Kërkohet paraburgim ndaj pesë zyrtarëve komunalë në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar të martën, caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prizren, kundër pesë të pandehurve për shkak dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”. Sipas kërkesës së prokurorisë, të pandehurit si persona zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetrin, apo edhe që t’u shkaktojnë dëme personave të tjerë.“Që nga fillimi i muajit dhjetor 2021 e deri më 25.07.2022, i pandehuri C.C., ish-koordinator në Zyrën për Komunitet dhe Kthim në Komunën e Prizrenit, e pandehura I.R., menaxhere e Zyrës për Komunitete dhe Kthime në Komunën e Prizrenit, i pandehuri A.I., zyrtar për të drejtat dhe integrimin e komuniteteve në Komunën e Prizrenit, i pandehuri R.D., zyrtar për të drejtat dhe integrimin e komuniteteve në Komunën e Prizrenit dhe i pandehuri Sh.A., drejtor i Ndërmarrjes “B-A.” Sh.P.K, me seli në fshatin Zhur -Komuna e Prizrenit, bazuar në tenderin e shpallur nga Autoriteti Kontraktues – Komuna e Prizrenit, ‘Furnizimi me material ndërtimor për rindërtimin e shtëpive të familjeve skamnore dhe rasteve sociale të komuniteteve minoritare në Komunën e Prizrenit’, përfituesve për furnizim me material ndërtimor – të dëmtuarve B.R., A.K., L.U., etj, nuk ua dorëzojnë në tërësi materialin ndërtimor, ashtu siç ka qenë e paraparë në bazë të tenderit, me ç’rast buxhetit të Komunës së Prizrenit i është shkaktuar dëm material në shumë prej 13.283 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.Sipas Prokurorisë, të pandehurit po ashtu, në dokumentin zyrtar kanë shënuar të dhëna të rreme ose nuk i kanë shënuar të dhënat e duhura.