“Kur dhanë urdhër me na lëshu, thash ta mbys vetën”, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës rrëfen për herë të parë historinë e saj të trishtë.

0

                                                 “Kur kanë dhanë urdhër me na lëshu, thash ta mbys vetën”. Ky ishte mendimi i parë që i erdhi në kokë V.B., gruas nga Prishtina që u bë e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në ndërtesën e Fakultetit Ekonomik dhe Juridik. Ajo së bashku me disa gra të tjera u ndanë nga kolona e shqiptarëve civil që po dëboheshin nga kryeqyteti në fund të marsit të 1999, e më pas u keqtrajtuan seksualisht për disa orë nga 12 burra serbë të uniformuar.Ajo në kushte të anonimitetit ka pranuar të rrëfejë për Gazetën Online “Reporteri.net” ditën më të rëndë të jetës së saj. Rrëfimin e ka lënë të shkruar me dorë të vetë, si dëshmi e përjetshme për krimin ndaj saj, sikurse edhe ndaj mijëra gra e burrave tjerë, që u bënë të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Si simbol i një drejtësie të munguar.

‘Spastrimi’ i Prishtinës dhe pengmarrja

Në pranverën e vitit 1999, me urdhër të autoriteteve serbe qyteti i Prishtinës ishte boshatisur nga banorët e saj shqiptar. Në fund të marsit, pak ditë pasi kishte filluar bombardimi i NATO-së ndaj caqeve të ushtrisë dhe policisë serbe, banorët e kryeqytetit u grumbulluan nga paramilitarët serbë dhe nën kërcënimin e armëve u detyruan të lëshojnë shtëpitë dhe banesat e tyre. Krahas këtij ‘spastrimi’, një krim tjetër po aq i rëndë, megjithatë pak i diskutuar, kishte ndodhur: dhunimet seksuale ndaj grave prishtinase.Të ndara nga burrat e familjet e tyre, me urdhër të njësive ushtarako-policore serbe këto gra u mblodhën dhe u dërguan në vende të ndryshme. Siç raportohej menjëherë pas luftës, e po ashtu siç u raportua në pjesën e parë të këtij hulumtimi të Gazetës Online Reporteri.net, njëra nga këto vende që u shfrytëzua për dhunimin e grave të Prishtinës ishte edhe objekti i Universitetit të Prishtinës, përkatësisht ndërtesa e Fakultetit Ekonomik dhe Juridik.Njëra nga të mbijetuarat e dhunës seksuale të ushtruar në Fakultetin Juridik gjatë luftës në Kosovë, pas shumë insistimesh, ka pranuar të rrëfejë për Gazetën Online Reporteri.net ditën më të vështirë të jetës së saj.

“Thash ta mbys vetën”

V.B, që edhe sot jeton në Prishtinë, nuk ka pranuar t’i incizohet zëri e as pamja e saj, teksa tregon për historinë e saj të trishtë.Megjithatë, ajo u dakordua që një pjesë të rrëfimit ta shkruaj vetë për publikim, i cili rrëfim është shumë më i gjatë se dy faqe e gjysmë sa ajo i ka shënuar me dorën e saj.V.B. pranoi të ndajë kujtimet e saja, i cili është i pari rrëfim i një të mbijetuareje të dhunës seksuale që u ushtrua gjatë luftës në Kosovë ndaj grave në ndërtesën e Fakultetit Ekonomik dhe Juridik, me shpresën që shteti të hetojë dhe të përkujtojë këtë tragjedi duke ndërtuar një muze në objektin ku ngjau tragjedia e saj dhe disa grave tjera nga Prishtina.“Në pranverë të vitit 1999, ishte ditë e vranët marsi kur forcat paramilitare hynë nëpër shpija e banesa dhe na qitën në kolonë. Atëherë jetojsha në Ulpianë me burrë, vjehrri, kunetë dhe kunatën dhe e kisha vajzën 3 vjeçe”, nis rrëfimi i V.B., i shkruar në letër për Gazetën Online Reporteri.net.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *