Fryma poetike e së martës me poeten;Migena ARLLATI

MOS SHKEL MBI BOTËN

Shkoi dimri
Iku dhe një stinë
Tim biri nuk i bien më këpucët e vjetshme
I duhen një palë të reja.
Këmba e tij e vockël është rritur
Këmba e tij e vockël
që shkel mbi tokën e madhe
Tokën që mban miliarda njerëz
Njerëz dhe fatet e tyre
në këtë rruzull plot e plot fate

Këmba e tim biri
do t’hyjë nesër
në një këpucë më të madhe
Do shkelë mbi tokën
Do ecë mbi botën

Ki kujdes biri im!
Sado të kesh këpucë të madhe
mos shkel mbi fate njerëzish,
ki mendjen të ecësh butë
të hapërosh ndjeshëm
me hapin tënd mbi botën
njerëz të mos shkelësh!
Në botën e madhe
lehtë – lehtë të ecësh
me këmbën tënde
askënd të mos shkelësh!

/www.qendrapress.com/