Gjyshi i Albulena Haxhiut i ruajti armët në tuba gazi dhe ia dha Hashim Thaçit e Rexhep Selimit
Aferdita DERVISHI
“Do të vijë një kohë, kur do të vemë në dasmë e do të urojmë:Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën! Dhe do të vemë në vdekje dhe do të ngushëllojmë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën… Do të vijë një kohë kur dollia do të fillojë me këto fjalë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën” / Lasgush Poradeci
Përkufizimi
Sado breza të kenë kaluar, sado gjak të jetë derdhur, ne të gjallët e kemi obligim kombëtar e historik të portretizojmë figurat madhore të atdhetarëve shqiptarë, që nuk i rrëzoi as pushka e shkjaut, as komplotet, as dhuna, as politika e ditës. Për atdhetarët, patriotët e vërtetë nuk ka pasur as nuk ka ideal më të madh se liria dhe bashkimi kombëtar. Identiteti moral dhe politik përbëjnë bërthamën e atdhetarit patriot, që sakrifikon gjithçka për kombin e nuk kërkon asgjë si shpërblim. I tillë ishte Heroi Ahmet Haxhiu! Baca Adem Demaçi, në akademinë përkujtimore në 15 vjetorin e vdekjes së Ahmet Haxhiut-Bacës, do të thoshte: Ahmet Haxhiu ka kryer punët më të rënda dhe nuk është kthyer kurrë një herë që të rrahë gjoks, por ka punuar në prapavijë.
Me këtë studim është bërë përpjekje të shtrohen çështje për hulumtim përmes të cilave do të dokumentohet, se shtëpia e Ahmet Haxhiut ishte strehë e armëve të lirisë, kurse Ahmet Haxhiu, një nga figurat emblematike dhe komplekse, në krijimin e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në shtjellimin e temës është përdorur metoda induktive dhe e krahasimit. Më tutje është bërë një krahasim i të dhënave të dorës së dytë me të dhënat e dorës së parë, që janë marrë përmes intervistave të drejtpërdrejta me bashkëveprimtarët e Ahmet Haxhiut dhe me familjarët e tij, përmes të cilave është dokumentuar vepra e dinjitetshme, sakrifica e pashoqe, si dhe lufta e Ahmet Haxhiut dhe e bashkëveprimtarëve patriotë të organizatave ilegale themeluese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hyrje
Ahmet Haxhiu, gjatë veprimtarisë së tij, nuk zgjodhi punët e lehta, por punët më të vështira. Në këtë rrugë që ka bërë ai, me veprimtarinë që ka zhvilluar, me mënyrën e bashkëpunimit me të gjithë ata që ishin të gatshëm të bënin diçka për liri, pa pyetur kurrë se kishte apo nuk kishte mundësi, kishte apo s’kishte kushte, ishin apo nuk ishin rrethanat për veprim. Prandaj, për askënd më mirë nuk gjen shprehje mendimi gjenial i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Kennedy, për raportet e individit me atdheun: Amerikanët e mi: mos pyesni, çka bëri atdheu për ju-pyesni se çka keni bërë sot ju për atdheun (Fjala e Presidentit John Kennedy, në ditën e inaugurimit të tij si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 20 janar 1964).
Lufta guerile dhe veprimtaria e llojit aq të veçantë të Bacës, përbën tharmin e aktivitetit kombëtar që do të mbetet përjetësisht e shkruar në historinë e gjatë të luftës për liri të kombit shqiptar dhe bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet, Shqipërinë. Këta veprimtarë, përbëjnë historinë e lavdishme të patriotëve shqiptarë, që dhanë gjithçka për atdheun, që vepruan në rrethanat më të rënda historike, politike e shoqërore të okupimit sllav. Këta patriotë dhanë çdo gjë dhe nuk morën asgjë, sepse qëllimi i tyre ishte të çlirohen tokat shqiptare, kurse lufta kishte ngelur e vetmja mundësi. Atdhetarët tanë, vepruan në të mirë të kombit, në formacione të ndryshme të lëvizjeve ilegale. Veprimtarët e LPRK-së, e cila në vitin 1989, udhëhiqej nga Fadil Vata, Afrim Zhitia, Ahmet Haxhiu, Arif Seferi, Fahri Fazliu, Bedri Sokoli, Ali Ajeti e Behajdin Allaqi, e kishin synim organizimin politik dhe strukturimin e organizatës, për futjen e armatimit në Kosovë, për krijimin e kushteve për kryerjen e aksioneve të mundshme guerile.
