Çaste poetike,me një poezi të përkryer të poetit :Milazim Krasniqi

0

MONOLOGU I ABDURRAHMAN ABDI ARNAUT PASHËS KUR IA VIZITOVA VARRIN NË BUDË

________________________________________

Duka më ofroi që të na e falte jetën

të gjithë mbrojtësve të kalasë së Budinit,

e të na lejonte të ktheheshim në Stamboll,

duka ishte kokrra e trimit.

Fjalët po m’i thoshtë me zë të ulët,

sikur ai mua po më lutej.

Sytë i ishin turbulluar disi,

shikonte në çallmën time, e përhumbej.

Por unë refuzova.

Duke e shikuar në sy gjithë nderime,

ai më tha :”Përse pasha?”

I thashë se nuk po e bëja për veten time.

Ai tha se ishte flijim i kotë,

tha se do të më harronin me radhë,

jo vetëm sundimtari në Stamboll,

po edhe në Arnautinë time të largët.

”Jo, ata nuk do të më harrojnë!”

Atyre u përkas me gjuhë e gjak!”

Ai këmbënguli se do të më harrojnë,

pasi nuk po bëja një luftë për ta.

Mes zhgënjimit dhe bindjes iu gjegja:

“Po e mbroj Islamin Hyjnor.

Prandaj, dikush prej vëllezërve do të më gjejë

Ndonjë ditë, ndonjë dhjetor.”

Ashtu u ndamë, ndodhi ajo që ndodhi:

kalaja e Budës u shua si një vegim,

ushtarët m’u vranë një nga një,

dhe unë rashë në një dyluftim.

Duka e mbajti premtimin

se do të më ngrinte një varr për nderim,

nëse do të vritesha këtu.

Dhe mbeta tash sa shekuj,

në këtë harrim.

Sot erdhi ky djalë e më gjeti këtu,

Ndonëse rri ndanë varrit si hu ngrirë,

por unë nuk u çudita.

Zoti ma ka ruajtur këtu kujtimin e mirë.

Mua më gjetët, ikni tash

kërkojini të tjerët, si gjilpërat në kashtë.

Të paktën emrat kthejuani, nëse jo eshtrat,

Në Arnautinë e humbur e të lashtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *