Në rikujtim të komandant Drinit legjendar-Prizrenin do ta bëj një nga qytetet më të bukura të botës
-Prizrenin do ta bëj një nga qytetet më të bukura të botës
Korrik 2001 / Qazim Thaçi /”EKSKLUZIVE” (mujore) fq.54-56
Në Kosovë veprojnë shumë shërbime sekrete Flamuri është dashur të valëvitej në Leshak Ai, gjat ndejave të shumta, jo rrallë, na tërhiqte vëmendjen se në Kosovë vepronin intensivisht me dhjetëra shërbime sekrete. “Ato,- thoshte ai, – grumbullojnë informacione për ndryshimet e ardhshme në Kosovë, kurse shërbimi sekret serb mbisundon. Ata janë kudo, sigurisht edhe në Prizren. Por, më të përqendruar janë nëpër enklava. Prandaj, kujdesi duhet shtuar. Sistemi i sigurië publike duhet të ketë rol e detyrë parësore, nëse dëshirojmë një Kosovë të qetë”. Sa i përket Mitrovicës, ai thoshte se atje është dashur të përdorej e njëjta metodë dhe të veprohej si në Prizren. “Eprorët tanë është dashur ta valëvisnin Flamurin në Leshak. Them kështu, – thoshte shpesh ai,- sepse sipas të gjitha dokumenteve që figurojnë në Kombet e Bashkuara, Kosova është një tërësi territoriale dhe asnjë pjesë e saj nuk mund të shkëputet. Eshtë dashur një syçeltësi më e madhe, e cila u ka munguar eprorëve të atjeshëm”, kështu porosiste kur bisedonte miqësisht. Kur i referohej gjendjes aktuale, vazhdimisht thoshte: “Mos u ngutni djema, se çdo primitivizmi do t’i vijë fundi”… Dhe vërtet, gradualisht primitivizmit po i vjen ai fundi i paraparë nga ky vizionar e strateg, por pa pranin e këtij njeriu të madh, Ekrem Rexhës – Komandant Drinit, siç e kishte njohur mbarë Kosova dhe bota gjatë luftës. Jeta Komandant Drini u lind në fshatin Lubizhdë të Prizrenit. Prindërit Rexhaj ishin të dhënë pas « zejes » së uniformave, prandaj në këtë familje u shkolluan pothuaj të gjithë në këtë drejtim. Por, Ekremi ishte më i dalluari nga ata. Shkollën fillore e kreu në Prizren e më pastaj i kreu të gjitha shkollat ushtarake dhe shkallën e tretë të shkencave për politikë ndërkombëtare. Për shkak të konflikteve dhe krizës së njohur, ai në fillim të viteve ’90 u demobilizua nga armata e ish-Jugosllavisë. Që pas krismave të para për liri, Ekremi u angazhua në radhët e UÇK-së së pari si epror në Vërri, e më vonë si komandant i Zonës Operative të Pashtrikut, zonës më të madhe në Kosovë. Gjatë kësaj kohe ishte ndër komandantët më të rrallë të karrierës, që kishte ruajtur gjakftohtësinë dhe stabilitetin e një eprori të matur, të urtë dhe dinamik në ide dhe përpilime planesh luftarake. Në Prizren e quajnë ndryshe çlirues, sepse ai në bashkëpunim me komandantin e parë të Brigadës Shumëkombëshe të Jugut, gjeneralin Fritz Fon Korff, arriti që qyteti buzë Lumbardhit të jetë qytet i lirisë. Fliste shtatë gjihë botërore, e më së miri komunikonte në gjuhën angleze. Pas luftës u emërua drejtor i Drejtorisë për Ambient dhe Siguri pranë bordit administrativ të Prizrenit. Ishte një këshilltar i denjë i ndërkombëtarëve, themeloi Asociacionin e Veteranëve të UÇK-së. Ishte në përfundim të planit për të shkuar për të doktoruar në Universitetin Shtetëror të Kanadasë dhe pikërisht kur u përgatit për këtë