E mërkura poetike me poeten:-Barie RUÇI

Vargjet e thyera

————————————-

Do ta shkruaj ditën,natën,vitin,shekullin,dhe moshën në varg të thyer,

më duken orët si kanata dritaresh ,

ku shikimet për matanë rrinë ngushtuar e mbërthyer.

Më janë thyer dritat,

duke mbajtur copëza vizitorësh dështakë ndër sy,

do t’i thyej vetë tabutë,

shaka të hidhura si dyer kështjellash të kyçura me dry.

Do ta rrëzoj këtë botë rebele me përralla princeshash,

që mbajnë nën jastëk akoma këpucën e hirushes,

do t’i shemb gënjeshtrat,

përveshur jetës,ku askush nuk mbërrin tek tjetri pa faturën e humbjes.

Do ti thyej në varg,të gjithë lotët e ndjesat,andej nga të gjithë njerëzit kaluan,

do të vijë koha,ku veç të dashuruarit do jetojnë në paqen e munguar.

Sepse do të vijë mendja,kur të kuptojmë sesi veç shembesh harruar ditë pas dite,

zënë myk ëndrrash,duke vdekur në puthje të rrëmujshme toksike.

Edhe yjet lodhen e thyhen nga qiejt,e poetët i presin në pëllëmbë e i ruajnë në libër,

thyhet dhe malli në kraharor e fjalët vijnë ftohtë,por nuk mbeten dimër.

E së fundmi do t’i thyej krejt portretet e pritjes,që nuk janë më buzëqeshje,

do shkruaj tutje vargje të thyera,por nuk thyhem më,duke mërmëritur në heshtje.

/www.qendrapress.com/