Fryma poetike e së dielës me poeten:-Arjana B.PATA
Kujt t’i qahem?
————————–
Të të qahem ty Diell?
Por ti je lart,
larg
shumë larg,
i nxehtë
përvëlues
shkatërrues…
Të endem rreth teje me tokën,
të shijoj tuat rreze bashkë me botën.
Me ty do jetoj përherë…Po.
por të të qahem unë ty, kurrë…Jo.
——————————————————–
Të të qahem ty Hënë?
Ti je e ftohtë
e largët
e vagët
magjike
poetike,
herë-herë e ndritshme
e paarritshme..
Nën ëndrrat e tua fle natën,
por ty padyshim nuk mund të të qahem.
—————————————————————-
Të të qahem ty yll?
Ty yll
a ju yje
a ju yjësi,
Arshës së vogël
arushës së madhe?
Ju jeni mijëra, miliona, biliona pafundësi,
as aty nuk mund të qahem kurrsesi.
————————————————————-
Të të qahem ty
Ty
apo TY?
JO…
————
E vetmja kujt mund t’i qahem vërtet
pa droje, pa rezerva, pafundësisht,
ku çdo gje mes nesh folur, mbetet sekret,
e ku gjykimi nuk gjendet aty faktikisht,
ku në prani je veç ti, as një i dytë apo i tretë…
Njëherë pasi qahem me ty, iki qetësisht,
qetësuar shpirti, rrok përsëri jetë…
Veç në ty do qahem, përfundimisht.
/www.QendraPress.com/