Prokuroria nis hetimet lidhur me konkursin për punësime në KEK

                       Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi sot se Departamenti i Krimeve të Rënda – Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka iniciuar hetime lidhur me punësimet në KEK, pas akuzave për punësime në baza familjare e partiake.“Pokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, pas raportimeve të publikuara në disa portale lidhur me pretendimet se janë kryer shkelje të rënda ligjore në procesin e rekrutimit të qindra personave në një konkurs të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), më 04.04.2022, ka iniciuar hetime, ashtu që do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të këtyre pretendimeve, konform dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në komunikatë, transmeton Telegrafi.​Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për nepotizëm, duke thënë që kjo e fundit ka emëruar militantët e vet partiakë dhe ka bërë padrejtësi në konkursin e KEK-ut.Sipas LDK-së, në konkurs aplikuan 4668 persona dhe u pranuan 128 sipas saj, prej këtyre, të gjithë familjarë të KEK-ut dhe militantë të Vetëvendosjes.Kryeministri Albin Kurti, i cili vjen nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, ka mohuar të ketë pasur punësim të militantëve. /Telegrafi/