Mehmet Kraja: Akademia e Shkencave nuk u pyet kurrë për dialogun Kosovë-Serbi
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, ka thënë se ASHAK-ut nuk iu kërkua asnjëherë mendim për procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.Sipas Krajës, bashkësia ndërkombëtare, veçmas Brukseli, ka përkrahur Serbinë në dëm të Kosovës, për sa i përket dialogut ndërmjet dy vendeve.“Shumë e qartë, më duhet ta them prerazi se nuk është kërkuar asnjëherë mendimi i akademisë për këtë dialog. Por ka një gjë, ne nuk mund të jemi indiferentë në këtë proces dhe ne kemi marrë dokumentet e miratuara nga dy palët e përfshira në bisedimet e Brukselit dhe i kemi botuar ato. Kemi bërë një analizë të tyre dhe i kemi prezantuar publikisht. Ka qenë i pranishëm edhe ish kryeministri Avdullah Hoti, dhe po, nga Hoti kemi kërkuar që të bëhen grupet e ekspertëve për fusha të caktuara ku do të përfshihej akademia”, u shpreh Kraja për RTK-në.Ai po ashtu tha se qëndrimi i Akademisë është se Kosova, që është palë e dëmtuar gjatë luftës, po del e dëmtuar edhe nga këto bisedime.“Akademia nuk merr qëndrime zyrtare, por shprehet në momente të caktuara. Ne jemi shprehur që dialogu është i domosdoshëm, mirëpo po ashtu jemi shprehur se bashkësia ndërkombëtare me pa të drejtë është rreshtuar gjatë tërë kohës, veçmas Brukseli, në anën e Serbisë. Prandaj, ne nuk mund ta mohojmë dhe anashkalojmë këtë fakt. Kosova ka qenë palë e dëmtuar jo vetëm gjatë luftës, por edhe gjatë dialogut, sepse Serbisë i është lejuar që të mbajë qëndrim rreth rezolutës 1244, që të mos lëshojë pe nën vendimet e asaj rezolute, në një kohë që Kosovës i është kërkuar vazhdimisht të bëjë kompromise. Kompromiset e Kosovës kanë qenë të dhimbshme sepse përveç që është palë e dëmtuar gjatë luftës, ajo po del e dëmtuar edhe nga këto bisedime. Ky është qëndrimi i akademisë!, tha Kraja.