Në kuadër të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), formohet sektori ushtarak, i cili punonte në përgatitjen e popullit për kryengritje të armatosur, si rrugë e fundit për zgjidhjen e çështjes së pjesëve të shqiptarëve të robëruar (Zenuni, Afrim Zhitia ky udhëheqës i madh politik dhe ushtarak i Kosovës, 2005).Më 4 shkurt të vitit 1991, në fshatin Prapashticë, të Malësisë së Gallapit, ishte vendosur që të formohej krahu ushtarak i LPK-së, që me kohën është quajtur UÇK. Lufta e armatosur si mjet dhe formë për çlirimin e Kosovës, doli edhe në Konferencën Konsultative të LPRK-së në fshatin Kollare të Kërçovës. Kurse vendimi historik e politik i përmasave kombëtare, për Luftë të Armatosur Çlirimtare, ku u bëhej thirrje të gjitha forcave të bashkohen në fronin e përbashkët çlirimtar, u mor në Mbledhjen e IV të Përgjithshme të LPRK-së, e cila mori emrin LPK, që u mbajt më 28-29 korrik 1993 (Zëri i Kosovës nr. 14, më 1. 9. 1993, Deklaratë politike e mbledhjes së katërtë të përgjithshme të LPK-së). Kurse me 17 nëntor 1994, LPK, merr vendim që formacionet ushtarake të cilat vepronin në terren, të emërtohen dhe u themelua Ushtria Çlirimtare e Kosovës (Hasani, Kur u formua UÇK-ja, “Zëri i Kosovës”, 8 qershor 2014).
Ibish Neziri (2001), autori i monografisë, “Ahmet Haxhiu-një jetë të tërë në lëvizjen ilegale”, nënvizon se bazat e para për armatosjen e anëtarëve të organizatës, e cila do të jetë bërthama e parë e UÇK-së i kishte vënë Ahmet Haxhiu-Baca, i cili në UÇK, edhe pse i vdekur, e ka pjesën e vet të pamohueshme. Prandaj, jo rastësisht, organizata e kishte caktuar përgjegjës për armatim Ahmet Haxhiun. LPK-ja do të caktonte njerëzit për organizimin ushtarak, dhe kështu themeloi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës – UÇK (Bislimi, Ku u themelua UÇK-ja? Në Kërçovë apo në Prishtinë?, 29 nëntor 2015), si dalëzotëse e popullit shqiptar. Nga viti 1991-1993, sektorin ushtarak të LPRK-së për Kosovë e udhëhiqte Xhavit Haziri, ndërsa jashtë vendit, Xhavit Haliti (Zenuni, Punim diplome i Masterit, fq. 38-40, botuar në albaniapres, 10 tetor 2009).
