E shtuna poetike me poeten;Eli Zeneli
KUPA E KALTËR QIELLORE, KËSULË PËR DASHURINË
—————————————————————————-
Ti je bërë shpirti im e pa shpirt nuk jetohet
Ti je oksigjeni që ushqen çdo qelizë të trupit tim
E zemrës m’ia shpejton ritmin.
Dua të jesh pranë meje
Dua ta ndiej frymëmarrjen tënde të thellë
Dua t’i dëgjoj rrahjet e zemrës sate
Të shndërruara në tiktake të orës sime
Kur e mat me saktësi kohën e dashurisë.
Kjo orë më zgjoi herët në mëngjes
Për t’i dëgjuar cicërimat e zogjve në dritare
Për ta shijuar rrezen e parë të diellit
Të ardhur mysafir në dhomën time.
Sot do ta veshi dashurinë tonë
Me rrobat e diellta
E në kokë do t’ia vë për kësulë
Kupën e kaltër qiellore.