Miti serb për Kosovën në kontekst të mitologjisë-Shkruan:Prof.Dr. Agim Zogaj

0

Nëse është i saktë konstatimi se historia nuk është dogmë, atëherë në studimet historike moderne, veçmas në procesin e rishkrimit të historisë së popujve të Evropës Juglindore, veçmas të Ballkanit Perëndimore duhet të përqendrohemi në nxitjen e frymës kritike për faktet dhe të dhënat  konkrete. Përmes metodës cilësore, ne, si shkrues të historisë i hapim mundësitë e interpretimit të fakteve historike, pra gjithnjë në frymën e mendimit kritik që është rruga drejt objektivitetit, drejt qasjes kritike dhe racionale në fushën e studimeve. Me këtë, studimi dhe shkrimi i historisë ndihmon në përparimin e mjeteve intelektuale, mendjes së hapur e cila është parakusht për suksesin e secilit studiues. Studiuesi i lartcekur amerikan kishte pasur të drejtë kur kishte thënë se:” Faktet e zbuluara të historisë nuk na mësojnë asgjë pasi ne s’arrijmë të ndajmë të rëndësishmen nga e parëndësishmja”.[1]  Ai madje është edhe më i prerë në konstatimin e tij:” Vetë historia nuk na pajis me këtë kriter, sado që materiali i historisë është vendimtar për të arritur në kuptimin filozofik të njeriut dhe të asaj që ai ka qenë”.[2] Pra, “Të dhënat bëhen fakte shkencore vetëm në kuadrin e një pikëpamje teorike shkencore, do të theksonte…Karl Popper”.[3]  Gjithnjë në temën e shtruar, na imponohet pyetja: cila është fuqia e metodës cilësore në studimet historike për të demistifikuar, veçmas pamundësuar praninë e mitit në histori, mitomanin si një ndër pengesat kryesore në rrugën e kërkimit dhe studimit shkencor të ngjarjeve, zhvillimeve historike? Përkatësisht, përse po e veçojmë këtë aspekt të trajtimit shkencor të kërkimeve në rrafshin historik? A e bëjmë këtë përqasje teorike vetëm për shkak të pranisë së qasjes mitike në nivelet e caktuara të historiografisë moderne, apo, kjo na imponohet detyrimisht në gjetjen dhe aplikimin e qasjeve më të avancuara të metodave të kërkimit shkencor në rrafshin e studimeve historike?

Tradicionalisht, miti nënkupton një histori, një trillim, një fabul, diçka pra që nuk e besojmë. Sipas këtij kuptimi, miti nuk ka mundësi të ketë diçka të përafërt me një të vërtetë historike, edhe pse ata të cilët e sajojnë dhe përhapin mitin edhe përmes shkrimeve mitin e imponojnë si diçka të vërtetë. Kuptimi tjetër teorik për mitin nënkupton se, ai paraqet domosdo pjesë të pashmangshme të ekzistencës kolektive. Prandaj, thuhet se të gjitha komunitetet, të gjitha kombet kanë mite. Realisht, jo vetëm nga aspekti kulturor dhe ai i psikologjisë së kolektivitetit, por edhe politikisht dhe ideologjikisht kombet u besojnë miteve të tyre. Është me shumë interes të trajtohet niveli i qëndrueshmërisë së mitit dhe i  besueshmërisë së tij përbrenda komunitetit të caktuar. Kjo, sepse siç do të shohim në rastin e mitit të rrejshëm serb për Kosovën, miti i jep ekzistencë kolektive dimensionit të përkohshëm. Ai, pra miti, tek anëtarët e një komuniteti rrënjos një të kaluar spekulative e cila edhe pse është shkruar mbi të pa vërtetat dhe mbi spekulimet krijon përfytyrimin se është origjinale, e vërtetë, e besueshme. Ndryshe, si mund të kuptohet verbëria kaq e thellë jo vetëm ideologjike e kombit serb, në radhë të parë e elitave akademike serbe të cilat vazhdojnë të besojnë dhe të udhëhiqen nga miti i rrejshëm serb për Kosovën si “ djep i serbizimit”! Por, “ Serbët e Kosovës së sotme… kanë prejardhje të ndryshme, disa janë shpërngulur në Kosovë nga Dalmacia, nga Bosnja apo nga Serbia e Veriut”.[4]   Miti i rrejshëm  historik serb për Kosovën ndërlidhet drejtpërdrejt për një ndër çështjet  më të ndërlikuara të po të njëjtit mit, pra për sistemin e ngulitjeve në territorin e Kosovës.  Derisa, historiografia spekulative serbe, e politizuar dhe e ngritur mbi mitologjinë e përforcon këtë detaj të këtij mit edhe me gënjeshtrat dhe mashtrimet tjera, historiografia evropiane, perëndimore është shumë e qartë: “Kosova nuk ka qenë brenda territorit serb të Rashkës, i cili ka qenë më larg në veriperëndim të saj: ekspansioni serb në Kosovë fillon seriozisht vetëm në fund të shekullit XII”[5]   Akademikja nacionaliste serbe, Isidora Sekuliq shkonte edhe më larg në përforcimin spekulativ dhe mitologjik të mitit serb për Kosovën duke konstatuar :”Serbia nuk është shtet, ajo është Kosova; e Kosova është varr, varri në të cilin është varrosur gjithçka, dhe ringjallja mund të dalë vetëm nga varri, sepse nuk ka ringjallje pa vdekje”.[6]  Ky pozicionim i akademikëve serbë, dhe tani vonë edhe i akademikëve maqedonasë në mbrojtje të mitologjisë serbe bëri që, vërtetë miti të jetë në shërbim të agresionit të shtetit serb, sepse:” Glorifkimi i këtij akti ( Fjala është për vrasjen e Sulltanit nga Millosh Kobiliqi – nënvizimi im. A-Z ) nga shkrimtarët e shekullit të XIX pati pasoja të hetueshme dhe ndihmoi për të stimuluar kultin e vrasjes politike në fillim të shekullit XX. Kotësia e aktit të Obiliqit u bë petku i tij magjik”.[7]   Prandaj, Miti i Kosovës e shenjtëron kultin e vetëshkatërrimit, e edhe vetë eksploatuesit e tij cinikë mund të tërhiqen në logjikën  e tij e të mos mund t’i ikin tendencës për të shkuar shkallë –  shkallë kah gremisja e vetë”. [8]