Nëna Emine, kishte lindur katër djem, por i ka jetuar vetëm Ahmeti, i cili u bë ndër patriotët më të mëdhenj, kurse emri i tij qëndroi gjithmonë me dinjitet para flamurit kuq e zi dhe besës shqiptare kombëtare. Ahmet Haxhiu, nuk priti as nuk bëri sehir për të materializuar dy shtyllat kryesore të LRBSH-së, çlirimin kombëtar dhe bashkimin kombëtar. I njohur si njeriu i veprimit dhe jo i fjalëve, nuk priti asnjëherë që të krijohen rrethana për të vepruar për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare. Ai ishte ideator dhe kreator i mjeteve, me të cilat do të bëheshin aksione e do të bartej armatimi. Ai ishte njeri i aksioneve konkrete, që janë realizuar përmes UÇK-së. Një bashkëpunëtor (Milazim Kadriu, kujtime), tregon për kontaktet e shpeshta të Ahmet Haxhiut me Afrim Zhitinë, Fadil Vatën e Fahri Fazliun. Ai nënvizon se shtëpia e veprimtarit Ahmet Haxhiu, ishte nga bazat më të rëndësishme të LPK-së, në vitet `80-ta dhe `90-ta dhe ka qenë bazë e organizatës ilegale, që e organizonte Baca Adem Demaçi, në vitet `60-ta. Në këtë shtëpi janë mbajtur shumica e mbledhjeve të fshehta të lëvizjes së asaj kohe. Këtu kanë zhvilluar aktivitetin e tyre dhe kanë qëndruar për disa kohë, edhe veprimtarët e njohur tashmë dëshmorë të kombit, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Fadil Vata, e të tjerë. Këta të tre kanë sjellë revista e materiale të lëvizjes ilegale në shtëpinë e Bacës, por edhe janë këshilluar mes vete si të veprojnë. Në vitin 1989, në shtëpinë e Ahmet Haxhiut, ishte vendosur një pjesë e teknikës për shtypje të trakteve, pamfleteve, proklamatave dhe gazetave “Zëri i Kosovës” dhe “Rruga e lirisë”.
Njëri nga bashkëpunëtorët më të mëdhenj dhe më të sakrificës të Ahmet Haxhiut, ishte Xhavit Haziri. Ai ishte njëri nga veprimtarët më të devotshëm të çështjes kombëtare (Pllana, Xhavit Haziri, një hero i merituar, 31 gusht 2011). Për Ahmet Haxhiun dhe Xhavit Hazirin, çka do që mund të shkruhet nga dora e njeriut, janë të pakta në krahasim me veprën e tyre, thotë Ekrem Jashari, një bashkëveprimtarë tjetër (2015). Kurse Sahit Krasniqi, bashkëveprimtar në sektorin e veçantë për armatosjen e radhëve të organizuara nënvizon: “Duhet të thuhet një e vërtetë të cilën duhet ta dijë çdo shqiptarë: të gjithë ata që e filluan luftën çlirimtare të Kosovës, në duart e tyre kanë pasur armët që kaluan nëpër duart, veturat, shtëpia dhe familja e Ahmet Haxhiut”.
Në vitin 1964, kur Ahmet Haxhiu e kishte gjykimin e parë, në gjyq, ka pasur të atillë që kanë thënë t’i lirojnë se do të bëheshin bashkëpunëtorë të pushtuesit. Kur gjykatësi e pyet Ahmet Haxhiun, nëse ishte penduar, ai përgjigjet: As nuk pendohna, as nuk marrohna. Prapë kur të jem i lirë do të vazhdojë me këtë punë (Deklarata e motrës Halime Haxhiu-Begaj). Ai vazhdoi pa u lëkundur veprimtarinë atdhetare. Çdo detyrë që i caktoi organizata, e kreu duke gjetur mënyra nga më të ndryshmet për ta realizuar me sukses. Kështu, në vitin 1988, në prag të Konferencës së ministrave të jashtëm, të vendeve ballkanike, për mospërhapjen e armëve bërthamore në Ballkan, që do të mbahej në Beograd, Ahmet Haxhiu, që atë kohë ndodhej në Zvicër, e merr një peticion të lëshuar nga Këshilli i përgjithshëm i LPK-së dhe e sjell në Kosovë. Por, konsiderohet se nuk është punuar mjaftueshëm mirë as politikisht, as historikisht dhe as teknikisht. Baca, bashkë me Abdyl Mustafën, shkojnë të profesor Masar Stavileci, për ta rregulluar tekstin. Prof. Stavileci e përpunon dhe e finalizon dokumentin, i cili duhet të bartej në Turqi. Ahmet Haxhiu me Adem Mustafën, si babë e djalë, me 21 janar të vitit 1988, nisen në Stamboll dhe nga aty, të shoqëruar nga Njazi Straja dhe Shaban Burica, e dorëzojnë në konsullata dhe ambasada të shteteve ballkanike, në Stamboll dhe Ankara (Përmbledhje e kujtimeve të Nazmi Llapashticës, Hamdi Mustafës, Shemsi Haxhiut, shtator-tetor 2015). Veprimtari i njohur Nazmi Llapashtica, dora e djathtë e Ahmet Haxhiut, rrëfen se si Ahmeti e ka dërguar këtë peticion të shoqëruar me rreth 30 faqe tekst, nëpër selitë e ambasadave të shteteve të huaja. Kërkesa ishte të lexohej peticioni para fillimit të konferencës që të internacionalizohej çështja e shqiptarëve nën Jugosllavinë. Atë kohë Ministër i jashtëm i shtetit shqiptar ishte Reis Malile, i cili mundohet ta lexojë por pa efekt. Mirëpo, Ministri i punëve të jashtme të Hungarisë dhe ai i Rumanisë, nuk pranojnë të fillojë mbledhja, pa u lexuar peticioni. Në mes të Beogradit, lexohet peticioni i LPRK-së, i futur përmes dorës së Ahmet Haxhiut (Nazmi Llapashtica, bashkëveprimtar). Njejtë vepron edhe në vitin 1989, kur në Beograd po mbahej Samiti i Vendeve të Painkuadruara.
