Çaste poetike me poetin;-Sahit F,OSMANI

NJERIU DHE ANTINJERIU I KOHËS SONË

—————————————————–

Dikush flet me grykën e armës,

dikush me lartësinë e dijes.

Dikush mbjell të keqen,

dikush shpërndan farën e mirësisë.

Dikush, trup e shpirt, i djallëzuar,

dikush — dashuri njerëzore e mishëruar.

Dikush të ofron nektar në gotë,

dikush helm, fshehur nën buzëqeshje.

Dikush tokën me plagë e mbulon,

dikush jetën me bukuri e kurorëzon.

Dikush egërsinë e quan forcë,

dikush jetën e shenjtëron.

Dikush mbjell urrejtje e frikë,

dikush ndez shpresën në zemra.

Dikush lë pas hi, terr e dhimbje,

dikush dritë për brezat që vijnë.

Njeriu dhe antinjeriu i kohës sonë —

dy fytyra të botës,

dy rrugë të njerëzimit:

njëra drejt errësirës,

tjetra drejt dritës.

/QendraPress/