82-vjeçari serb jep 50 euro ryshfet, arrestohet në Prizren bashkë me një zyrtar
Policia e Kosovës ka arrestuar një serb dhe një zyrtar kosovar të mërkurën pasdite në Qendrën Rajonale të Administratës së Pensioneve në Prizren, nën dyshimin për ryshfet.Sipas njoftimit të Policisë, dyshohet se serbi me iniciale L.N., 82-vjeçar, gjatë paraqitjes së rregullt si pensionist ashtu siç parashihet çdo gjashtë muaj, kishte paraqitur dokumente edhe për bashkëshorten, duke pretenduar se është e sëmurë dhe nuk mund të paraqitej fizikisht. Në njoftim thuhet se i dyshuari për këtë kishte lënë në sportel një zarf me 50 euro dhe është larguar, veprim të cilin e ka vërejtur një qytetar dhe të cilin e ka lajmëruar në polici.“Hetuesit kësaj njësia kanë reaguar menjëherë dhe kanë shkuar në qendrën në fjalë. Aty janë njoftuar se dyshohet se: L.N. 82 vjeçar (Serb/Shtetas i Republikës së Kosovës, me banim të përkohshëm në Republikën e Serbisë) ishte paraqitur për t’u lajmëruar sipas rregullit, që secili person i pensionuar duhet të paraqitet çdo gjashte muaj, mirëpo përveç qe ishte paraqitur për veten e tij kishte paraqitur edhe dokumente për bashkëshorten e tij se ishte e sëmurë dhe se nuk mund të paraqitet fizikisht për shkak të gjendjes së rende shëndetësore, ndërsa punëtori i administratës se pensioneve kishte regjistruar paraqitjen e tij. Dyshohet se i dyshuari pasi që ishte larguar, ishte kthyer përsëri në sportel dhe kishte lënë një pliko (zarf) me 50 euro dhe pa folur fare ishte larguar nga objekti, një qytetar i cili e ka vërejte veprimin kishte lajmëruar policinë”, thuhet në njoftim.