E shtuna poetike me poeten ;Landa MOLISHTI

ÇFARË KËRKOJ?!

———————————

Ç’ kërkoj me vargjet e mia, ​
Të lëndohem, të përmallohem, ​
Të trazoj shpirtin, mendjen, ​
Si valët detare nga stuhia.​

Pse më pushtojnë, rrahjet e zemrës prore, ​
Trupi më dridhet, si një e pastrehë, ​
Që bredhë nëpër botë, netëve dimërore​
Folenë vetes, mezi ia ka ngrehë?!​

Ç’ kërkoj tani kujtimet, me vargjet e mia, ​
Kur ndaj njeri-tjetrit, ishim në përqafime,​
Të kujtoj vitet e shkuara, o sa të bekuara,​
Aq shumë, kishim mëshirë dhe mirëkuptime…​

Kishim nder, moral, bujari dhe dashuri, ​
Papritur, më pushton mërzia,
Kur kujtohem, pse ikën kohët e arta, ​
Herë-herë, zë e qajë si fëmijë. ​

Vallë, kush si lubia, na e përpiu lumturinë?!!!
Me sinqeritet, pa interesa , pa lakmi…​
Përse nuk e nderojmë, as e duam pa hile, ​
Njëri-tjetrin si dikur, sikur shkelëm në njerëzi?!​

Diku në degëzën e një peme, duart shtrëngojmë,​
Shoku vjen befas e na tërheq, na ngritë nga të ligat,​
Të mos fundosemi, me lemeri të mos përfundojmë…​
Njerëzit tanë, prapa shpinës na ngulin “thikat”?!…​

Me akuza interesash, pas shpinës janë përveshë,​
E habitshme, e neveritshme qe besa,​
Ca më larg miku i huaj, gojën e mbulon, ​
Me habi, dinakërisht, o me ironi zë e qeshë. ​
Pse kështu, o të nderuar, gjaku nuk bëhet ujë?!​

Deri kur do të mbijetojmë, me turpe dhe krime,​
Kështu, askush s´ na e ka lakminë,​
Bota “vjell vrer” mbi ne, derdhë urrejtjen, mërinë,​
Kështu nuk na deshi kurrë, as Shqipëria ime.​
3 Maj, 2020

/www,qendrapress,com/