nga plumbat e okupatorit serb, gjurmët e luftës së 22 janarit 1998. Në oborrin e Jasharve po shikoja pamje të jashtëzakonshme. Adem Jashari, kryekomandanti i UÇK-së, i veshur me uniformë lufte, të UÇK-së po qëndronte i rrethuar nga një grup pjesëtarësh të UÇK-së, djem të rinj Kosove, asnjëra prej të cilëve nuk i kishte mbushur as të njëzetat. Pamje, për histori!
Adem Jashari i kishte vënë duart prapa shpinës dhe me një shikim të rreptë, skënderbegian e kishte lëshuar vrojtimin e tij në drejtim të fabrikës së municionit prej nga, vetëm dy mëngjese më parë kishin ardhur sulmet e agresorit serb. Ai trim shqiptar, sypatrembur, së bashku me kryeplakun Shabanin, vëllanë Hamzën dhe trima të tjerë, me guximin e heroit dhe me pamjen, që në ato momente më ngjante me Azem Bejtën, sikur i bënte me dije Serbisë se, ai për jetë a vdekje nuk e lëshon kullën e të parëve. Në fakt, në ato çaste, kur vetëm disa metra përballë e kisha Adem Jasharin, e në të majtë të krahut tim ishte, Hamëz Jashari, si kurrë më parë e ndjeja se isha në çerdhen e kryengritësve shqiptarë, nën mbrojtjen e UÇK-së. Për herë të parë, shumë afër dhe thellë në perceptim po e ndjeja erën e luftës! Jasharët trima, të pamposhtur nga armiku serb, po bëheshin gati për luftën vendimtare. Ndjenjë e pa përshkruar më ishte futur në shpirt, aq më parë, sepse, në krahasim me Prishtinën, asaj dite shkurti, në oborrin e Jasharve po e ndjeja veten të sigurt, të trimëruar, si kur më parë.
Hamëz Jashari më tha: Mik, ky është Ademi për të cilin të fola në dhomë, i dënuar nga Serbia me 20 vjet burg në mungesë. Në ato çaste, derisa me Ademin e bëmë nga një përshëndetje nderimi, më bënte përshtypje të thellë qëndrimi dhe pozicioni ushtarak i krye heroit të kohërave moderne shqiptare, i cili,i veshur me uniformën e UÇK-së sikur mezi priste ballafaqimin e radhës me forcat okupatore serbe/jugosllave. Derisa po e përcillja, po e sodisja tërë atë atmosferë në oborrin e Jasharve, me aq shumë ardhje e vajtje të bashkëkombësve tanë nga të gjitha viset e Kosovës, në mendjen time përpiqesha t’i rendisja rrëfimet e Hamzës për historinë e Jasharve. Dhe derisa, në atë mesditë me qiell të trazuar, përpiqesha të hyja thellë në shikimin plumb të Adem Jasharit, në mënyrë të padiskutueshme, përfundimisht e kuptova se, djepi i lirisë dhe i çlirimit të Kosovës nuk ishte në Prishtinë, por në Prekazin e Drenicës, se UÇK-ja, jo vetëm që ishte realitet por ishte vetë shpirti kryengritës, dalzotës i popullit martir të Kosovës. Po e shihja, po e ndjeja, po e prekja, po flisja me UÇK-në, pa e ditur se më shumë se një muaj nga dita e vizitës sime në Kullën e Jasharve do të fillonte beteja vendimtare për lirinë tonë, Epopeja e 5, 6, 7 marsit të 1998, Epopeja e Jasharve legjendar, Epopeja e UÇK-së së përndritur!
Duke u përshëndetur dhe duke u përqafuar me Hamëz Jasharin, sikur të ishim njohur 100 vjet jetë, e pyeta: Sa ka shtrirje UÇK-ja përveç në Drenicë? Hamëza, përherë i urtë dhe guximtar, më shikoi i qetë, e lëshoi një buzëqeshje melankolike, ashtu siç ka ditur ai, me plot siguri e krenari më tha : UÇK-ja është në tërë Kosovën! Por, sikur nuk u mjaftua me këtë dhe vazhdoi të fliste: Thuaju atyre në Prishtinë se nuk ka liri, se nuk ka çlirim të Kosovës pa luftë, se lirinë e sjellë UÇK-ja e dalë nga shpirti i popullit! Derisa, Hamzës, vazhdoja t’ia shtrëngoja duart, ndërkohë, e vrojtoja pamjen legjendare të kryekomandantit të UÇK-së, Adem Jasharit, i cili, sikur donte të thoshte se, liria është në zemrat, në shpirtin, në guximin e secilit shqiptar, Kosovë, je gjaku ynë që nuk falesh! Megjithatë, në atë çast historie, arrita që, Hamzë Jasharit, mjerisht, t’ia bëja pyetjen e fundit: Pra,më thuaj o trim Drenice, a do të ketë luftë në Kosovë? Hamëza, e lëshoi një shikim ka Ademi, më shikoi thellë, e mbështeti dorën mbi kraharorin tim të djathtë dhe në mënyrë të prerë më tha : Do të ketë luftë, do të ketë luftë, sepse, o mik, Kosova nuk çlirohet pa luftë! Në atë çast, një tufë zogjsh shtegtarë, sikur ishin trembur, fluturuan drejt kësaj cope të qiellit të përndezur shqiptar…
Rrugës për në Prishtinë, kisha ndjenjën se, po më përcillte një jehonë e këngëve kreshnike shqiptare: O prite, prite, trim Adem Jasharin me bashkëluftëtarët e UÇK-së !