Isuf Bytyçi: Disa aspekte studimore të librit: ” Të kuptosh natyrën e njeriut” vepër e autorit, Alfred Adler II

PJESA E DYTË

SHKENCA MBI KARAKTERIN

  1. MENDIME TË PËRGJITHSHME

Si bëhemi siç jemi tani? Ndjenja sociale, fryma e komunitetit dhe zhvillimi i karakterit, Si zhvillohet karakteri, Shkolla e vjetër e psikologjisë, Temperamenti dhe sekrecioni i brendshëm dhe Duke nxjerrë përfundime

Përveç tjerash, psikologjia merret edhe me veçoritë e karakterit, si; tiparet agresive, tiparet joagresive, shfaqje të tjera të karakterit, ndjenjat dhe emocione, vërejtje të përgjithshme për edukimin dhe mësimin e fëmijëve.

Shumë autorë nga psikologjia klasike, kanë shkruar se tiparet e karakterit të njeriut trashëgohen! Ndërsa A. Adleri, me vendosmëri e kundërshton këtë ide dhe e trajton hollësisht këtë temë, duke ardhur në përfundim se tiparet e karakterit të personit nuk trashëgohen, por formohen në bazë të rrethanave sociale, bazës materiale dhe edukatës. Botëkuptimi i individit zhvillohet në bazë të rrethanave, ku zhvillohet ai! Ta marrim një individ, i cili jeton në një shoqëri të prapambetur dhe është i shtypur, ai njeri do të ketë karakter dhe temperament tjetër, në krahasim me pasardhësin e tij, i cili mund të rritet dhe të formohet karakteri i tij në një shoqëri të civilizuar, demokratike dhe me kushte të mira shoqërore. I pari mund të jetë më agresiv, hajn, mashtrues e gënjeshtar, i dyti mund të jetë tolerant, i urtë dhe solidar. Por, nuk e përjashton mundësinë, që edhe e kundërta të ndodhë, për shkak të kontaktit që mund të krijojë personi me njerëz të ndryshëm. Po e përsëris se, sipas Adlerit, në radhë të parë luan rol edukata në familje, në radhë të dytë në shkollë dhe në radhë të tretë në shoqëri.

Shumë fëmijë i imitojnë prindërit e tyre, disa tjerë, mësuesin e, ka nga ata që me çdo kusht mundohen të jenë si miqtë e tyre, në shoqëri. Krejt varet nga parapëlqimi, ndikimi dhe zgjedhja e individit, se çfarë do, me kë shoqërohet dhe si do të sillet e të veprojë.

Ndjenja sociale, Fryma e komunitetit dhe Zhvillimi i karakterit

Synimi drejt pushtetit, ndjenja sociale, komunikimi e të tjera, sipas autorit, luajnë rol të rëndësishëm te njeriu. Rol me rëndësi i kushton Adleri  frymës, se në cilin mes rritet individi dhe cilat janë rrethana edukative. Po ashtu, vëmendje i kushton, ndjenjës së inferioritetit, që pasojat janë të papara. Rol të rëndësishëm në karakterin e individit luan të menduarit e individit, sjellja e tij, komunikimi, madje edhe shtrëngimi i dorës e buzëqeshja. Po ashtu, psikologu merret edhe me temperamentin e njeriut, që luan rol të rëndësishëm në shoqëri dhe në suksesin e tij. Të gjithë këta faktorë luajnë rol të rëndësishëm në formimin e një karakteri, të përparuar apo të ngecur. Shumë njerëz apo familje ia bëjnë jetën të zymtë fëmijës, duke i ofruar informata të errëta. Përkundrazi, kur i japim fëmijës dashuri, përqafim e gëzim, ai do të bëhet më i dashur, më i guximshëm dhe më i suksesshëm. Kjo logjikë përcakton: zgjedhjen, sjelljen, vlerësimin dhe studimin e tyre. Të gjitha tiparet e karakterit janë veçori, të cilat luajnë rol të madh në përfshirjen dhe ndërtimin e një karakteri individual.

Shumë teori e shkolla janë marrë me formimin dhe zhvillimin e karakterit të individit, disa prej të cilave kanë shkuar duke u përsosur e disa kanë rënë si të vjetruara! Po ashtu, Adleri e trajton problemin e temperamentit të njeriut, që ka ndikim te harmonia shëndetësore e tij.

  1. TIPARET AGRESIVE TË KARAKTERIT

Ndër tiparet, të cilat i shqyrton Adleri, janë edhe këto;

 Mendjemadhësia dhe ambicia, Loja me perëndinë, Xhelozia, Zilia, Lakmia dhe Urrejtja

Të gjitha këto tipare, të cilat i studion hap pas hapi, autori vjen në përfundim që vijnë si pasojë e edukatës së dobët të individit, por edhe problemeve shëndetësore të tij.

Te mendjemadhi „ … humbet kuptimi i marrëdhënieve të ndërsjella në mes të njerëzve dhe qëndrimi i tij ndaj realitetit shtrembërohet“ fq. 173

Pra, mendjemadhësia është hap i parë, synim për vetafirmim!

„Shpesh i shohim ata të zhytur në dyshime, të ngatërruar në arsyetime të rëndësishme, të cilat me logjikën e tyre false, u krijojnë atyre ndjesinë se kanë të drejtë. Mirëpo duke u marrë me të tilla arsyetime, ata lënë t’u ikin mundësitë e veta. Humbasin kontaktin me jetën dhe shoqërinë dhe u mënjanohen punëve të përgjithshme të detyrueshme.“  Fq. 176

Mendjemadhi, duke e pranuar vlerën e individit tjetër e ndien si fyerje, gjë që të gjitha këto janë pasojë e ndjenjës së inferioritetit dhe fajtore është familja, për shkak të mosedukatës së mirëfilltë apo edukatës së keqe, te fëmija. Këta tipa, duke menduar se të gjithë njerëzit janë të padobishëm shkojnë drejt vetizolimit, që si pasojë, i ndërpresin të gjitha mundësitë që të shkojnë drejt gëzimit dhe lumturisë. Si përfundim, Adleri shpjegon se në mungesë harmonie shëndetësore e shpirtërore, të gjitha këto të meta i ka njeriu dhe, natyrisht, se s’ka suksese, por shkon drejt dështimit.

Për të ikë nga kjo situatë, individi duhet të mendojë pozitivisht, të jetë i hapur dhe i dashur për njerëzit dhe të bashkëpunojë me ta. Të mendojë si të sillet, si të flasë dhe të buzëqeshë para njerëzve. Këto janë të gjitha mundësitë dhe vetitë, me anë të cilave mund të afrohemi, afirmohemi dhe të jemi të pranuar e të dëshiruar në rrethin shoqëror, sepse ne jemi qenie shoqërorë, që nuk mund të jetojmë të vetmuar.

Po ashtu edhe loja me Perëndinë, është po aq e rrezikshme për individin: „…për atë se njeriu është krijuar sipas modelit dhe ngjashmërisë me perëndinë. Është e lehtë ta marrësh me mend se çfarë ndikimi të thellë dhe të rrezikshëm mund të ketë në shpirtin e fëmijës një përfytyrim i tillë.“ 197

Edhe këto veçori të karakterit të njeriut, Adleri i trajton në këtë libër si; xhelozia, zilia, lakmia e urrejtja! Të gjitha këto paraqiten për shkak të edukatës së mangët dhe, si pasojë vjen deri te dëmtimi shpirtëror e psikik i tij! Për shkak të këtyre veçorive të dobëta të karakterit, mund të shkojë individi drejt kriminalitetit dhe të përfundojë me pasoja të rënda, mendon Adleri.

  1. TIPARET JOAGRESIVE TË KARAKTERIT

Mbyllja në vetvete, Shqetësimi, Druajtja, Sindromi i manovrës së anashkalimit dhe Sjellja e paedukuar

Edhe këtyre tipareve u jep rëndësi autori, duke ardhur në përfundim se as këta tipa karakteresh nuk mund të quhen joarmiqsorë. Shumë herë, tipa të këtyre karaktereve nuk e shprehin armiqësinë, por në tërheqje e sipër, shihet se nuk duan kontakt me të tjerët, në mënyrë që të mos kenë obligime dhe përgjegjësi, para rrethit shoqëror. Edhe te këto karaktere kuptohet ambicia e mendjemadhësia, por se armiqësia, vetëbesimi dhe besimi janë më të dobëta. Tipave me karakter anashkalues dhe mendjemëdhenj, po ashtu u sjell problem kjo sjellje dhe, me kohë ua largohen miqtë dhe si pasojë ngelin të vetmuar, gjë që u sjell vështirësi në përshtatje dhe bashkëpunim, në jetë.  Kurse sjellja e paedukuar që në start kuptohet se është brutale, si në komunikim, në punë, por edhe i vetmuar kur është individi, i gërryen hundët, i ha thonjtë e tjera lëvizje të neveritshme bën ai! Këta lloje tipash i shmangen dashurisë dhe martesës, me pretekstin se ende nuk e kanë takuar personin ideal etj.

  1. SHFAQJE TË TJERA TË KARAKTERIT

 Gjendja shpirtërore dhe temperamenti, Mënyra e të folurit, Sjellje shkollari, Pedantizmi dhe paragjykimet, Përulja, Etja për pushtet, Tersllëku dhe Të qenit fetar

Me kujdes e trajton Adleri gjendjen shpirtërore dhe  temperamentin e njeriut.  Gjendja shpirtërore dhe temperamenti i tipave ambiciozë të pakontrolluar, vjen si pasojë e moskënaqësisë së tyre shpirtërore dhe agresiviteti, shkruan Adleri. Ata tipa kanë ndjeshmëri të lartë dhe kërkesa të paarsyeshme e të pakufishme. Këta tipa njerëzish bëhen neurotikë, prandaj iu largohet rrethi, që si pasojë kanë vështirësi bashkëpunimi dhe zgjidhje problemesh. Ndërsa, tipat e qetë dhe joegoistë e joambiciozë, janë të gëzuar, të hareshëm, entuziastë dhe më të lumtur, të dashur, hyjnë lehtë në kontakt me të tjerët dhe detyrat e tyre jetësore i zgjidhin me lehtësi. Njerëzit e gëzuar, janë të  dashur për tjerët dhe shumë më lehtë mund t‘i tërheqësh në anën tënde.

Sjellje shkollari, janë tiparet e individit, i cili mezi pret të inkuadrohet dhe të japë përgjigje për një punë apo çështje. Këta tipa kanë strukturë të qartë dhe zakonisht niveli intelektual është në të gjitha sferat i ngritur.

Pedantizmi, paragjykimet dhe përulja janë tipare të ndryshme, ndërsa tipat pedantë janë si tepër të zbraztë dhe paragjykues. Zakonisht, ata nuk janë bashkëpunues. Por, dëshirë e tyre është sundimi mbi të tjerët. As këto tipare nuk janë të trashëguara në karakterin e individit, sipas Adlerit.

Përulja, pra servilizmi, sipas Adlerit, po ashtu është një tipar, të cilin nuk  e trashëgon individi, por e fiton në bazë të rrethanave, në të cilat rritet ai dhe edukatës që merr.

Përulja vjen si pasojë e synimit të individit për një pozitë, apo një përfitim të rastit. Këta tipa njerëzish dinë të lajkatojnë dhe janë të vendosur t’i shkojnë mbrapa viktimës derisa ta arrijnë qëllimin. Mirëpo, këta tipa janë të rrezikshëm, sepse kur ta arrijnë qëllimin, apo një përfitim më të madh, diku tjetër, ta kthejnë shpinën dhe, padyshim, se edhe të keqen ta bëjnë! Këta tipa gënjejnë dhe mashtrojnë vazhdimisht: „Në pjesë më të madhe, ata janë jashtëzakonisht fatkëqinj.“ fq. 236

Etja për pushtet, tersllëku dhe të qenit fetar

Individët, që kanë etje për pushtet, kanë sjellje të kundërta me tipat servilë, shkuan Adleri. Këta tipa shoqërohen me njerëz, duke treguar dashamirësi edhe kur kanë raste armiqësie. Ata janë shumë të kujdesshëm dhe e fshehin atë. Kudo që bëhet një organizim, ata janë të parët dhe përpjekjet e tyre janë që t’ua kalojnë të gjithëve. Tipat e tillë, gjejnë njerëz të dobët dhe servilë dhe i ofrojnë rreth vetes dhe, kudo që kërkohet një organ drejtues, ata janë të parët. Edhe këta tipa njerëzish janë mëkatarë, sipas Adlerit, sepse zakonisht, ata i manipulojnë të vegjlit, duke luajtur me fatin e tyre.

Tersllëku, është po ashtu një tipar, që i sjell dëm individit. Këta tipa njerëzish, asnjë punë nuk e çojnë deri në fund dhe, natyrisht, se janë të pasuksesshëm. Në secilën punë që e marrin për ta kryer, dështojnë dhe, megjithatë, krenohen për tersllëkun e tyre. Te këta tipa dominon mendjemadhësia sepse mendojnë që ata janë qendra e botës. Edhe këta tipa njerëzish, gjatë gjithë jetën i shoqëron një fat i keq. Të gjitha punët që i marrin këta tipa, i marrin me seriozitet të madh, por me pesimizëm! Këta tipare njerëzish, po ashtu s’kanë suksese në punët e tyre: „…ata zymtojnë jo vetëm jetën e tyre, por edhe jetën e tjerëve.“ Fq. 239

Kurse me të qenit fetar, Adleri e shpjegon vazhdimësinë e paaftësisë së njerëzve që të gjejnë mirëkuptim në shoqëri dhe zhyten në religjion. Për çdo gjë që ndodh rreth tyre e, sidomos të këqijat, ata tipa e lënë në dorë të Zotit. Me një fjalë, pa vetëdijen e tyre, por me ndërdije, këta tipa karakteresh, e fajësojnë Zotin për vuajtjet apo të këqijat, që iu ndodhin. Shumë herë, këta tipa njerëzish, harrojnë dhe e luajnë rolin e Zotit, duke predikuar e dhënë urdhra.

„Ata mendojnë vetëm për personin e vet. Prandaj për ta plotësisht është e natyrshme të mendojnë sikur Perëndia është një krijesë që gëzon respekt dhe përulje të jashtëzakonshme, që është i zënë vetëm për t’u shërbyer atyre dhe përgjigjet për çdo veprim të tyre. … Me një fjalë, Perëndia i dashur, thjesht nuk ka se çfarë të bëjë tjetër, por vetëm të merret me hallet e tyre dhe të mos ua ndajë sytë“. Fq. 239

  1. NDJENJAT DHE EMOCIONET

Ndjenjat ndarëse: Zemërimi, Trishtimi, Neveria, Frika dhe Keqpërdorimi i emocioneve

Ndjenjat edhe emocionet vijnë si pasojë e një kërkese të beftë. Ato mund të jenë të kontrolluara edhe të pakontrolluara, të vetëdijshme apo të pavetëdijshme. Ndjenjat nuk ngërthejnë ndjenja të paqarta, ato përcaktohen nga stili i jetës dhe sjelljes së individit. Këtu kemi të bëjmë me kompleksin e inferioritetit, me papërshtatshmëri, me përpjekje energjike etj. Emocione kanë të gjithë njerëzit, dikush më shumë e dikush më pak, dikush më të kontrolluara e dikush më të shfrenuara. Por, kuptohet se të gjithë ata njerëz që i kanë ndjenjat e kontrolluara, kanë rreth miqësor më të gjerë dhe janë më të suksesshëm në realizimin e qëllimeve të tyre.

Të gjitha këto tipare karakteresh, vetëm se i sjellin dëm njeriut. Tipat e tillë karakteresh, gjatë luftës për pushtet shkojnë deri në patologji dhe përfundojnë me një shpërthim zemërimi e urrejtje të paparë. Këta tipa njerëzish janë në konflikt permanent me të tjerët dhe si hakmarrje shkatërrojnë çdo gjë që kanë përpara, brenda mundësisë që kanë. Nga zemërimi, këta tipa fillojnë të pinë alkool dhe  „…. dihet se alkooli i mbyt ose i mbyll faktorët frenues të civilizimit.“ Fq. 244

Kurse trishtimi, është pasojë e pakënaqësive të individit. Kur ta kuptojë apo të mendojë individi se në mundësitë për arritjen e qëllimit, shprehet zemërimi dhe trishtimi, atëherë fillon  të tregojë pakënaqësi edhe me rrethin shoqëror, ku jeton dhe fillojnë ankesat në mënyrë të ekzagjeruar, që të shfaqen kundër mjedisit.

Po ashtu, neveria dhe frika janë gjendje destruktive shpirtërore të individit. Këta tipa njerëzish tregojnë përçmim e neveri kundër pothuajse çdo gjëje. Kurse nga frika, përpiqen të bëhen sa më të vegjël para botës që na rrethon. Pra, natyra e njeriut me këtë tipar, ndjen domosdoshmëri nënshtrimi dhe vjen deri te disfatat e mundshme. Nga frika se nuk mund ta kompensojë inferioritetin, bie në shkallë pesimiste, prandaj, sipas Adlerit, ne duhet të jemi të kujdesshëm, të vrojtojmë, të mendojmë, të analizojmë dhe të veprojmë me dinjitet, duke bashkëpunuar me rrethin shoqëror. Keqpërdorimi i emocioneve na çon në drejtim të gabuar.

Fëmija që mendon se është i anashkaluar, fillon të qajë e të dënesë, dhe me lotët e tij i terrorizon njerëzit rreth vetes. Po ashtu, te këta fëmijë, mund të shprehet hidhërimi në formë të tërbuar, gjë që edhe tjerët familjarë nuk gjejnë qetësi. Këto ndjenja nuk i bashkojnë njerëzit.

Ndjenjat që bashkojnë: Gëzimi, Dhembshuria dhe Nënshtrimi

Këto janë ndjenja të cilat i bashkojnë njerëzit, pengojnë izolimin dhe çojnë drejt bashkimit. Gëzimi, lumturia e suksesi, janë faktorë dhe shkak për unifikim e bashkim të njerëzve! Nëpërmjet gëzimit, njerëzit i kapërcejnë vështirësitë e mëdha.

„E qeshura me energjinë e saj të liruar, me aftësinë e vet për t’u çliruar, shkon dorë për dore me gëzimin dhe është, nëse mund të shprehemi këtu, guri themeltar i kësaj ndjenje. Ai del jashtë kufirit të një individi dhe tërheq simpatinë e të tjerëve.“ Fq. 251

E kundërta e gëzimit të mirëfilltë, është gëzimi kur bëhet në rast fatkeqësie të dikujt tjetër! Poashtu, dhembshuria është ndjenjë bashkimi, e cila përjetohet në raste të rënda familjare e shoqërore! Njerëzit e pjekur zotërojnë ndjenjën shoqërore dhe, shumë herë solidarizohen me njerëz të dëmtuar e të vuajtur dhe i ndihmojnë ata.

Nënshtrimi, po ashtu është ndjenjë bashkimi, që lejon në një masë nënshtrimi e thjeshtësie, gjë që krijohen mundësi bashkëpunimi! Mirëpo, ka raste ku nënshtrimi bëhet shkak për largim nga realiteti dhe masë vetizolimi e personit, e shoqëruar me një masë të ultë depresioni.

