Nëntë zyrtarët doganorë të Prizrenit deklarohen të pafajshëm për korrupsion

0

                        Zyrtarët doganorë të Prizrenit, Besart Malaj, Dritan Hasimja, Ilir Bobi, Hekuran Dana, Dritëro Zeka-Roni, Jeton Berisha, Miljan Videsavlejevic, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlia, janë deklaruar të pafajshëm për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.Të akuzuarit Dritan Hasimja dhe Dritan Kurshumlia janë deklaruar të pafajshëm edhe për veprën penale “Marrje ryshfeti”, raporton “Betimi për Drejtësi”.Të pafajshëm janë deklaruar edhe të akuzuarit Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha se në vazhdimësi kanë kryer veprat penale “Kontrabandimi i mallrave”, “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore” dhe “Tregtia e ndaluar”.Në seancën fillestare të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, pasi që me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Hekuran Dana, avokatit Gazmend Rexhepi, aktakuza u konsiderua e lexuar, të akuzuarit kanë thënë se nuk e ndjejnë veten fajtor për akuzën me të cilën ngarkohen.Pasi që të akuzuarit e kanë mohuar fajësinë, gjykatësja Ajser Skenderi, i ka njoftuar të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se brenda afatit ligjor kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet si dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.Gjykatësja Skenderi, seancën e shqyrtimit të dytë e ka caktuar më 28 janar 2022.Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të ngritur në qershor të këtij viti, të pandehurit Besart Malaj, Dritan Hasimja, Ilir Bobi, Hekuran Dana, Dritëro Zeka-Roni, Jeton Berisha, Miljan Videsavlejevic, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlia, në periudhën kohore 7 mars 2018 – 21 maj 2019, në pikëkalimin kufitar në Vërmicë – Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtarë – si zyrtarë doganorë, 64 herë ua sigurojnë të pandehurve Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha., kalimin e automjeteve të ngarkuara me duhan të grirë-refuz – në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, filtër për cigare “Grande” – 1 milion e 300 mijë copë, filtër për cigare “Gentleman” – 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro’’ dhe ”West’’, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.Me këto, thuhet se i kanë shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerën e taksës së akcizës, taksës së doganës dhe TVSH-së së papaguar rreth 3 milionë euro.Sipas prokurorisë, të akuzuarit me këto veprime në bashkëkryerje dhe vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par 1 lidhur me nenin 31 dhe nenin 81 të Kodit Penal.Ndërsa, të akuzuarit Driton Kurshumlija dhe Driton Hasimja gjatë muajit shkurt-mars 2019, në cilësi të personave zyrtarë, në pikën kufitare në Vërmicë-Prizren, kërkojnë përfitime për vete, për të vepruar në pajtim me detyrat e tyre.Sipas aktakuzës, i akuzuari Kurshumlija më 7 shkurt 2019, kërkon nga i dëmtuari Sefedin Jasiqi shumën prej 100 euro, për kryerjen e zhdoganimit të mallit duke i thënë se zhdoganimi është më lirë nëse i dëmtuari i paguan 100 euro. ashtu, i njëjti thuhet se më 31 mars 2019, kërkon nga i dëmtuari Mentor Rexhepi shumën prej 70 euro për kryerjen e zhdoganimit të mallit, duke i thënë se aq kishte kushtuar zhdoganimi.Ndërsa, i akuzuari Hasimja më 3 shkurt 2019, thuhet se kërkon para nga i dëmtuari Sali Kalludra për kryerjen e zhdoganimit, duke ditur se mallrat që importon KFOR-i, janë të liruara nga dogana.Aktakuza thotë se më 8 shkurt 20219, i pandehuri merr shumën prej 100 euro nga i dëmtuari Selim Morina për të zhdoganuar vetëm një pjesë të mallit.

Me këto veprime, sipas prokurorisë të akuzuarit kanë kryer veprën penale: “Marrje e ryshfetit’’ në vazhdimësi nga neni 421 par 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.Tutje në aktakuzë thuhet se të pandehurit Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha, akuzohen se në periudhën kohore 7 mars 2018 – 21 maj 2019, në pikëkalimin kufitar në Vërmicë – Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje, pa leje përkatëse shmangin kontrollin doganor dhe kalojnë vijën kufitare duke bartur duhan të grirë – refuz në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, filtër për cigare “Grande” – 1 milionë e 300 mijë copë, filtër për cigare “Gentleman” – 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro’’ dhe ”West’’, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.Me ç’rast thuhet se kanë kryer veprat penale “Kontrabandimi i mallrave “, “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore” dhe “Tregtia e ndaluar” duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej rreth tre milionë euro.Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje në vazhdimësi kanë kryer veprat penale; “Kontrabandim me mallra” nga neni 317, par 2, veprën penal “Shmangie nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore”, nga neni 318 ,par 2 si dhe veprën penale “Tregti e ndaluar “, nga neni 305, par 2, lidhur me nenin 31 dhe 81 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *