E mërkura poetike me poeten;Donika Stasa DOMI
FILIZAT E MALLIT
Eh moj bijë…
ç’rënkuan themelet
edhe tjegullat e shtëpisë,
kur kalove pragun
dhe mbylle atë portë,
nëpër vena mu mpiks gjaku,
dhe dënesën s’mbyta dot.
Mu përmbys toka nën këmbë,
tashmë asgjë sikur s’ka vlerë;
mbi bulëzime shpirti
zë vërtitet shpresa,
dhe në vatrën e pa zjarr..
vetë marrimi zë mbjell erë.
Ti vrapuar si një rreze,
çarë mjegullat që s’kanë fund,
e mua…
larvë e trishtimit
zë m’cëmbis zemërgjorën,
e këtu në këto troje..
ku gjunjëvrarë mësove hapat,
dalëngadalë do t’më tres malli,
të t’puth flokun,
të t’ndiej dorën.
Në kraharor më fle stuhia,
e deti i syrit
rri ngritur në tallaz,
në dallgë uragani
tinëzisht kthehet dhimbja,
e brigjeve të humbur
qëndron edhe plas.
Se dot nuk i shkula
ah filizat e mallit,
kanë mbirë në mish,
kanë çelur në gjak,
dhe përqafimet humbasin
në mjegullime ekranesh,
e gjurmët pëshpërijnë
në botën atje larg.