Politikani serb: Përmes Asociacionit Vuçiq synon “Republikë Srpska” në veri të Kosovës

Lideri i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak, duke komentuar Marrëveshjen evropiane ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se kjo e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe vendos marrëdhënie mes dy shteteve.Në pyetjen se kush fitoi dhe kush humbi nga Marrëveshja evropiane Çanak, për “N1” thotë se atje nuk fitoi askush.“Është thjesht një ofertë që nuk mund të refuzohet dhe ju keni dy pika në atë marrëveshje. Njëra është problematike për kryeministrin Kurti dhe tjetra për presidentin Vuçiq”, tha Çanak, duke shtuar se “nuk ka dyshim se Kosova po merr pavarësinë e saj”.“Kurti fiton qasje në organizatat ndërkombëtare, njohje praktike dhe të padiskutueshme të Kosovës, pasi në pikën 3, me aq sa e kam lexuar, thuhet qartë se marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të zhvillohen në përputhje me dokumentet e OKB-së për marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Kjo e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe vendos marrëdhënie mes dy shteteve”, ka theksuar Çanak, transmeton Telegrafi.Për Vuçiqin, shton ai, gjëja më e rëndësishme është Asociacioni i Komunave Serbe – të marrë “Republikë Srpska” në veri të Kosovës.“Nuk do të jetë si ‘Republika Srpska’ sepse atje jetojnë 36 mijë dhe kjo nuk ka asnjë ndikim në popullsinë dy milionëshe të Kosovës”, shpjegoi Çanak.Kur bëhet fjalë për ata që në Serbi e quajnë Vuçiqin tradhtar për shkak të kësaj marrëveshjeje, Çanak thotë se ata janë pretendues të pushtetit.“Ata duan të jenë Vuçiqa më të mëdhenj se Vuçiq, të gjithë janë të lidhur me historinë ruse”, thekson Çanak.Sipas tij, Bashkimi Evropian ka pushuar së qeni faktori motivues, çfarë ishte 20-30 vjet më parë.Në pyetjen nëse Vuçiq do të jetë hero apo tradhtar për shkak të marrëveshjes, ai thotë se “Është e lehtë të jesh i sinqertë, siç do të thoshte një nga miqtë e mi, kur askush nuk të do”.“Nga ana tjetër, është e lehtë të jesh hero kur nuk ke rrugëdalje tjetër. Për këtë Vuçiq nuk do të hyjë në histori, kjo është e sigurt, por gjatë pushtetit tij kanë ndodhur gjëra të rëndësishme në historinë e këtyre hapësirave, kjo është e sigurt”, tha Çanak.