Fryma poetike e së enjtes me poeten: Gjelina Maçi KECI
Zemra e nënës nuk gabon
————————————————–
Mund të mahnitesh nga shtatë mrekullitë
Të shikosh majat me dëborën e bardhë,
Po zemrën e nënës që ëndërron gjitha mirësitë
As në vite e shekuj s’ke për ta parë.
Mund të vënë para mjaltë të ëmbël bjeshke
E të thonë se është më i miri në botë,
Po zemra e nënës që të rreh në të tuat deje
Është aq bujare sa nuk ka tjetër mbi këtë tokë.
Çdo fjalë që shkruaj është si kokërr e frytëzuar
Ma bën mallin si përrua, si lumë a si det,
Ekrani i vogël ma shuan pak syrin e malluar
E dora më dridhet butësisht nëpër fletë.
E kur më flet ti fjala bëhet si shqiponjë
Vjen atje ku fle e kokën tek ti mbështet,
Shpirti i nënës si hëna me yjet që ndriçon
Çdo vështrim bëhet dritë që të mbush jetë.
Kur më flet shpirti rëndë më peshon
Ah, largësia që na ndau në vendet e largëta!
S’është njësoj përqafimi që më dërgon
Të kam në sy ku pikojnë lotët e kristalta.
Nuk e di kush ta shtron bukën e kafenë?
Kush të jep urimin te pragu i derës?
Dashuria e nënës është dielli që shkëlqen
Ka bukurinë e gjelbërimit të pranverës!
/www.qendrapress.com/