Fryma poetike e së dielës me 9 poetë:- Gëzim AJGERAJ
Dega jonë e thyer
————————————–
Nëpër pishat e mallit e kam lënë të më frymojë etja
Të mos ia zërë frymën zagushi e udhëve
E nesërmja të na i ndriçojë shpresave të kthimit
S`jam as i pari dhe as i fundit që marr udhën e ikjeve
Gjeografi e saj ka njohur breza e breza nga trungu im
Kur do t’ia presim mendimin fatit të arratisë
Nganjëherë ia kërkoj gjenezën e ikjes
Dhe nëpër embrionin e saj më rriten shekujt
Medet ç`gen kjo fara e jonë
Jemi bërë bimë që mbijmë në çdo arë të botës
E me frytin e pemës ushqejmë të tjerët
Vaj halli për trungun e pemës sonë
Hip kush mundet e merr ç`gjen në pemën tonë
A mund të themi se jemi më të pafatët
Nëpër këtë katrahurë mallkimi!?
Koha për kthim…
/www.QendraPress.com/