Skicë- Ata përbuzen ndërkohë që jetojnë në mjerim !-Nga :Begu DAVË

 

Një mal plot dhimbje brenda shpirtrave që veç frymojnë. Janë lodhur së ankuari , ku çdo fjalë e tyre bie në veshët e shurdhët të bishave të kollarisur , të atyre që qëndrojnë butë në kolltuqet e zyrave ku ka vetëm erë hajdutash, aty ku në tryezat e rrumbullakëta zyrtare të llakosura , rrjeshtohen karriget me mbulesa të mëndafshta e të sfungjerta për të mos ndjerë as më të voglin lëndim e të mos u rrudhosen kostumet e shtrenjta që mbajnë veshur. Mbledhje e takime për bashkëbisedime dhe bashkëpunime pa fund me organizatat më të fuqishme botërore, ku sa e sa kontrata firmosen për projektet të cilat miratohen por kurrë nuk u realizuan në emër të komunitetit për të cilin firmosej. Asnjë shërbim e asnjë ndryshim prej kaq shumë e shumë dekadash. Miliardat e investuara shkojnë në xhepat e horrave qeveritarë. Bashkitë hajdute që përfitojnë me maskarallikun e tyre duke mos pyetur për qënien njerëzore që flenë e zgjohen strehëzave të dërmuara ku çdo ditë e natë ngrohja e vetme është veç zjarri bubulak që ndizet me shkarpat e mbledhura aty rrotull. Zëri i tyre nuk dëgjohet, s’ka më ankime, preferojnë të heshtin ashtu rënkimesh edhe pse jeta po bëhet më monotone dhe e vështirë çdo ditë. Po struken në vuajtjen e tyre , se sytë që i shohin mbyllen sa herë që kalojnë andej pari , mbyllen sa herë shfaqen në media-televizive. Ashtu përbuzshëm jetojnë të pamvarur, dikush nën një mbulese të plastmastë që mbahet kallamash, dikush në barake, e dikush në gërmadha të vjetra që kundërmon era e mykut ku dhe dimri i egër bën që ti shembë e ti zërë në të. Gjatë ditëve mundohen të nxjerrin disi bukën e gojës duke gjetur punë të rëndomta, disa dalin rrugëve duke shtrirë duar për lëmoshë. Eehh, nuk duan por s’kanë nga tja mbajnë. Mbijetojnë me dhimbjen pa e njohur lumturinë. Tek i sheh në sytë e tyre që dhe dhimbshëm buzëqeshin duket sikur ju jeton shpresa e varur mbi mure t’zemrës gjithmonë. Agimeve përpiqen të mbushin shpirtin me ditën e re që lind, dhe e nisin atë pa pezmin duke e fshehur trishtimin nën lëkurë. Bota i sheh me përbuzje nga koka e deri tek këmbët, dhe largohen duke shtrëmbëruar fytyrat e tyre kafshërore.! Ah , unë që i shoh me dëshpërim çdo ditë këto skena , fëmijë e gra në rrugë me duar shtrirë duke lypur lëmoshë , të tjerë me thasët në krahë që rëndojnë e kullojnë mbi trupin e tyre lëngjet e sheqerosura të mbetura fundit të kanaqeve të aluminta që i mbledhin në mbeturinat e bareve , karroca që mbushen koshave të qytetit dhe rrugëve me llojë-llojë objektesh të ricikluara. Shoh dikë që troket në një derë institucioni dhe ajo derë i përplaset në fytyrë pa pikën e ndërgjegjes. Ca vogëlushë që qëndrojnë përpara një fast-fudi duke vënë pëllëmbët e duarve në xhamat ku lënë shenjë , e duke numëruar një nga një kafshatat e klientëve që hanë yryshëm duke e shoqëruar me ndonjë lëng frutash ose një gotë uji të freskët. Ca bukuroshe me flokët gërshet e sytë blu ku mbajnë para gjoksit bebet e tyre enden autostradës duke prekur çdo makinë që ndalon në semafor dhe kërkon me mirësjellje ndonjë lek duke i dhënë uratat e bekimet pa fund shoferëve e pasgjerëve që ndodhen në makinat luksoze.! Orët e ditës ecin duke rendur për të fituar dhe ta quajnë si ditë pune. Dalë- ngadalë ofron muzgu i mbrëmbjes. Kështu mbaron rutina e ditës së tyre, dhe në perëndimin e diellit kthehen përsëri rrugës që përshkojnë çdo ditë, ku nisen drejt fjetores së tyre.! E unë me dhëmbët shtrënguar nga nervozizmi dhe heshtja ime marr rrugën drejt shëtitores për t’u ngopur me flladin e mbrëmbjes e ulur në stolin e drunjtë , ku qëndroj gjithmonë për të marrë frymë lirshëm , e për të gjetur pak qetësinë shpirtërore… Qëndroj pak orë derisa çlirohem nga ankthi i cili më mbërhen tek shoh heshtazi përpëlitjet e atyre që jetojnë veç për të frymu,. Qënie njerëzore kaq të butë e që nuk flasin kurr më , duke e ditur që askujt nuk i interesojnë nëse jetojnë apo jo në të njëjtën tokë.! S’më bëhet të lëviz nga vendi ku jam ulur duke bërë monolog me vehten. Përplasem me sytë e natës së heshtur. Mendimet e mia rrotullohen rreth yjeve që buzëqeshur m’shohin nga lart si kureshtarë. Dhe unë ashtu në lutjet e mia t’u prek shpresën për njerëzimin, e shoqëruar me hënën ku i gjithë qielli i natës m’u bë si një mbulesë ku po ngrohja të gjitha dhomat e shpirtit duke shpresuar që ky shtet i korruptuar dhe kjo botë e djallëzuar të ndryshojë, të falë dashuri, të lërë cinizmin mënjanë e të mos diskriminojë e paragjykojë, por t’u japë një dorë të fortë, t’u hapen dyer , të integrohen në shoqëri qeniet njerëzore që rëndomtë i quajnë llumë, rreckamanë e t’pa dobishëm. Eh , sa shumë dua që kjo botë të jetë mbështetëse, të kuptojë drejt e të reagojë për të shpëtuar shpirtin e tyre për në botën e përjetësisë që na pret të gjithve.! Si është e mundur ? Për këtë shtresë më vulnerabël nuk ofrohet asnjë lloj shërbimi institucional . S’ka as shtëpi, as punë e asgjë. Ku është shteti ? Ku janë projektet e Bashkisë në bashkëpunim me shoqatat dhe organizatat e ndryshme ??? Pra nuk mund ti kalojmë më këta reklama e publicitete që shfaqen në media e rrjetet sociale të cilat janë vetëm fasadat e tyre. Sa bukur mbulohen! Sa bukur duan të na hedhin hirin syve. Vetë këta janë faktet që nxjerrin në shesh gjithçka. Kjo dhemb shumë…/www.QendraPress.com/