Opinion -PDK DHE BEKIM JASHARI- /Nga;Bedri Halimi, analistë
Familja Jashari është familje emblematike për tërë Kosovën dhe jo vetëm për të, por për tërë trojet shqiptare në mbarë hapësirën gjeografike shqiptare.
Mirëpo për çudi, në zgjedhjet e kaluara lokale të vitit 2017, një antar i kësaj familjeje, (djali i heroit Hamëz Jashari), doli si kandidat i pavarur për kryetar komune. Të gjithë u çuditën. Kështu që as PDK, dhe asnjë parti tjetër nuk qiti kandidat për kryetar të komunës, përkatësisht kundërkandidat ndaj Bekim Jasharit. Edhe në këto zgjedhje (2021), Bekim Jashari, po si i pavarur, deshiroi që ta vazhdonte edhe një mandat për të udhëhequr me komunën. Partitë tjera edhe në këtë rast nuk paraqitën kundërkandidat, pos PDK-së. Pra kësaj radhe PDK, vendosi që të garonte kundër Bekim Jasharit, fillimisht me Sami Lushtakun, e pastaj pasi këtij ju pamundësua një gjë e tillë, atëherë konkuruan me Fadil Nurën.
Fitues siç dihet tashmë doli Fadil Nura. Pastaj ndodhi festa, krismat e gëzimit të fitores.
Pa hyrë në detaje të analizës se si dhe pse ndodhi kështu, po e japim mendimin tonë, duke e mbajtur vetën në distancë te të dy anëve. “Te dy anëve” siç e theksova po i bjer keq, por të shprehem të dy palëve të të njëjtës anë.
Gabimi i Bekimit
Cilado qoftë që të ishte arsyeja e daljes në skenë politike të Bekim Jasharit, është gabim. Joarsye. Kjo për faktin se populli i Kosovës e deshiron familjen JASHARI NJË dhe UNIKE, ashtu siç heroizmi i tyre ishte jo vetëm unik, por edhe ndër veprimet UNIKATE në histori, jo vetëm të popullit shqiptar, por edhe në historinë e njerëzimit. Çdo antarë i familjes është pjesë përbërëse e këtij unikaliteti. Prandaj edhe veprimet e secilit antar të kësaj familjeje duhet të jenë në funksion të këtij unikaliteti. Çdo antarë i familjes Jashari, është dhe duhet të jetë pjesë e tërsisë. Kurse, shkëputja e individit nga familja dmth shkëputje nga tërësia, copëzim, pjesëzim. Edhe në këtë rast Bekimi që doli në skenë politike, u pjesëzua pa nevojë, duke ikur nga tërësia. Pra e tërë familja Jashari, nuk i takon asnjë partie politike, por i takon të gjithë njerëzve të Kosovës, kudo qofshin ata, njerëz nëpër parti të ndryshme, apo pa parti. Edhe si i pavarur po të deklarohet njeriu, megjithatë rrethanat ta imponojnë që të bësh zgjidhje, si psh. Caktimi i drejtorëve nëpër drejtori të ndryshme, e pastaj, zgjedhja e drejtorëve nëpër vende të ndryshme si shkolla e institucione tjera, të imponojnë krijimin e pakënaqësive te njerëzit. Psh, edhe sikur të ja qëllon në zgjedhjen e drejtorëve, duke i përzgjedhur njerëzit, (ta zëmë hipotetikisht) edhe sikur të ishin Ajshtajna, prap, pakënaqësi do të krijoheshin te njerëzit, sepse nese janë 10 drejtori, do të zgjedhesh 10 vetë, dhe shumë të tjerë do të kenë qenë pretendentë real apo imagjinar, do të jenë të pakënaqur. Te të gjithë këta brenda unit të tyre, mendojnë se kryetari nuk e bëri zgjidhjen më të mirë, se unë jam me i mirë se filani e kështu me radhë. Po kështu edhe të përzgjedhja për tendera, për pakënaqësi të ndryshme, të përmendet emri, edhe pa pasur fare qasje në to. Rrjedhimisht, pakënaqësitë adresohen ndaj kryetarit të komunës, në këtë rast, Bekimit. Çka ju desh pra Bekimit për tu pjesëzuar nga tërësia? Nese ka pasur parregullësi përpara, këto parregullësi nuk i takojnë ti zgjidh familja Jashari, por janë institucionet përkatëse, sado indolente e jofunksionale që mund të kënë qenë. Familja Jashari të gjitha i kanë zgjidhur moti. Natyrisht nga një punë, madje tepër solide, çdo antar i kësaj familjeje duhet ta gëzoj, dhe për këtë duhet të përkujdeset shteti.