Xhavit Haziri, Ahmet Haxhiu dhe Xhavit Haliti, në vitin 1991, ishin takuar edhe me Kryetarin e shtetit shqiptar, Ramiz Alija, dhe kishin marrë mbështetje morale për luftë të armatosur kundër Serbisë. Kurse një herë tjetër, para kësaj, Ahmet Haxhiu ishte takuar vetëm për vetëm me Presidentin e Shqipërisë, Ramiz Alija. Sic dëshmojnë ata që kanë qenë të pranishëm, kur kishte dalë nga takimi, ai ishte i nxirë në fytyrë, por asnjëherë nuk kishte folur për zhgënjimin e tij (Kujtime të familjarëve).
Mjeshtër për ndërtimin e mjeteve dhe pajisjeve për veprimtari ilegale
Ahmet Haxhiu, ishte i jashtëzakonshëm në organizimet e aksioneve ilegale. Ai kishte ide krijuese, mendje të hollë për risitë dhe duar të arta, me të cilat punonte pajisje nga më të ndryshmet për t’i përdorur për aksionet ilegale dhe për punët e tjera që i shërbenin shokëve dhe atij për lëvizjen kundër pushtuesit. Kështu, në vitin 1989, kur i kanë vënë flamujt në shtyllat elektrike, ai vetë i kishte punuar pajisjet.
Gjithashtu e ka organizuar aksionin e vënies së flamujve nëpër shtyllat elektrike, më 1964, nga Prishtina në Besianë, kurse mekanizmin për vënien e flamujve në tela të rrymës e kishte ndërtuar vetë (kujtime të familjarëve). Në një makinë, në garazhin e tij, e ka punuar mekanizmin me të cilin, bashkë me shokët e organizatës, do të bëhej ngritja e flamujve nëpër shtylla. Shtizat për flamuj, ja ka siguruar dhëndri, Idriz Sveqla. Para se të viheshin flamujt, rrëfen motra e madhe e Ahmet Haxhiut, i kemi pasur do valakë, gjoja duke e ly shtëpinë, pra, lynim muret për t’u dukur se i kemi për vete. Kanë ardhë milicia, civilë e me uniforma dhe e kanë kontrolluar shtëpinë e Abejt dhe tonën. I ka marrë nëna ata valakë i ka qitë në gropën e WC-së, e nuk i kanë gjetë. E kapën nënën ta largojnë, ajo ka bërtitur, se gjoja kishte dhembje të brinjëve, kurse materialet i ka pasur në dimija. Nuk kanë gjetë asgjë (Xhevahire Haxhiu-Sveqla, motra e madhe e Ahmetit). Pas vënies së flamujve nëpër shtylla elektrike, më 1964, arratiset dhe ishte strehuar në Radishevc, të Xhemajl Radishevci.
