Fryma poetike e së dielës me poeten;-Drita LUSHI
QËKUR TË KAM NJOHUR
—————————————–
Qëkur të kam njohur
ndihem çuditshëm…
E ndërsa kam nisur të të dua,
Ndihem herë circe
e herë grua.
Shpesh, bëhem e padukshme
dhe si D(r)itë,futem fshehtas brenda teje;
Të zgjoj fjalët,
të ngatërroj mendimet,
u jap udhë fantazive,
të largoj gjumin tutje,
dhe ëndrrat t’i çel me puthje.
Ndërsa ti qesh
(kushedi ç’ëndërr sheh!)
Unë, nga d(r)itë kthehem në lumë,
E vërshoj për në zemën tënde,
Duke rrjedhur lehtë, pa zhurmë.
Pastaj,lë ca petale prilli në dhomëzat e saj,
nga ato që s’thahen kurrë,
qoftë dimër,vjeshtë, apo maj…
Ashtu e padukshme
Bëj sikur iki…
E sa herë,që ti mendon se jam larguar,
të kam mashtruar…
Fshehur jam,po aty
Tek Ty…!
Ngatërrestare
Shpesh, më pëlqen të luaj
Duke të të ngatërruar;
Ashtu si humbet gishtat ti
Nëpër flokët e mi
Jam përpjekur të të ngatërroj
ditët, në të gjitha stinët;
Të kam folur për pranverën në vjeshtë,
Dhe n’ dimër të kam sjellë detin në sy;
Të kam ngatërruar nëpër vargje,
Duke kërkuar më kot veten, “jam këtu, apo aty”?
Të kam ngatërruar sa herë të kam thënë
“të dua:
Dhe sa herë të kam thënë
“…s’të dua”.
Por, kur qëllon, vështrimi na
puthet në sy….
S’ka më ngatërrestare
Ndihem dyfish ngatërruar nga Ti…!
x/www.QendraPress.com/