Komunat kërkojnë opinion ligjor nga MF-ja për faljen e 100 eurove nga tatimi në pronë
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka parashtruar kërkesë për opinion ligjor nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, për falje nga 100 euro të tatimit në pronë.Në njoftim të AKK’së, është bërë e ditur se kërkesën në ministri e ka dërguar kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci. Në dijeni janë vënë edhe kryeministri dhe palët e tjera të interesit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.“Konsiderohet se Opinioni ligjor nga Ministria e Financave Transfereve dhe Punës do të sqaroj dilemat e ligjshmërisë rreth propozimit të Ministrit z.Murati për “faljen e 100 eurove nga tatimi i pronës për vitin 2023″”, thuhet në njoftim.Kujtojmë se rritja e përqindjes së tatimit në pronë ndodhi “papritur” gjatë muajit janar. Kjo rritje u kritikua nga komunat, partitë opozitare si dhe nga vetë qytetarët.Arsyetimi i Ministrisë ishte se përgjatë vitit 2022 është kryer vlerësimi i përgjithshëm i tokave dhe objekteve rezidenciale si dhe ka përpiluar raporte të vlerësimit, për të cilat janë njoftuar të gjitha komunat. /Reporteri.net/.