Çaste poetike me poeten; Arjola KONDAKÇIU
PRITJE
———————-
Të prita atë ditë aq shumë
sa dhe loti s’e ndali udhëtimin.
Por unë prapë të prita,
edhe pse zemra m’u ça si shegë
nga dhimbja.
Të prita e të prita pafund deri në darkë,
aq sa pritja u shkëput si gjethe e tharë…
ANKTHËZIM PRITJEJE
———————————
Mos m’a moho një buzëqeshje të kaltër
fshehur në dobësinë tënde prej mashkulli;
në uljen e drojtur të syve përmalluar,
ku një pjesë e hedh tej buzëve që digjen nga mbyllja
e tjetrën çon sërish të zbardhur
në shpirtin e veshur me muret e seriozitetit.
Ty, të buzëqesh zemra: e ndiej
Të qeshin edhe sytë: e shoh
Por jo buza dridhshëm…E kuptoj!
Po edhe unë jam lodhur duke qëndruar vigjilente
për të rrëmbyer “vjedhurazi”
mozaikë buzëqeshjeje nga cepi i buzës tënde.
Ah! E dua një buzëqeshje të artë!
Një nga ato me gjithë shpirt.
Ji bujar! Dhuroma,
që të më ngrohet zemra e rrudhur nga pritja.
E di? Edhe ti bëhesh më i ëmbël kur qesh…
Ndaj, më shih në sy, e mos m’a kurse’
një Buzëqeshje të VËRTETË ! ARJOLA KONDAKÇIU