Nisin punimet restauruese në shkollën e vjetër të Mushnikovës

Kanë nisur punimet restauruese në shkollën e vjetër të fshatit Mushnikovë, në Komunën e Prizrenit, objekt me rëndësi historike për zhvillimin e arsimit në këtë zonë.
Zëvendësministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Nora Arapi Krasniqi, ka bërë të ditur se ndërhyrjet restauruese kanë filluar në këtë objekt të ndërtuar në vitin 1905, i cili paraqet një dëshmi të hershme të zhvillimit të arsimit në zonat rurale të Kosovës.“E nisim javën me pamje nga vendpunishtja, ku kanë filluar ndërhyrjet restauruese në Shkollën e vjetër të fshatit Mushnikovë, në Komunën e Prizrenit. E ndërtuar në vitin 1905, kjo shkollë është një dëshmi e hershme e zhvillimit të arsimit në zonat rurale të Kosovës dhe e historisë së edukimit të brezave në këtë zonë”, ka shkruar Arapi Krasniqi.Ajo ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, duke bërë të ditur se ky angazhim synon mbrojtjen e vlerave historike për të tashmen dhe të ardhmen.“Vazhdojmë me përkushtim në mbrojtjen e së kaluarës sonë, duke e ruajtur trashëgiminë kulturore si vlerë për të tashmen dhe për të ardhmen. Punë. Përditë”, ka deklaruar Nora Arapi Krasniqi.