  1. VËREJTJE TË PËRGJITHSHME PËR EDUKIMIN DHE MËSIMIN E FËMIJËVE

Alfred Adleri, vjen në përfundim se zhvillimi dhe ndikimi i individit në aspektin psikologjik, bëhen në; shtëpi, shkollë dhe shoqëri.

Institucioni kryesor është familja, që ndikon në ruajtjen dhe edukimin e racës njerëzore, sidomos, në aspektin shëndetësor. Familja është një institucion në të cilin, secili individ mund ta sjellë përvojën jetësore të tij. Fat i keq është se prindërit nuk janë psikologë as pedagogë dhe, shumë herë, nuk arrijnë ta japin kontributin e duhur në edukatën e fëmijës. Përveç kësaj, në familje babai është i privilegjuar dhe, automatikisht, edhe djali e merr edukatën e gabuara në baza gjinore. Kurse nëna është e shtypur shumëherë dhe ka raste ku pranon të jetë në pozitë më të ulët, për shkak të mosfuqisë fizike apo mospasjen e duhur të informatave për jetën dhe punën, për shkak se familja e la atë të pashkolluar dhe të shtypur.

„Në rastin e parë nëna nuk e lot në mënyrën e duhur rolin mëmësor, kurse fëmija i saj nuk arrin të formojë te vetja ndonjë ndjenjë sociale.“ Fq. 256

Nëna mund ta edukojë fëmijën që ta dojë vetëm atë, apo të mos e dojë askënd! Pra, rëndësi të madhe te fëmija luajnë përshtypjet e para të jetës.

Shkolla e bën punën e saj të jashtëzakonshme në edukimin dhe zhvillimin e fëmijës, por, mësuesi nuk e ka kohën e mjaftueshme që të merret me secilin fëmijë në mënyrë individuale dhe ata fëmijë që janë më të ngadaltë apo më pak të koncentrueshëm, për fat të keq mbeten mbrapa dhe nuk arrijnë suksese të mjaftueshme. Këta fëmijë, për ta kompensuar atë mangësinë që e kanë, vijnë deri te sjelljet e tyre jo të mira dhe bien në konflikt me shokët dhe arsimtarët e tyre, gjë që pason rezultati jo i kënaqshëm në mësime dhe në sjellje.

Fëmija, sipas Adlerit, sikur që merr edukatë nga familja e nga shkolla, po ashtu shumë tipare të karakterit të tij i merr edhe nga rrethi shoqëror. Zakonisht, më të rriturit që janë, arrijnë t’i afrojnë më të vegjlit, i mashtrojnë me gjëra të vogla e të lakmueshme, i lavdërojnë ata se gjoja janë të guximshëm, të fortë dhe mund të ndikojnë në sjelljet e tyre të ulëta, në shoqëri.

Ligji i zhvillimit psikologjik nuk është i pandryshueshëm, por orientues që përcakton fatin për edukatën e qenies njerëzore, kurse jeta ka vështirësi, por të bashkuar dhe me kurajë i tejkalojmë ato. Aty ku ka harmoni, ka edhe dashuri! Aty ku ka dashuri, ka shëndet dhe suksese. Jeta është e bukur, mendon e shkruan, Adleri i madh.

Libri i Alfred Adlerit “Të kuptosh natyrën e e njeriut”, është me rëndësi të madhe edukative e psikologjike, të cilin duhet ta lexojë secili që do të jetë prind, secili që do të jetë mësues apo profesor, secili që do të jetë diplomat apo çdo gjë tjetër që do të jetë e të udhëheqë.

Përveç se, mësojmë nga ky libër se si është natyra e njeriut, se cilat janë ndjenjat, sjelljet e njeriut. Secili nga ne që do ta lexojë këtë libër, do të mësojë e do të jetë në gjendje ta njohë më mirë edhe veten e tij. Kur njeriu e njeh veten, më lehtë e ka që t’i njohë edhe të tjerët. Kur ne e njohim natyrën  e njeriut,  më leht do të dijmë të sillemi dhe ta menaxhojmë jetën tonë të bukur.