Çaste poetike me poetin;-Gëzim AJGERAJ

TURBULENCË
——————————

E verbër ecën koha mbi kohë,

qielli errësohet pa pyetur asnjeri.

Drita ikën prapa hijes së territ,

por etja për shkëlqim mbetet e marrë.

A kërkojmë atë që na mungon,

apo thjesht na josh shkëlqimi i rremë?

Mbi kokat tona fryn vegullia e mashtrimit,

dhe turbulencat e epokës

mbjellin terr mbi çdo horizont.



II.

E bukura mori ftohtësinë e shëmtisë,

se verbërisë i ka hyrë në palcë egoja e etjes.

Kot shpërndarësit e dritës u fryjnë mullinjve të erës!

Askush nuk i sheh më ndjekësit e rrezeve.

Ata ndezin kandilat në arenën e mendimit,

e djegin veten që të ndriçojnë rrugën e të tjerëve,

por turma kalon pa e kthyer kokën.



III.

Kush e sheh këtë verbëri të turbullt?

A mos ka rënë mbi ne ndonjë mallkim i lashtë?

Jo, nuk ka mallkim,

kur fle i urti, drita e së ardhmes vdes vetë.

Dhe vaj halli për dritën,

në një epokë që zgjodhi amullinë!
/QendraPress/