Gabimi i dytë i Bekimit
Duke i pasur parasysh të gjithë këto që u potencuan, rrjedh se Bekimi u desh që të tërhiqej dhe të mos vazhdonte më tej. Edhe pse PDK deklaron se i ka ofruar që të kandidonte nën singlen e PDK-së. Jo vetëm Bekimi, por asnjë antarë i kësaj familjeje nuk duhet të partizohet në asnjë parti, e rrjedhimisht as të kandidoj, jo vetëm nën singlën e cilësdo partie qoftë, por as si i pavaruar, sepse siç u potencua, edhe si i pavarur, nuk je tërësia, e as pjesë e tërësisë, sepse me veprime vendimmarrëse krijon pakënaqësi në popull, e rrjedhimisht edhe zhgënjime te pretendentët për tu punësuar, e të cilët jam i bindur se të gjithë e kanë respektuar dhe e respektojnë me aq fanatizëm këtë familje. Interesat janë gjëra jo vetëm që i shtyjnë njerëzit për të ndryshuar veprimet, por bëjnë edhe që të thyhen parimet. Dhe këtë jo vetëm Bekimi ka qenë dashur ta kishte parasysh.
Gabimi i PDK-së
Nga distanca rreth kësaj teme, ka mendime që thonë se edhe PDK ka bërë gabim që ka qitur kundërkandidat ndaj Bekimit. Pra sipas këtij opinioni ka qenë dashur që PDK të vepronte njëjtë si herën e parë. Kjo do ta madhëronte PDK-së edhe më shumë duke reflektuar pozitivisht në tërë hapsirën politike të Kosovës dhe më gjërë. Por ja që kjo nuk u bë, dhe si duket inati e bëri të vetën nga te dy palët. Dhe PDK fitoi.
Gabimi i dytë i PDK-së
Gabimi i dytë i PDK-së, u bë në mbrëmbjen e zgjedhjeve të 17 tetorit, kur një numër i konsiderueshëm i antarëve të PDK-së kishin dalur për të festuar. Natyrisht po të njëjtin gabim e kishin bërë, po atë ditë edhe simpatizues të Bekim Jasharit që kishin dalë për të festuar. Të parët (të PDK-së) pse kishin dalë për të festuar? Fitoren natyrisht. Kundër kujt? Bekimit të Jasharëve. Dhe jo vetëm kaq! Disa nga ata këtë fitore e festuan edhe me krisma armësh e petardash! Pra, ta festosh fitoren kundër antarit të familjes Jashari është njëjtë si ta festosh fitoren kundër familjes Jashari, dhe atë 23 vjet pas rënjes së tërë antarëve të saj në altarin e lirisë, dhe dikush madje me të shtëna, është më shumë se turp. Është poshtërsi. Athua këta simpatizantë kanë pasur armë atëbotë kur familja Jashari ra në altarin e lirisë dhe ku ishin?
Këtë mestitull të këtij shkrimi e titullova “gabimi i dytë i PDK-së”, jo pa qëllim. Sepse PDK nuk besoj se i ka ftuar për të gjuajtur (e dua të besoj shumë se nuk i ka ftuar as për të festuar), por më herët do të duhej të bëhej thirrja për mosdalje, ashtu siç shumë vonë u bë thirrja për shpërndarje. Kurse gabimi i simpatizantëve të Bekimit që kishin dale, konsiston në atë se, as Bekimi, e më së paku familja Jashari, kanë nevojë për përkrahës të tillë. Dalja e tyre sikur ka nxitur pjesën tjetër, dalja e tyre sikur akuzon pjesën tjetër, se vetëm ne jemi me Jasharët. E Jasharët më së paku kanë nevojë për përkrahje të tillë.
E mira, (me e pa dashje) e këtyre zgjedhjeve në Skenderaj
Kjo çeshtje ka mundur të zgjidhet qysh më 2017, por fatkeqsisht nuk është zgjidhur. Ashtu siç ka mundur të zgjidhet edhe në këto zgjedhje të vitit 2021, por që fatkeqsisht nuk është zgjidhur. Kjo do të behej nese palet, (e jo anët pra), do të bisedonin me kohë, me gjakftoftësi, esull, kështu që Bekimi nuk do ti bënte një dëm vetes duke dashur tu bëj mirë të tjerëve. Prandaj, këtë radhë, veprimin e PDK-së, por edhe të votuesve, nuk e shoh si ndëshkim ndaj Bekimit, dhe aq më pak ndaj familjes Jashari, por e shoh si veprim për ta ruajtur Bekimin, për të ja kthyer Bekimin tërësisë familjare, dhe që kjo familje të vazhdoj të jetë e shënjtë, ashtu siç është dhe siç do të jetë përjetë.
PDK dhe kryetari i ri, Fadil Nura, përpos që duhet ti kryejnë obligimet e dhëna në këtë farë fushate elektorale, ata duhet të jenë shumë të kujdeshëm që asnjë antarë i familjes Jashari të mos ndjehet i lënduar shpirtërisht, e më së paku Bekim Jashari. Bekim Jashari është pjesë e jona, është pjesë e familjes Jashari, dhe familja Jashari është e do të jetë përjetë në zemrat e secilit shqiptar dhe jo vetëm. Jemi të bindur se Fadil Nura bashkë me të gjithë shokët e PDK-së është e do të jetë përkrahësja më e madhe e secilit antarë të familjes Jashari veç e veç, dhe e tërë familjes Jashari si tërësi.