Me vendim të Kryesisë së LPRK-së, në vitin 1991, është krijuar Sektori i Veçantë i LPRK-së. Qëllimi i këtij sektori ishte përgatitja e organizatës dhe e kombit për luftë të armatosur kundër pushtuesve të tokave shqiptare. Por, vendimi historik e politik i përmasave kombëtare, për Luftë të Armatosur Çlirimtare, ishte marrë në Mbledhjen e IV të Përgjithshme e LPK-së (më 28-29 korrik 1993, në Prishtinë). Përgjegjës të këtij sektori ishin emëruar Xhavit Haliti (jashtë vendit) dhe Xhavit Haziri, i cili ishte udhëheqës i LPK dhe UÇK-së në Kosovë(Bislimi, 2015), kurse përgjegjës për armatim, ishte Ahmet Haxhiu, i cili kishte filluar të bartë armë, që në vitin 1988.
Në sektorin e veçantë për armatosjen e radhëve të organizuara, kishte punuar me Shaban Mujën e me Sahit Krasniqin. Në një rast, nga herë të shumta që u kishte ndodhur, rrëfen Sahit Krasniqi: Ishim nisur për të marrë armatimin në Zvicër. Ishte viti 1988. Së bashku me Bacën Ahmet dhe me Shaban Mujën, e mbushëm me armatim «bunkerin» e veturës së tij, të tipit Honda, që e kishte përgatitur për këtë qëllim Baca Ahmet, dhe kemi marrë rrugën e kthimit. Kur arritëm në Sezhanë, pika kufitare nga Italia, për të hy në Jugosllavi, kufitari kërkoi të ndalemi në një vend të doganës. Filluan ta kontrollojnë çdo vend të veturës. Të them të drejtën, sa herë i afroheshin pjesës ku ishte «bunkeri», kisha një shqetësim. Nuk mund ta përshkruaj saktësisht formën e shqetësimit që kisha para 28 viteve, por ajo që mund të them qëndron në faktin se Baca Ahmet, nuk jepte as shenjën më të vogël të shqetësimit. Sapo u larguam nga kufiri, unë dhe Shaban Muja shprehëm entuziazmin, tonë që nuk mundën t’i gjenin armët. Baca Ahmet, na e tërhoqi vërejtjen aty për aty. Sjellja jonë mund të rrezikonte punën, sepse shërbimet e një shteti, përcjellin reagimet edhe një kohë pas kontrollimeve të zakonshme. Sjellja gjatë dhe pas kontrollit policor është shumë e rëndësishme të jetë pa i shprehur emocionet, sepse mund të provokojnë dyshime.
Bartja dhe fshehja e armëve në shtëpi
Pse ishte ndërtuar vendi i strehimit të armëve? E kishte ndërtuar Ahmet Haxhiu, në shtëpinë e tij, sepse ishte njeriu më i përshtatshëm, më i gatshëm, dhe më i besueshmi për të kryer këtë punë, ngase organizata i besonte përkushtimit të tij atdhetar, e njihte idealin dhe gatishmërinë e tij për sakrificë.
Bunkeri nëntokësor është punuar për rreth dy javë pune intensive të Nazmi Llapashticës, në fillim të vitit 1988. Murosjen dhe lyerjen e bunkerit e ka bërë Agim Mustafa, daja i Ahmet Haxhiut. Në të vërtetë në gjithë veprimtarinë atdhetare Ahmet Haxhiun, e kanë ndihmuar e përkrahur me çdo gjë dhe në çdo kohë dajat e tij, sidomos Avdyl Lala. Mekanizmi për hapjen e bunkerit ka qenë shumë kompleks. Vetëm me qysqi dhe me çekan, ka mundur të hapej mekanizmi i bunkerit dhe, vetëm Baca ka ditur ta hapë atë. Armët e para të vëna aty kanë qenë: 2 pushkë-mitraloza, 1 pushkë, 6 automatikë, UZI të Izraelit, plot revole dhe bomba (Dëshmi nga bashkëveprimtari i ngushtë, Nazmi Llapashtica, 2012).