Mitet, siç dëshmohet veçmas nga përmbajtjet mitike të historiografisë serbe/ jugosllave në lidhje me çështjen shqiptare dhe konkretisht Kosovën janë shumë të pëlqyeshme sepse kanë vlerë argëtuese dhe magjia e porosive të tyre të sajuara deri në mashtrim, gënjeshtër dhe iluzione e tërheqin publikun. Madje, një prej qëllimeve thelbësore të sajuesve të miteve edhe në rrafshin e historisë është pikërisht ta impresionojë deri në eufori publikun, por njëherazi edhe ta bind. Të folurit, dhe veçmas të shkruarit ishte vënë në funksion të fuqizimit të forcës impresionuese dhe bindëse, dhe e fokusuar në mit si “gjë e mrekullive”. Përkundrazi, qëllimi i shkencës, pra edhe në rrafshin e studimeve historike ishte dhe është që, të themelojë dhe të ngrit të vërtetën duke u bazuar në radhë të parë në argumente, faktet, në të ashtuquajturën inteligjencën logjike, kritike dhe përherë sa më të pavarur. Ndonëse, Platoni as vet  nuk e mohonte fuqinë e mitologjisë dhe edhe vetë, për t’i shpjeguar teoritë e tij filozofike ( Siç ka bërë me mitin e Prometeut në Protagorën dhe mitin e Erës ) në librin e dhjetë të Republikës i kishte përdorur mitet. Ndoshta, filozofi grek kishte pasur të drejtë kur kishte konstatuar se, ata të cilët kërkonin “të vërtetën e vërtetë” nuk ishin realist. Kjo edhe për arsye se miti është rrëfim i imagjinuar për të kaluarën, se është mendim i gabuar që ka lidhje me botën e iluzioneve, me teknikat e mashtrimit, të krijimit të bindjeve mashtruese, spekulative. Mitet, realisht nuk tregojnë asgjë edukative për rregullat e shoqërisë, për realitetin, prandaj si të tilla ato i takojnë lëmit të iluzioneve. Në fushën e historisë politike, historisë e cila shkruhet edhe duke përdorur mite, siç është pjesa dërrmuese e historiografisë serbe miti është “ një realitet i jetuar”. Ndryshe, si të kuptohet fjala vjen miti serb mbi Betejën e Kosovës ( 1389 ), një betejë serbe e humbur nga turqit dhe e shkruar si fitore. Analizuar nga prizmi metodologjik del se, edhe në rastin e mitit serb për Betejën e Kosovës dhe përgjithësisht për Kosovën, vërtetohet se, funksioni i mitit nuk është që të shpërndajë të “ vërtetën metafizike”. Ndërsa, është krejt e pa rëndësishme nëse njerëzit besojnë apo jo në përmbajtjet iracionale të mitit. Ndoshta, studiuesi Bronislav Malinowski me të drejtë në librin e tij, Myth in Primitive Psychology  vlerësonte se, “Çdo besim krijon mitologjinë e vetë”. [9] 

Miti i rrejshëm serb për Kosovën u ngrit në ideologji, ideologjia në politikë, politika në histori dhe historia serbe sërish u kthye në mitologji e ngritur në nacionalizmin hegjemonist, i cili qe një shekull po shkakton luftëra në rajon.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                            

Propaganda e ideologjizuar serbe, e realizuar e shpërndarë edhe përmes mitit të rrejshëm serb për Kosovën vazhdon të jetë në shërbim të politikës ekspansioniste të shtetit serb.


[1] Jill Lewis, Studimi Akademik / Lexime dhe Strategji, Qendra për Arsim Demokratik, Tiranë, 2007 f. 526

[2]Po aty

[3]Prof. dr. Aleksandër Kocani,  Metodat e Kërkimit Sociologjik, Tiranë, Universiteti UFO,  2007, f. 13

[4]Noel Malcolm, Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë/ Tiranë,  Koha&Shtëpia e Librit, 2001, f.  11

[5]Po aty, f. 26.

[6]“Zëri”, 26. 06 . 2008.

[7]Po aty.

[8]Po aty.

[9]Bronislav Malinowski, Myth in Primitive Psychology, New York, 1926, pp. 11-17.

* Autori është shef i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *