Fryma poetike e së mërkurës me poeten:-Merita PAPARISTO

Zëra brënda kafkës

 —————————————–

Kjo borë e imët që bie jashtë

dhe ftohtësia e saj mbi xham

nuk janë një varg i mirë

për fillim poezie.

As gjurmët e padëshiruara

që çelen si plagë

mbi bardhësinë e brishtë

Veç treni që jashtë zhurmon

në intervale të përpikëta

më sjell ndërmënd

dy shinat paralele

që bashkoheshin për një moment

vetëm nën rrapëllimën vrastare

të rrotave të hekurta

në një shkrepëtime adrenaline.

Ja, keshtu ia shtrëngoj lakun në fyt ditës,

duke u munduar të bëj bashkë gjërat paralele…

këtë dëborë kristal, trenin që zhurmon

dhe zërat në thellësi të kafkës time!

/www.QendraPress.com/