rrugë, në orën 8 e 45 minuta të 8 majit 2000, shtatë plumba ia morën jetën e bashkë me të u ndërprenë qindra projekte për zhvillimin e komunës së Prizrenit dhe të avancimit të çështjes kombëtare. La pas djalin me emrin që mbante në luftë Drini, kurse bashkëshortja Hajrije, katër muaj më vonë, lindi edhe djalin tjetër, i cili e përtëriu emrin e babit, Ekrem. Lufta Nga biseda e fundit, natyrisht ekskluzive, që kam bërë me Komandant Drinin, kam mësuar se futja e tij për në zonat e luftës së fill në fshatin Studençan, i cili ishte zonë lufte. “Pa e ditur se si do të përfundoja, u nusa për të dhënë kontributin tim, – më pati thënë ai. – E dija se liria do të vinte. Kënaqësia më e madhe për mua, – vazhdonte rrëfimin komandant Drini, – ishte kur atje takova Bislim Zyrapin, mik e shok dhe njiherit edhe njëri nga strategët e luftës në Bosnjë. Ajo ishte kënaqësia ime e paharruar dhe nga ai u detyrova që të vendosesha në Vërri”. Me të ardhur këtu, ai kishte filluar hapjen e istikameve dhe reformimin e plotë të luftëtarëve të kësaj zone. Barbaria serbe me ofensivën e madhe të Marsit ’98 shpartalloi Shtabin Lokal. Ndërkohë komandant Drini dhe bashkëluftëtarët e tij morën udhën për në Shqipëri. Por pasi u kthye, ai tashmë ishte Komandant i ZOP-it. Gjatë kësaj kohe ai krijoi afërsi të madhe me bashkëluftëtarët dhe natyrisht shumëkush këtë gjest e çmonte lart. Ishte jo vetëm komandant, por edhe shok e mik e, për më të rinjtë, edhe si prind i mirë.Kur në shtatorin e vitit 1999, makineria serbe rrethoi Batalionin e Vërrinit me 150 tanke e me rreth 3000 forca policore paramilitare e ushtarake, ai përmes misionarëve të OSBE-së vuri kushtin se, po qe se vetëm një plumb do të kriste në drejtim të Vërrinit, atëherë Hoça e Madhe, e banuar me popullatë serbe, do të granatohej si nga Brigada 125, ashtu edhe nga ZOP-i. Pas ndërhyrjes së eprorit të OSBE-së, granatimi u ndërpre. Ai që dinte të përdorete mjeshtërisht të gjitha finesat luftarake, më vonë, diti të bënte edhe politikë të mirëfilltë. Politika Gjatë kohës me komandant Drinin, vetëm tri ditë përpara vrasjes, e pata pyetur se pas shkollimit në Kanada, ç’kishte ndër mend të bënte ? Me buzë në gaz, m’u pat përgjegjur: “Ju po e shihni se nuk dua të pozicionohem politikisht në asnjërin krah politik, sepse, – duke u mahitur, më tha, – e dini unë planifikoj të bëhem kryetar komune dhe Prizreni të jetë ndër qytetet më të bukura në botë”. Në fakt, hapat e parë veç i kishte bërë, sepse Prizreni u shpall qyteti më i pastër i vitit. Në këtë kontekst, ai nuk harroi ta shpjegonte edhe faktin se edhe detyrën e drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Ambient e kishte pranuar, vetëm pasi ai kishte paraqitur UNMIK-ut programin e zhvillimit të kësaj komune. Ndërkaq, demobilizimin e kam bërë ndër të parët, pasi sipas marrëveshjes së 21 qershorit, marrëveshjes së Kumanovës, UÇK-ja duhej të shëndrrohej, të demilitarizohej dhe të integrohej për 90 ditë. Kështu pra arsyeja e uniformimit tim u shua. Vullnetarisht jam demobilizuar, por, më vonë, kam bashkëpunuar shumë ngusht me faktorin ndërkombëtar”. Ai