Fryma poetike me penën poetes;Eva TAFA
E di që do t’më tradhtosh…
E di që do t’më tradhtosh,
Krahët më varen si flatra leljleku mbi paterica,
Këmbët, nuk më sjellin tek ti,
As të prek, …as të shoh, …as të flas,
Nuk mundem,
Bën mirë as mos t’më shohësh.
Mbamë mend… Si atëherë! …
Kur e gjitha isha betejë mbi shpirtin tënd
Kur isha e gjitha shpirt, mbi shpirtin tënd,
Kur mbi buzën tënde derdhesha si llavë vullkani,
Kur duart zgjatja litar, për një përqafim…,
Kur për ta lidhur puthjen tënde,
I bëja edhe flokët nyje! …
E di që do t’më tradhtosh,
Kur dallga të përplas në breg,
Dhe këmbët në tjetër femër të ngatërrohen,
Kur dielli të lëshohet mbi sy,
Dhe të pëlqen të jesh symbyllur,
Se ndezja yte është një qelizë shpërthyese….
E di që do t’më tradhtosh,
Tashmë as këmbadoras nuk vij dot,
Se fati deri këtu na deshi bashkë.
Mos e bëj të lutem!
Mos tradhto,
Asnjë vajzë…
Asnjë grua…
Asnjë femër nuk meriton me u dasht tinëzisht,
Ndaj dashuro, siç din ti me t’shti n’gji
Deri në asht…
Je shpirt i lirë i dashurisë,
Dashuro si dikur gjer në gushë…
/www.QendraPress.com/