Për të fshehur armët, Ahmet Haxhiu, ka përdorur edhe bombolat e gazit. Ai i kërkonte motrës, Xhevahirës, dhe gruas së tij, Sofijes, ta sitnin hirin që mbetej nga zjarri. Atë hi e përdorte për të fshehur armët në bombola gazi, por këtë veprim, në atë kohë askush nuk e dinte. Për bunkerin kanë ditur vetëm tre persona, kurse për armët dhe bombolat e gazit, ka ditur edhe ndonjë tjetër, rrëfen Nazmi Llapashtica (19.11.2015), njëri nga bashkëveprimtarët e ngushtë të Bacës. Me dhjetëra kontrolle të forcave policore, janë bërë disa herë, kanë kaluar pranë gypave të gazit, kanë ecur mbi bunkerin e mbushur me armë, por kurrë nuk kanë gjetur asnjë gjurmë për armët në shtëpinë e tij, por as të motrës së tij, ku i kishte fshehur në murin e prishur dhe të murosur sërish.
Ahmet Haxhiu, ishte një njeri i qetë dhe gjakftohtë në situata të rënda. Në një rast, duke ardhur nga Zvicra, bashkë me motrën Halimën, duke kaluar doganën Austri-Slloveni, me makinën Honda, që e kishte mbushur plotë armë, dhe plotë thasë me rroba, në doganë i shohin me çudi dhe interesohen pse është mbushur plotë makina. Ahmeti Haxhiu u kishte thënë se i kishte vdekur vëllai i gruas, i cili i ka lënë 9 fëmijë. Doganën e kalojnë pa problem. Gjatë atij udhëtimi, motrës ia kishte dhënë edhe disa kaseta me filma, për ti fshehur. Rrugës, rrëfen e motra, janë takuar me Ali Ahmetin, kanë shkuar të ai dhe filmat i kanë lënë aty, kurse armët i kanë sjellë në Kosovë.
Kontingjenti i fundit i armëve, të cilat u sollën nga Ahmet Haxhiu, të cilat u ruajtën nëpër tuba gazi, në shtatorin e vitit 1998, vetëm pak ditë para se të kidnapohej nga forcat serbe, Xhavit Hazirit, dy djemtë e Ahmet Haxhiut, Shaip dhe Smajl Haxhiu, në shtëpinë e tyre, armët ia dorëzojnë Hashim Thaçit dhe Rexhep Selimit për njësitet e UÇK-së (Neziri, Kontribut për jetën dhe veprën e A. Haxhiut, 27 dhjetor 2013).
Përfundim
Historia shqiptare ka shënuar emrat e shumë trimave. Por, ka njohur kaq pak trima si Ahmet Haxhiu, i cili kurrë nuk është tërhequr nga vija e parë e frontit, kurrë nuk ka marrë punë të lehta, dhe kurrë nuk është ankuar, ngase për të atdheu ishte mbi të gjitha. Gjithashtu ai e kishte një veti që shumë rrallë gjendet tek njerëzit, asnjëherë nuk kishte rrahur gjoks për punët që merrte përsipër t’i kryente, edhe pse ishin më të rëndat dhe ndër më rrezikshmet për atë kohë, kur frika nga pushtuesi kishte hyrë thellë në lëkurën e shqiptarëve. Ideali jetësor i Ahmet Haxhiut, të cilit i qëndroi besnik deri në vdekje, ishin dy çështje themelore-lufta e armatosur dhe kërkesa për bashkim kombëtar.
Veprimtaria atdhetare e Ahmet Haxhiut, gjatë gjithë jetës së tij, e kishte shndërruar shtëpinë e tij në njërën nga bazat më të rëndësishme dhe më funksionale të lëvizjes ilegale çlirimtare, sepse në shtëpinë e tij, hynin dhe dilnin njerëz të përkatësive të ndryshme ideologjike e fetare, politike e historike, kurse Ahmet Haxhiut i interesonte ideali i tyre kombëtar dhe gatishmëria e tyre për veprim-tari kundër pushtuesit. Andaj ai ishte, jo vetëm streha kryesore dhe krahu i djathtë i Adem Demaçit, por kishte fuqi t’i bashkonte edhe ata veprimtarë që nuk pajtoheshin lehtë me mendimet e të tjerëve. Kurse familja e Ahmet Haxhiut, nga Nëna Emine, motrat, gruaja, djemtë e vajzat e deri te nipat e mbesat, pa e ditur, kishin fjetur e ishin gdhirë në shtëpinë – depo e armatimit dhe strehë e armëve të lirisë.