Kryeministri Kurti: Ka pasur vjedhje në KEK, prandaj jemi buzë kolapsit
“Derisa kërkesa për energji nga qytetarët dhe ekonomia jonë është rritur çdo vit, prodhimi nga KEK-u ka mbetur i njëjtë e ndërkohë ka pasur edhe vjedhje edhe vendime të gabuara që e kanë sjellë sektorin energjetik buzë kolapsit”.Kështu ka deklaruar kryeministri dhe njëherish kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në mbledhjen të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, shkruan Shqip.com.Duke folur për krizën energjetike në të cilën gjendet vendi, Kurti tha se kjo krizë është shkaktuar sa nga faktorë të jashtëm e “jashtë kontrollit tonë, po aq nga mungesa e vizionit për të marrë vendime për të ardhmen nga ata që qeverisën për dy dekada”.Sipas Kurtit, Kosova nuk është në një pozitë ideale që në një të ardhme të afërt të gjenerojë energji nga burimet e ripërtërishme.Na nevojitet një zgjidhje e atillë që mundëson prodhim të energjisë duke mos e kaluar asnjëherë tavanin e ndotjes me dioksid karboni të vendosur nga Bashkimi Evropian dhe duke eliminuar maksimalisht ndotjen në ambient, e rrjedhimisht në shëndetin tonë”, tha kryeministri Përveç problemeve me energji elektrike, Kurti ka përmendur edhe menaxhimin me pandeminë e COVID-19.“Po menaxhojmë me sukses vaksinimin e popullsisë ndaj COVID-19. I kemi tashmë 1,65 milionë doza të administruara, ku 48,6% të popullsisë së përgjithshme janë vaksinuar me të paktën një dozë, ndërkaq 43,2% me dy doza, si dhe kemi filluar dhënien e dozës përforcuese të dozës së tretë. Me këtë rast duhet theksuar që për popullsinë mbi moshën 18 vjeçare tashmë e kemi tejkaluar 2/3 e tyre të vaksinuar me një dozë ndërkaq mbi 60% me të dy dozat”, ka thënë më tej kryetari i VV-së.Theksojmë se mbrëmjen e 26 dhjetorit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka konfirmuar nëntë rastet e para me variantin Omicron. Sipas njoftimit, dy raste janë të importuara nga SHBA-të, dy nga Londra, Mbretëria e Bashkuar, një rast është i importuar nga Franca, ndërsa katër raste të tjera me variantin Omicron të detektuar janë në komunën e Mitrovicës, të cilët kanë mohuar historinë e udhëtimit dhe se kanë pasur kontakte me dikë nga jashtë.Ndërkaq, Kosova është duke u përballur prej ditësh edhe me krizë energjetike. Ditë më parë, Qeveria shpalli 60 ditë gjendje emergjente për furnizim me energji.Për shkak të kësaj krize energjetike qytetarët, nga e mërkura e 22 dhjetorit, përballen me reduktime të rrymës. Për shkak të kësaj gjendje, të hënën e 27 dhjetorit është thirrur një protestë.Përveç kërkesës për të pasur energji elektrike 24/7, gjithashtu kërkohet dorëheqja e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Pjesë e kërkesave është edhe nacionalizimi i KEDS-it./I