mendonte se marrëveshja ndërkombëtare duhet të respektohet. Ishte brengosur më shumë gjatë fazës së nënshkrimit të marrëveshjes, ngaqë atëherë ishte koha kur duhej të luftohej për pozita më të favorshme. “Brengosesha kur ndërkombëtarët shkonin me një krah dokumenta, e shokët e mi shkonin me duar në xhepa”, – thoshte komandant Drini. Çlirimi “Çlirimi i Prizrenit ishte një nga detyrat shumë të ngutshme, sepse tashmë e kisha kuptuar se serbët mendonin që në këtë “qytet shpirtëror” të tyre të bënin masakër. Kishin përpiluar listën e shfarosjes së mbi 300 personave. Kjo na shtyu që, pa pëlqimin e ShP-së, të ndërmerrnim masa ad-hoc. Mirëpo, mendoj se efektiviteti ishte në nivelin e kërkuar. Meqë me marrëveshjen e Kumanovës obligoheshin “UJ”-ja dhe NATO-ja, ne kishim dorë të lirë deri në hyrje të KFOR-it. Mblodhëm forca, angazhuam ushtarët tanë nga Kabashi, Landovica, Vërrini, Petrova (sot Tharanda) dhe lagjja “Tusus”. Së pari hymë nëpër fshatrat ku kishte banorë serbë, i çarmatosëm dhe ata, të frikësuar, ikën në qytet. Kur mbërritëm atje. Ata brenda 24 orëve ikën, sepse po të kishin qëndruar 7 ditë, sipas marrëveshjes së nënshkruar, sot do të kishim gjithë nënkalanë me serbë dhe zor se do të mund të pinim kafe shlirshëm në “Shadravan”. Ata tashmë kishin krijuar përshtypjen se ne kishim me mijëra dhe ikën në panik e sipër. Kështu, Prizreni u bë qyteti i parë i çliruar në Kosovë. Ardhmëria Në ditën e 8 majit të vitit 2000, Prizrenin, që në orët e mëngjesit, e mbuloi një pikëllim i rëndë. Në shtëpinë dykatëshe, rruga “Meriman Braha”, dëgjohej vaji i nënës Qamile dhe bashkëshortes hajrije. Derdhnin lot dhe vajtonin edhe shumë gra tjera, por cfilitja e gruas dhe e nënës ta kujtonin dhimbjen dhe tmerrin që kishte shpërthyer në gjithë hapësirën. Në qytet kudo flitej, kudo thuhej: “Po a vritet njeriu i së ardhmes?!. Kështu e quanin Ekrem Rexhën, atë që me kompjuterin e tij kishte qenë i pranishëm kudo e sidomos afër shumë nevojtarëve. Në varimin e tij morën pjesë 100 mijë njerëz, që kishin ardhur në Prizren nga të gjitha anët e Kosovës, kurse i gjithë qyteti derdhte lot për te. Mallkohej ajo dorë tinzare, mallkoheshin ata që vrasin engjëj e atdhetarë si Drini. Mua m’u caktua detyra të udhëhiqja ceremoninë e varrimit. Miqësia dhe vdekja e këtij njeriu të madh krijon ndjenjën se bota po rrokullisej. Folën eprorë, funksionarë dhe shumë të tjerë. Gjeneral Çeku u nda nga ai me fjalët më të ndjeshme për një epror dhe luftëtar lirie. Kurse, i fundit që u nda nga ai ishte shoku dhe bashkëluftëtari, ish shefi i SHP-së të UÇK-së, Bislim Zyrapi, duke thënë: të betohemi se me ndjenjën dhe me frymën e dëlirësisë sate do të luftojmë për demokratizimin dhe pavarësinë e Kosovës. Amanetin tëndë do ta jetësojmë dhe amaneti Yt është amaneti i këtij dheu, i këtij kombi”. Kurse me rastin e njëvjetorit të rënies, u bë një përkujtim madhështor. E përkujtuan administratori rajonal, gjeneralë, miq e shokë, bashkëluftëtarë.“A thua dheu tret kaq shumë madhështi”? – dëgjova kur pyeti një mik nga Shqipëria, i cili kishte ardhur në përkujtimin e Ekrem Rexhës – Komandant Drinit.