Gëzuar ditëlindjen e 14-të Kosovë! –Shkruan; Prof.Lumnije Rakaj

0

                         Populli shqiptar, Kosova jonë e shtrenjtë ka një të kaluar të hidhur por të lavdishme ndër shekuj duke qëndruar gjithmonë e pamposhtur dhe krenare për të mbrojtur atdheun me pushkë e penë, pas një udhëtimi 600 vjeçar sakrificash sa asnjë komb tjetër në histori. Vërtetë të rrënqethet trupi po t’i kujtojmë ato ngjarje lufte, ato ditë tmerri e zie, lot nënash e fëmijësh, vuajtje, skamje e trishtim kudo në Kosovë. Ato vite kaluan, duke na lënë gjurmë të thella në zemrat dhe shpirtrat tanë. Sot e 14-të vjet Kosova gjendet në hartën politike të botës. Synimi historik i popullit të Kosovës u realizua. Ëndërra shekullore e të gjithë shqiptarëve u bë realitet. Ne besojmë se trashëgimtarët tanë do të kenë arsye të ndihen krenarë me paraardhësit e vet, me vizionin e tyre për jetën e re të kombit tonë, me shpirtin e tyre fisnik, me frymën e tyre të paqes, të farkuar në vazhdën e stuhive barbare, të mizorive e të krimeve të luftës që prodhoi e keqja e fundshekullit të XX. Kjo ditë detyron çdo shqiptar të përulet me nderimin më të thellë para lumenjve të sakrificave mbinjerëzore që shqiptarët bënë për liri, flamur, komb, dinjitet dhe pavarësi. Sot e për mot, ne përulemi me nderimin më të thellë para komandantit legjendar Adem Jashari, simbolit më të ndritur të qëndresës dhe sakrificës kombëtare. Pavarësia e Kosovës e bëri kontinentin tonë më të drejtë, sepse i dha fund një prej padrejtësive më të mëdha, të realizuara në fillim të shekullit të kaluar. Andaj duhet kujtuar të gjithëve se për këtë liri që po e gëzojmë sot e fituam me gjakun e bijëve më të fortë dhe më të mirë të popullit, gjaku i të cilëve na bëri dritë. Dëshmorët e kombit janë dëshmia e përjetshme dhe sublime e krenarisë sonë kombëtare. Vdekjen tuaj dëshmorë ua kemi lakmi dhe themi: “ Lum ju çfarë emri, lum ju çfarë vdekje!” Këtë ditë të bekuar, le ta shndërrojmë Festën më të rëndësishme të popullit tonë, duke treguar se jemi bij të denjë të shqiptarëve, kudo derdhëm gjakun për liri. Gëzuar ditëlindjen Kosovë! Ditë e madhe, ditë e shenjtë e kombit tonë, ditë që gjithmonë na ka dhënë dinjitetin, krenarinë e të qenurit shqiptar. E përjetshme qoftë Republika e Kosovës! /qendrapress.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *