Çaste poetike me poeten:-Albina CEKA

SYTHET E PAQES
(gegënisht)
————————
N’kambë t’rrufes e t’flakës s’zezë,
ku dheu pi gjakun si etje e marrë,
kur britma çahet n’gur e n’qiell,
e nata shtrihet si fantazmë varresh,
aty, n’rranxë t’plagës që vajton,
nis me u dridh n’degë sythi i jetës.
O toka e randë, o frymë e çame,
n’ty po lind prap drita e harrume.
Mes qiellit e tokës,
akulli po shkrin,
sythet e shpresës po çelen n’gji,
nji fllad i lehtë buzën ma mpin,
si zog i ngratë n’vesë t’gjethes tuj pi,
zemra, mendja e tanë trupi marrin fuqi.
Çohu, o jetë, prej dheut t’plagosun,
se s’vdes shpresa n’gjak t’përgjakosun.
Kristali i lotit shkrihet mbi tokë,
gjelbërojnë livadhet shkrumue, t’thame,
nji flakë qiri nis me marrë frymë n’konak,
si erë lirie shpërthen tymi n’ogjak,
fillojnë me çel sythet e ngrime pa shkak.
N’plagë t’dheut po rritet pranvera,
prej gjakut çelin gonxhet e reja.
Si prej hinit çohet nji dritë,
si shqiponjë mbi troje t’vrame,
t’mbulueme me petla n’zemër t’tokës,
jeta merr frymë n’plagët e botës,
e shpresa ngjallet mbi toka t’djerra.
S’ka terr që e mbyt farën e jetës,
kur drita çan eshtrat e vdekjes.
Drita shpërndahet si bukë e bekueme,
prek skajet e luftës t’shkatërrueme,
gjelbëron ullini me gjak i mbuluem,
shuhet etja n’vesë t’paqes s’andrrueme,
shtohet sofra me sythet e paqes t’bekueme.
N’sofër t’dheut lidhet betimi,
paqe me gjak mos t’lypë ma njerëzimi.
/QendraPress/