Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku kritika Kurtit për marrëveshjen e Ohrit: Mashtrim, dështim, humbje historike

                    Dy krerët e partive opozitare, Memli Krasniai nga PDK dhe Lumir Abdixhiku nga LDK kanë adresuar kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti, për arritjen e pajtueshmërisë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga Bashkimi Evropian, shkruan Reporteri.net.Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë përmes një postimi në Facebook se kryeministri Kurti, “pranoi gjithçka që kishte premtuar se nuk do të pranonte, përgjatë tërë jetës së tij politike me predikime të rrejshme e mashtrime të panumërta”.“Me 27 shkurt, në Bruksel, Kryeministri Kurti e pranoi propozimin evropian. Dje, me 18 mars, ai u dakordua edhe për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Në më pak se tri javë, Albin Kurti pranoi gjithçka që kishte premtuar se nuk do të pranonte, përgjatë tërë jetës së tij politike me predikime të rrejshme e mashtrime të panumërta”.“Por, përtej mashtrimeve të tij, brenga ynë mbetet Kosova, qytetarët tanë dhe brezat e ardhshëm, të cilët, fatkeqësisht, përveç që e kanë humbur besimin në perspektivën që ofron Kosova, do ta trashëgojnë për vite me radhë konfliktin e ngrirë me Serbinë. Dhe kjo është pasojë direkte e gabimeve të Albin Kurtit që ka negociuar dhe mundësuar këtë marrëveshje që është e pamjaftueshme për Kosovën dhe që nuk i arrin qëllimet tona shtetërore e qytetare”.Marrëveshja pa njohje reciproke, e përqendruar në një asociacion të avancuar e autonomi politike për komunitetin serb dhe pa garanci për integrimin euro-atlantik të Kosovës është dështim i madh politik e kombëtar, të cilin do ta paguajmë shtrenjtë dhe gjatë, të gjithë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Kurse kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se epilogu i kryeministrit Kurti, si kryeministër në dialog, është “mashtrim dhe humbje e një mundësie historike”.

“Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike – ky është epilogu i Kurtit si kryeministër në dialog. Një kauzë politike e rremë – që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë – përfundoi sonte. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjeshtë u zhbënë.
Përveç saj, një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të është çfarë Kurti i solli Kosovës sot. Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin tonë, është e pariparueshme më”, ka shkruar Abdixhiku.