Ka ndërruar jetë Dr Rexhep Boja, ish myftiu i Kosovës

0

      Sot,në Prishtinë,në moshën 75 vjeçare ndërroi jetë ish- myftiu i Kosovës, Dr. Rexhep Boja. Rexhep Boja  u lind më 20 qershor 1946 në fshatin Kërrnicë të Klinës. Studimet universitare i ka kryer në Universitetin Islamik të Medinës, në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Po në Medinë i kreu edhe studimet postdiplomike – magjistroi më 1981 me temën “Shqiptarët (Arnautët) dhe Islami”, ndërsa më 1985 doktoroi me temën “Myslimanët në Jugosllavi”. Pas përfundimit të doktoratës, më 1986 është kthyer në Kosovë, ku filloi punën si imam në Pejë, e në të njëjtën kohë angazhohet edhe si pedagog në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë deri më 1990. Në 1991 zgjidhet kryetar (Myfti) i Bashkësisë Islame të Kosovës, funksion të cilin e ushtroi për tri mandate rresht deri më 2003. Rexhep Boja është ndër themeluesit e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, ku ka ligjëruar lëndët: Fikh dhe Dave. Gjithashtu, ka qenë dekan i këtij fakulteti në periudhën 1992-2011.
Gjatë kohës sa ishte në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës ka marrë pjesë në mbi 150 konferenca, simpoziume e takime të niveleve ndërkombëtare ku ka dhënë një kontribut të çmuar. Ka kryer edhe një varg detyrash të tjera fetare e shtetërore me rëndësi, si bie fjala: Këshilltar i Ministrit të Shëndetësisë të Kosovës; koordinator zyrtar për aktivitetet bamirëse dhe njerëzore në shtetet arabe; anëtar në Këshillin e Lartë Botëror për xhamitë në Ligën e Botës Islame; anëtar në Këshillin Transitor kosovar të formuar nga OKB-ja; anëtar i Rijasetit në Sarajevë në Federatën jugosllave. Rexhep Boja është autor i shumë studimeve në fusha të ndryshme, me të cilat është paraqitur në konferenca e simpoziume dhe i artikujve të shumtë që janë botuar në gazeta e revista vendore e ndërkombëtare në gjuhën shqipe, arabe e angleze.. Rexhep Boja, nga  viti 2012  deri n[ë 2018, ishte ambasador i Republikës së Kosovës në Arabinë Saudite. Me  rastin e vdekjes Kryetari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka dërguar një letër ngushëllimi familjes  Në letër ngushëllimi e tij thuhet se me këtë rast bashkë ndjejmë dhembjen me ju dhe njëkohësisht lusim Zotin e madhërishëm që ish myftiun ta marr në mëshirën e Tij. Kalimi në ahiret i Rexhep Bojës është humbje jo vetëm për ju si familje por edhe për të gjithë ne. Rahmetliu tërë jetën ia kushtoi ngritjes dhe avancimit të jetës fetare te ne sikur që ka dhënë një kontribut të paçmuar për shtetëzimin e Kosovës.
Lusim Allahun Fuqiplotë që dr. Rexhep Bojën ta shpërblejë me të mirat e Tij të pakufishme në xhenet dhe shpirtin e tij ta bashkoj me shpirtrat e Pejgambereve e dëshmorëve, ndërsa familjes, miqve e farefisit t’ falë durim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *