Këshilli i Prindërve del kundër SBAShK-ut: Greva është veprimi më ekstrem sindikal

                              Këshilli i Prindërve të Kosovës ka dalë kundër SBAShK-ut lidhur me grevën në arsim duke thënë se është e papranueshme që më 1 shtator nxënësit të jenë në shtëpi, duke shtuar se kjo është edhe një ditë feste.Ky këshill gjatë ditës ka mbajtur mbledhjen e kryesisë ku kanë ardhur në përfundim që greva është veprimi më ekstrem sindikal që godet vetëm fëmijët dhe prindërit.“Fëmijët gëzojnë të drejtën kushtetuese për edukim dhe arsimim dhe Qeveria obligohet ta mbrojë këtë të drejtë. Greva e tërësishme dhe e pakufizuar në sistemin arsimor është veprimi më ekstrem sindikal që godet drejtpërdrejt vetëm fëmijët e prindërit”, thuhet në reagimin e Këshillit të Prindërve të Kosovës, njofton Klankosova.tv.Ata kanë lutur Ministrinë e Arsimit dhe SBAShK-un që kanë qëndrime të kundërta lidhur me greveën që të lëvizin nga qëndrimet e tyre dhe të dialogojnë.“Edukimi dhe arsimimi i fëmijëve është shumë i rëndësishëm për mos u trajtuar si prioritet i qeverisjes. Lusim të dyja palët që të lëvizin nga qëndrimet aktuale dhe t’i japin mundësi dialogut”.Ministria e Arsimit më herët ka njoftuar se nesër, më 1 shtator, nis viti i ri shkollor për të gjitha institucionet e arsimit duke shtuar se kryetari i SBAShK-ut nuk ka të drejtë të shpallë mbylljen e shkollave.Në ndërkohë, SBAShK-u nuk është tërhequr nga greva. Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, në një konferencë për media gjatë ditës së sotme ka lutur prindërit që të mos i dërgojnë fëmijët në shkolla sepse mësimdhënësit do të jenë në grevë.Edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, ka dalë në konferencë për media pasditen e sotme ku ka përsëritur qëndrimin se të gjithë ata që kanë marrë dhe marrin pjesë në grevë do të pezullohen nga paga.