LDK akuzon Qeverinë Kurti për punësime familjare dhe mungesë të vaksinimit gjatë 100 ditëve të qeverisjes
Lidhja Demokratike e Kosovës në një konferencë për media ka thënë se Qeveria Kurti gjatë 100 ditëve të qeverisjes ka ofruar strehë familjarëve dhe aktivistëve të saj në poste publike.Shqipe Mjekiqi tha se Qeveria Kurti procesit të dialogut iu qas pa platformë.“Qeveria iu qas dialogut pa platformë. Dialogu po shkon në formën teknike ku do të zvarris arritjen e një marrëveshje përfundimtare”, tha Mjekiqi. Ajo shtoi se kjo qeveri duhet të dëshmoj që po punon ngushtë me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shumë çështje në interes të vendit. Ndërkaq, Izet Sadiku tha se programi i Qeverisë Kurti për shëndetësinë ishte vetëm 2 faqe. Ai tha se është premtuar vaksinimi masiv nga 15 qershori, por deri tani vetëm 2% të qytetarëve janë vaksinuar.“Ne deri sot kemi vetëm 2% të qytetarëve të vaksinuar, kurse nga fillimi vetëm 9,4% kanë arritur të marrin dozën e parë të vaksinës. Qëllimi i vaksinimit në botë janë afatet e shkurta kohore e jo të gjata. Vendet e rajonit edhe pse i kane vaksinuar për kohë të shkurtër qytetarët kanë pasur probleme”, tha Sadiku, shkruan Telegrafi.
Ai shtoi se po ashtu premtim ka qenë që do të ketë edhe burime njerëzore. “Diku rreth 300 punëtorë shëndetësor janë larguar nga puna. Do të duhej Qeveria me gjet një mënyrë qe me i mbajte ata në sistem, sepse ka mungesë”, u shpreh Sadiku. Sadiku më tej tha se ka mungesë të insulinave. “30 deri 40 mijë qytetarë janë të varur nga insulina që ka më shumë se një muaj që është mungesë. Ky është një lëshim i kësaj qeverie”, tha Sadiku. Deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj tha se qeveria ka filluar tu ofrojë strehë familjarëve, aktivistëve nëpër pozita publike. “LDK konsideron se kjo po bëhet me qëllim të kapjes së ndërmarrjeve, institucioneve e agjencive. Një shqetësim është po ashtu që ministra e deputet e kanë kaluar kohën nëpër gjykata, e brenda 100 ditëve u përfunduan këto lëndë”, tha Manaj, shkruan Telegrafi. Besian Mustafa duke folur për sektorin e ekonomisë tha se kjo qeveri ka bërë punë vetëm për veten e tyre dhe familjarët.“Qeveria ka ndarë vetëm 6 milionë euro për gastronomi. Ndërmarrjet mbijetuan falë Pakos Ekonomike të gjashtëmujorit të dytë të vitit 2020.Punë për vete e familjarët e tyre, por jo për qytetarët e vendit tonë”, tha Musatafa. Ai shtoi se kjo qeveri votat ua mori qytetarëve e bordet ia dhanë ‘dajve’. E ish-ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi u shpreh se në rrafshin e Kulturës, Rinisë e Sportit në ditën e parë ministri merr vendim për t’i anuluar konkurset programore pa asnjë kriter.“Tash jemi në korrik dhe e shihni që jeta kulturore e trashëgimorë është e varfër në vendin tonë. Kemi zero promovim të vendit jashtë Kosovës”, tha Dumoshi.Ajo shtoi se ka edhe zvogëlimi prej 50 për qind të mbështetjes financiare të federatave sportive.“Jemi në vitin olimpik në Tokyo në gara ndërkombëtare dhe ministri merr vendim që të zvogëloj buxhetin. Kjo është skandal i madh, mbi të gjitha kontratat që kanë qenë për investime kapitale në sport janë ndërprerë”, u shpreh Dumoshi.